Kronika 4 May 2026, 16:26 Nga VNA

Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk nxorri nga arresti as Bektashin

Ndaje në Whatsapp

Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk nxorri nga arresti as Bektashin

Gjykata e Lartë pak orë më parë shpalli vendimin për rekursin për rastin “Bektashi”, mbi një ankimim të Prokurorisë lidhur me masën e “arrestit në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Apelit, duke kërkuar “arrest me burg”.

Në datë 16.10.2025, shtetasi Bektash Zeneli është arrestuar në flagrancë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit personal “arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në datë 19.10.2025, vendosi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, si e vetmja masë e përshtatshme në rastin konkret.
Kundër këtij vendimi paraqiti ankim mbrojtësi i personit nën hetim, me anë të të cilit kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë, sa i përket masës së caktuar dhe caktimin e masës së sigurimit personal të arrestit në shtëpi. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendimin në datë 17.11.2025, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë vetëm sa i përket masës së sigurimit personal, duke caktuar ndaj personit nën hetim masën “arrest në shtëpi”, pasi vlerësoi se, në raport me kriteret e nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, natyrën e veprës dhe rrethanat personale e familjare të tij, kjo ishte masa më e përshtatshme për rastin konkret.

Deri këtu është e qartë që Bektashit masën e “arrestit me burg” ia ndryshoi Apeli në “arrest në shtëpi”.
Me gjithë unifikimet e vjetra të Gjykatës së Lartë, Apeli aplikoi Kodin dhe Bektashi shkoi në shtëpi.

Ajo që nuk kuptohet është së pari, pse ky vendimi i Gjykatës së Lartë paska bërë revolucionin, kur Bektashit masën ia kishte ndryshuar Apeli?

Në vendimin e sotëm Gjykata e Lartë shkruan mes të tjerash:

“…. Në caktimin e masës arrest në burg, prokurori fillimisht dhe gjykatat në vijim, kanë detyrimin të japin një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, që lidh nevojën e kësaj mase me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit në rastin konkret. Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit, në mënyrën e kryerjes së veprës dhe në të dhënat që lidhen me personin ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, përfshirë personalitetin, sjelljen, rrethanat individuale e familjare, si dhe çdo tregues tjetër të rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut real procedural ose shoqëror që ai paraqet në çështjen konkrete.”

Çfarë paska ndodhur atëherë gjatë procesit në Gjykatën e Lartë?
Gjykata i ka kërkuar prokurorit që të japë një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, dhe Prokurori ka kundërshtuar? Nga vendimi nuk duket që Gjykata të ketë zhvlerësuar pretendimet e Prokurorit! Mbetet të besohet që Prokurori ka refuzuar t’i përgjigjet Gjykatës!

Më tej në vendim shkruhet:
“… në lidhje me nenin 5 § 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë ….. Prokuroria ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese…”

Çfarë ka ndodhur pra në Gjykatën e Lartë gjatë debatit juridik mbi rastin “Bektashi”?
Prokuroria ka refuzuar që të respektojë detyrimin që buron nga konventa duke refuzuar të mbajë barrën e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg”? Nga vendimi nuk dallohet ndonjë arsyetim, që rrëzon argumentet e Prokurorisë. Mbetet të besohet që Prokurori ka refuzuar të argumentojë sa kërkon Gjykata.

Kujtojmë që Bektashin nga arresti me burg e ka nxjerrë Gjykata e Apelit.

Dhe konventa ishte njësoj siç është sot.

Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë nuk ishte ky i revolucionarizuari, por asgjë nuk e pengoi zbatimin e Kodit të Procedurës Penale me gjithë unifikimin e vjetër.

Në fund Gjykata e Lartë thjesht ka rrëzuar një rekurs Prokurorie, por teksti i vendimit nuk ka mundësi që t’i referohet debateve në sallën e gjyqit. Sepse po të ishte kështu atëherë duhet të deduktojmë që Prokurori ka refuzuar që të argumentojë sa i kërkohej nga Gjykata. Ka refuzuar deri në masën që Gjykata na qenkësh detyruar që t’i tregojë vendin prokurorit për sot e mbrapa, sepse Bektashit masën e arrestit ia kishte ndryshuar Apeli. Nuk ia ndryshoi Gjykata e Lartë!

Derisa Gjykata e Lartë sot la në fuqi një vendim të Gjykatës së Apelit, dmth ky vendimi unifikues nuk e nxorri Bektashin nga burgu.

Bektashi u përdor thjesht si “capro espiatorio”, për të futur në shqyrtim rastin. Diku po brohorasin që Gjykata e Lartë “ndryshoi praktikën”, por praktika për Bektashin paskësh qenë në rregull!

Për ata që shpresonin që unifikimi i Sadushit të nxirrte nga burgu Veliajn, duhet të sqarojmë që këta unifikuesat me këtë vendim nuk nxorrën as Bektashin.

Bektashi kishte që në 17.11.2025 që rrinte në shtëpi. Fati i tij që Gjykata e Lartë “hëngri” vetëm 5 muaj për t’u shprehur për të! Të tjerë presin shumë më gjatë!

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme