Kryesore 21 Maj 2025, 17:32 Nga VNA

Kushtet skandaloze në burgun e Spaçit, VNA sjell raportin e vitit 1983: Ushqimi i njëjtë shërbehej në enë që nuk laheshin, çezma me ujë të ndotur kalonte në tuba të ndryshkur. Në dhomat e të dënuarve politik shiu hynte brenda

Ndaje në Whatsapp

Në përvjetorin e revoltës së Spaçit, VNA sjell një dokument ekskluziv  të vitit 1983 i Prokurorisë së Përgjithshme që pasqyron gjendjen alarmante në kampin famëkeq, pas një kontrolli të zhvilluar më 5 dhe 6 korrik në repartin 303.

Sipas raportit, ambientet e kampit karakterizoheshin nga papastërti ekstreme, mungesë higjiene dhe kushte të rënda jetese. Dhomat ku flenin të dënuarit ishin të mbipopulluara dhe nuk përmbushnin as normat minimale të hapësirës. Mensat ishin të papastra, që përdoreshin edhe si salla lojërash, me dysheme të dëmtuara dhe pa pastrim të rregullt.

Shërbimi ushqimor ishte i mjerueshëm: ushqimi i njëjtë në të gjitha vaktet dhe diferencim të theksuar mes të dënuarve të punësuar dhe të papunëve, ndërsa ushqimet shpërndaheshin në mënyrë jo higjienike.

Gjendja shëndetësore ishte po aq shqetësuese, mungesë e dezinfektuesve, çezma me ujë të ndotur që kalonte në tuba të ndryshkur, prani parazitësh në rroba dhe kushte skandaloze në tualete. Rrobat personale laheshin nga vetë të dënuarit në kushte të papërshtatshme, ndërsa batanijet nuk laheshin fare.

Për më tepër, dushët funksiononin me probleme dhe numri i tualeteve ishte i pamjaftueshëm për numrin e të burgosurve, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik brenda kampit.

Raporti i kontrollit:

AKT-KONTROLLI

Në përbërje të grupit të kontrollit të Prokurorisë së Përgjithshme, në datat 5–6 korrik 1983, u zhvillua një kontroll në repartin 303 Spaç, me fokus në gjendjen higjieno-sanitare dhe shërbimin mjekësor. U konstatua sa vijon:

 

Gjendja higjieno-sanitare

  • Pastërtia në ambientet e përbashkëta është në nivel shumë të ulët. Fjetoret pastrohen vetëm një herë në javë me hedhje uji me kovë. Mensat paraqiten në gjendje të keqe, me shtresë balte në dysheme, gjë që tregon se pastrohen shumë rrallë. Ato përdoren edhe si salla lojërash.
  • Të dënuarit e dhomëzave nuk shërbehen në mensë, por në një sportel të jashtëm; më pas ushqimin e marrin nëpër pjata dhe hanë aty ku të mundin: në mensë, jashtë, madje edhe në fjetore. Kjo krijon mundësi për grumbullim mizash dhe përhapje të sëmundjeve infektive.
  • Enët mbahen vetë nga të dënuarit dhe nuk mblidhen për t’u larë në kuzhinë, siç parashikon rregullorja.
  • Dyshemetë e mensës dhe të fjetoreve janë të dëmtuara dhe me gropa, çka bën të grumbullohen mbeturina dhe vështirëson pastrimin.
  • Qumështi, që sipas rregullores duhet të shpërndahet para fillimit të punës si ushqim i posaçëm për punëtorët nëntokësorë, u jepet pas përfundimit të punës dhe jo në derën e galerisë, por në kuzhinë – në kundërshtim me normat.
  • Mbetjet ushqimore dhe mbeturinat e tjera hidhen brenda territorit të kampit, pranë përroit, pa u dezinfektuar, duke favorizuar përhapjen e sëmundjeve.
  • Personeli i kuzhinës nuk është i pajisur me librezë shëndetësore dhe nuk ka përgatitje profesionale për gatim.
  • Kuzhinat personale pranë ordinereve janë plotësisht të papërshtatshme dhe duhet të eliminohen.
  • Edhe magazinat e ushqimeve personale, si për ordineren ashtu dhe për të dënuarit e K.K.SH-së, janë të papërshtatshme. Veçanërisht te ordinereve, ku mungojnë raftet për vendosjen e çantave me ushqime, këto janë vendosur bashkë me rrobat personale.
  • Fjetoret nuk plotësojnë kubaturën e nevojshme për numrin e të dënuarve që strehohen aty. Nga matjet e bëra, rezulton se i takojnë vetëm 3.5 metra kub për person, ndërkohë që norma është 15 metra kub për person.
  • Te ordinereve, rrobat e punës mbahen në fjetore. Ato janë pa tavan dhe mbulohen me eternit, çka i bën shumë të nxehta në verë dhe shumë të ftohta në dimër.

 

Ushqimi dhe shërbimi mjekësor

  • Nuk ka meny javore. Ushqimi është pothuajse i njëjtë çdo ditë: oriz, makarona, fasule, patate.
  • Mishi nuk jepet në copa prej 45 gramësh siç parashikohet, por copëtohet imët dhe shpërndahet në mënyrë të tillë që jo çdo i dënuar përfiton.
  • Në kuzhinë mungon frigoriferi (është i prishur), ndërsa mishi pas therjes nuk kontrollohet nga mjeku veterinar.
  • Ushqimi kontrollohet nga mjeku i dënuar dhe rezultatet e kontrollit regjistrohen në librin përkatës për çdo vakt, para shpërndarjes.
  • Mostrat ushqimore ruhen në një kuti të mbyllur, ndërruar çdo 24 orë sipas vakteve, dhe çelësi mbahet nga mjeku.
  • Ushqimi duhet të kontrollohet nga oficeri dhe mjeku ushtarak.
  • Ka diferencim në ushqim midis punëtorëve dhe të papunëve. Të papunët në mëngjes marrin vetëm supë; në drekë, turli zarzavatesh pa mish; dhe në darkë vetëm vaj – 70 gr. Punëtorët e sipërfaqes në mëngjes marrin supë; në drekë, supë me zarzavate dhe mish; dhe në darkë, vaj, djathë dhe marmelatë – me vetëm 20 gr vaj. Punëtorët e nëntokës në mëngjes marrin supë dhe pilaf; në drekë, supë zarzavatesh me mish dhe pilaf; në darkë, vaj, djathë dhe marmelatë – me 50 gr vaj.
  • Sasia ditore e brumërave për të papunët është 69 gr; për punëtorët e sipërfaqes 59 gr.
  • Nga 40 dushet ekzistuese, lahen një pjesë e punëtorëve të nëntokës, të sipërfaqes, të prapavijës dhe të papunëve. Është e nevojshme të tregohet kujdes që këto dushe të funksionojnë rregullisht, pasi ka raste që dalin jashtë funksioni për arsye subjektive. Punëtorët e zonës së dytë bëjnë dush çdo ditë, sapo dalin nga galeria, pasi dushet ndodhen pranë hyrjes së saj. Te ordinierët dushi bëhet sipas grafikut, katër herë në javë.
  • Rrobat personale të dënuarit i lajnë vetë, por ka raste kur përdoret lavanderia. Nuk ka një vend të përshtatshëm për larjen e teshave personale. Marrja e sapunit bëhet në baza mujore, por kjo sasi është e pamjaftueshme.
  • Lidhur me rrobat e fjetjes (çarçafë, këllëfë jastëku, këmisha të brendshme, mbathje), ato lahen një herë në javë në lavanderi. Problem mbeten batanijet, të cilat nuk lahen fare.
  • Tek të dënuarit ordinierë, në rrobat e trupit dhe të fjetjes u konstatuan parazitë. Kjo kërkon marrjen e masave të menjëhershme për çmormizimin, përfshirë dezinfektimin me D.D.T. dhe nevojitet vendosja e një autoklave.
  • Të dënuarit janë të pajisur me nga tre çarçafë, dy këllëfë jastëku dhe dy peshqirë. Rrobat e brendshme janë të mjaftueshme – çdo i dënuar ka nga dy palë.
  • Gjendja higjieno-sanitare e tualeteve është e keqe. Ato pastrohen vetëm me ujë dhe nuk dezinfektohen kurrë, as me hipoklorit kalciumi, as me gëlqere, për shkak të mungesës së materialeve dezinfektuese. Ujërat e zeza të tualeteve derdhen në ambient të hapur, duke ndotur mjedisin dhe krijuar rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.
  • Tek të dënuarit politikë ka 20 urinore – një numër i tejkaluar dhe i palejueshëm; 10 ËC; 17 dhoma fjetjeje; një magazinë për ushqimet personale; një për rrobat personale; dhe një për rrobat e punës.
  • Tek ordinierët ka 6 ËC, nuk ka fare urinore, 3 dushe dhe 3 fjetore. Sa i përket magazinave të mjeteve personale për ordinierët, situata është problematike (siç është vlerësuar edhe më sipër).
  • Duke pasur parasysh punën me turne që zhvillohet në kamp, mendojmë se numri aktual i ËC-ve dhe dusheve nuk është i mjaftueshëm. Del si detyrë e menjëhershme rregullimi i 10 urinoreve dhe situata e magazinave të mjeteve personale për ordinierët është cilësuar edhe më sipër.

 

Duke pasur parasysh punën me turne që zhvillohet në kamp, mendojmë se numri i tualeteve dhe dusheve është i pamjaftueshëm. Lind nevoja e menjëhershme për rregullimin e 10 urinoreve në sektorin e ordinierëve.

  • Tek të dënuarit politikë janë konstatuar 13 çezma uji që furnizohen me pakicë dhe kalojnë nëpër tuba hekuri të ndryshkur, me vende të shpuara. Kjo paraqet rrezik serioz për shpërthimin e ndonjë epidemie nga infeksionet e zorrëve. Prandaj është urgjente që organet kompetente të marrin masa për ndërrimin e tubave me tuba zinku.
  • Mungon baza materiale e nevojshme për ndërtimin e fjetoreve, mencave dhe ambienteve të tjera ndihmëse. Mencat aktuale përdoren njëkohësisht edhe si salla lojërash. Ka shumë dritare pa xhama. Kati i tretë i ndërtesës, ku flenë të dënuarit politikë, ka shumë lagështi, pasi pikon sa herë bie shi.

Video

Momenti kur Rakip Gila, pasi kryen masakrën me dy viktima dhe dy të plagosur, kërcënon me armë drejtuesin e një automjeti, me të cilën tenton arratisjen.

Pas operacionit të zhvilluar sot në Elbasan, 30 personat e arrestuar janë nisur me autobus drejt qelive të paraburgimit në Tiranë. Ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të hetimeve.

?Kryeministri i Spanjës shpall embargo të plotë armësh ndaj Izraelit dhe e cilëson sulmet ndaj palestinezëve si ‘gjenocid’ "Ajo që po bën Izraeli nuk është vetëmbrojtje," por "shfarosje e një populli të pambrojtur dhe shkelje e ligjeve të së drejtës humanitare." Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka njoftuar sanksione të reja për të frenuar “gjenocidin” që po ndodh në Gaza. Ky hap i ri (jo një ndryshim drejtimi, duke marrë parasysh rolin që luan Spanja në dënimin e veprimeve të Izraelit) është si në aspektin narrativ — tani edhe qeveria spanjolle flet hapur për “gjenocid” — ashtu edhe në aspektin praktik, me kreun e qeverisë që ka njoftuar miratimin e afërt të një dekreti që formalizon atë që në praktikë ishte në zbatim prej kohësh: embargo të plotë për blerjen dhe shitjen e armëve me Izraelin. Përveç kësaj, lideri socialist ka shpallur edhe tetë masa të tjera. Ndërhyrja e Sánchez filloi duke kujtuar “vuajtjen” e popullit hebre, Holokaustin dhe “persekutimet” ndaj tij gjatë historisë, duke ritheksuar gjithashtu dënimin ndaj Hamasit. Por “me të njëjtën bindje, qeveria e Spanjës beson se një gjë është të mbrosh vendin tënd dhe një tjetër, krejt ndryshe, është të bombardosh spitale dhe të vrasësh nga uria fëmijë të pafajshëm. Kjo” — shtoi ai gjatë një konference për shtyp në Moncloa, parlamentin e Madridit — “është një sulm i pajustifikueshëm kundër popullsisë civile, të cilin raportuesi i Kombeve të Bashkuara e përkufizon si gjenocid. 60 mijë të vdekur, dy milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, gjysma prej të cilëve fëmijë.” Më pas ai kritikoi hezitimin e disa vendeve evropiane, si Italia, të cilat ende nuk kanë vendosur embargo për armët apo nuk janë shprehur në favor të njohjes së shtetit të Palestinës, një propozim që Madridi e ka përqafuar i pari në Evropë: “Fuqi të mëdha përfundojnë të bllokuara mes indiferencës dhe bashkëfajësisë.”

Një masiv pyjor në zonën e Bushtricës, Kukës, u përfshi nga flakët mesditën e sotme. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 60 punonjës nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Kukës, administrata e pyjeve, shërbimet publike dhe policia bashkiake, të mbështetur edhe nga grupe vullnetarësh. Burime bëjnë të ditur se terreni i vështirë nuk ka lejuar ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse, megjithatë punonjësit në terren po vijojnë punën intensive për izolimin e vatrës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme