
Nga Dr. Kostina Prifti
Me përjashtim të lajmeve mbi emigrimin dhe aferat kriminale, të rejat nga Shqipëria janë virtualisht inekzistente në mediat europiane. Megjithatë, lajmi për lindjen e Diellës arriti të eklipsojë të rejat e zakonshme, duke marrë qendrën e skenës.
Interesi i publikut mbi promovimin e Diellës është i kuptueshëm. Asnjë vend i BE nuk ka tentuar të ngrejë idenë e një sistemi të inteligjencës artificiale (IA) në një funksion ministror, qoftë edhe në mënyrë metaforike. Përkundrazi, përfshirja e IA në procese të administratës publike është shoqëruar me gabime, skandale, dhe – si pasojë – skepticizëm të vazhdueshëm. Pas skandalit të ashtëquajtur “Toeslaggenaffaire”, qeveria holandeze u detyrua të japë dorëheqjen pasi sistemi IA kishte gabuar në detyrat e tij të përcaktimit të benefiteve sociale për shtresat në nevojë. Gjithashtu në Austriimplementimi i një IA në administratën publike, me qëllim parashikimin e mundësive të punësimit për grupe të caktuar, u konstatua si diskriminues ndaj grave dhe personave me aftësi të kufizuar.
Aftësitë teknike të IA karakterizohen ende nga limitimet shembujve negativë të mësipërm. Pikërisht për këtë arsye lajmi i ardhur nga Shqipëria as nuk mund të merrej seriozisht, as nuk mund të injorohej. Nuk mund të merret seriozisht sepse çdo ekspert i informuar mbi potencialin e IA kupton që premtimet mbi këtë sistem mbeten ëndrra në Diella. Por as nuk mund të injorohen për shkak të pasojave që sjell implementimi i këtij sistemi në administratën publike. Domeini i prokurimeve shërben si një shqetësim i shtuar.
Diskutimi në fjalë përbëhet nga dy lloj problemesh. I pari është aspekti teknik. Këto sisteme shoqërohen me probleme transparence dhe llogaridhënieje, në lidhje me rrezikun e gabimeve të paverifikueshme dhe pakontestueshme. Si rrjedhojë e këtyre problemeve teknike, sistemet me IA mund të sjellin pasoja të rënda dhe të pakthyeshme juridike dhe sociale, sidomos kur implementohen pa pasur mekanizmat e duhur për mbikëqyrje dhe kundërshtim.
Pikëpyetja a parë lind nga funksionet aktuale të Diellës, që shërben si një chatbot. Këto të fundit kanë funksione gjenerimi të bashkëbisedimit të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (MMGJ, ose large language models). Por sistemet me IA vendimmarrëse bazohen në një tjetër lloj teknologjie nga chatbotët. Këto janë sisteme rregullash të paracaktuar (i.e., rule-based systems) ose në sisteme me mësim automatik (i.e., machine learning).
IA është një term i gjerë që fsheh dallime thelbësore midis aplikacioneve. Mund ta mendojmë kështu: një IA e bazuar në një MMGJ është një si veturë e dizenjuar për rehati dhe udhëtime të gjata. Kur dikush do ta përdorë atë për vendimmarrje publike, është sikur të përpiqet ta kthejë këtë veturë në traktor për arë. Vetura mund të ketë motor të fuqishëm dhe mund të lëvizë, por nuk është projektuar për brazda, për tërheqje peshe apo për punë të përsëritshme dhe të rregulluar sipas rregullave të sakta. Për këtë punë duhen mjete të tjera: IA e bazuar në rregulla (rule-based), që është si një makineri industriale që ndjek manualin pa devijime, ose IA me mësim automatik (machine learning), që është si një traktor modern që mëson terrenin, përshtatet me kushtet dhe e bën punën në mënyrë sistematike. Në prezantimin e Diellës, nuk është shpjeguar për qytetarët sesi vetura e dizenjuar për e-albania do të funksionojë si një traktor për prokurimet publike.
Edhe sistemet IA më të avancuara vendimmarrëse janë të limituara nga aspekti teknik. Pra, edhe nëse Diellës do t’i ndryshohet qëllimi nga një chatbot në një IA vendimmarrës, ky shndërrim shoqërohet me problemet e veta teknike. Literatura dhe studimet mbi IA vendimmarrëse janë të qarta: këto sisteme vuajnë nga mungesa e transparencës dhe krijojnë boshllëqe në llogaridhënie, duke vështirësuar kontestimin e vendimeve. Problemet me transparencën lindin si pasojë e kompleksitetit të këtyre sistemeve. Ne mund të dimë me çfarë e furnizojmë sistemin (të dhënat) dhe çfarë del (rezultati/vendimi), por nuk dimë çfarë ndodh brenda sistemit i cili përpunon të dhënat për të nxjerrë një rezultat.
Është provuar që sisteme të ngjashme kanë marrë shpesh vendime të gabuara, duke dëmtuar individë dhe grupe të ndryshme. Mjafton të shohim shembullin holandez, ku një sistem IA, me më pak të drejta vendimmarrje se ç’është promovuar për Diellën, shkaktoi dëme financiare dhe personale ndaj mijëra individëve, gjë që çoi në dorëheqjen e qeverisë. Kombinimi i marzhit të gabimit me mungesën e transparencës e bën të vështirë kontestimin e vendimeve të këtyre sistemeve, duke sjellë një situatë mungese llogaridhënie.
Një rrezik tjetër për qytetarët është mundësia e manipulimit të sistemit. Ky shqetësim ka vlerë të shtuar duke konsideruar kontekstin politik në Shqipëri. Korrupsioni dhe përdorimi i posteve publike për përfitim personal jo vetëm që nuk mund të luftohen me një sistem IA, por rrezikojnë të përforcohen duke i përdorur për të kamufluar veprimet korruptive si vendime objektive të IA. Ky shqetësim, kombinuar me mungesën e transparencës së IA dhe marzhit të gabimeve që i karakterizon, mund të sjellë një situatë ku sistemit IA, Diellës, i hidhet përgjegjësia e gabimeve për çdo prokurim që, bie fjala, është nën hetim nga BKH-ja. Në të njëjtën kohë, eksperienca e organeve ligjzbatuese për hetimin dhe gjykimin e rasteve ku përfshihet IA është shumë e vogël. Kjo mungesë ekspertize thellon hendekun e llogaridhënies në implementimin e këtyre sistemeve.
Në shembujt e ngjashëm në Europë, IA futet si zgjidhje për efiçencë, për të përshpejtuar procedurat dhe për të kursyer kohë. Por pas premtimit teknik shpesh fshihet një kosto e lartë shoqërore: diskriminimi dhe anshmëria shfaqen si efekte anësore të heshtura. Ndërkohë, në Shqipëri, promovimi i Diellës është paraqitur si armë kundër korrupsionit, duke premtuar paanshëmri dhe rigorozitet. Ky është një premtim i pazakontë dhe pothuajse i paprecedentë. Në të vërtetë, sistemet e IA preferohen për shkak të efiçencës, ndërsa anshmëria dhe marzhi i gabimeve janë limitimet dhe të metat e tyre kryesore. Për këtë arsye, implementimi i një IA në administratën publike, sidomos në domeinin e prokurimeve, është një proces që kërkon maturi institucionale dhe garanci juridike. Në mungesë të këtyre themeleve për një funksionim të përgjegjshëm, IA mund të përkeqësojë realitetin vendimmarrës dhe të shërbejë si pengesë për luftën ndaj korrupsionit.
Dekreti i Presidentit për emërimin e Diellës në funksion ministror duket të jetë në kundërshtim me kërkesën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që shprehet se një nga kushtet për të qenë ministër është mosha 18 vjeç. Ky fakt mund të paraqitet përpara Gjykatës Kushtetuese nga grupe të caktuar, si përshembull 1/5 e deputetëve të Kuvendit, për të shfuqizuar atë pjesë të dekretit si antikushtetues. Në atë rast Diella përsëri mund të ketë të njëjtat funksione vendimmarrëse për prokurimet publike, por duke u implementuar në përgjegjësinë e një ministrie./monitor