Një shpërthim i hantavirusit në anijen turistike “MV Hondius” në Atlantik ka shkaktuar të paktën tre viktima dhe një tjetër pasagjer ndodhet në terapi intensive. Virusi transmetohet kryesisht nga kontakti me minj të infektuar, përmes ajrit të ndotur nga jashtëqitjet apo pështyma e tyre, ndërsa transmetimi nga njeriu tek njeriu është i rrallë.
Sipas ekspertëve, hantavirusi mund të shkaktojë forma të rënda sëmundjeje, si pneumoni të rëndë ose hemorragji të brendshme, me një shkallë vdekshmërie që varion mesatarisht nga 25% deri në 30%, por në disa raste mund të arrijë edhe më shumë.
Autoritetet e Kepit të Gjelbër kanë ndaluar zbarkimin e pasagjerëve për të shmangur përhapjen, ndërsa në bord ndodhen rreth 170 persona. Dyshohet se bëhet fjalë për variantin “Andes”, i përhapur në Amerikën e Jugut, i cili në raste të rralla mund të transmetohet edhe mes njerëzve.
Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik për hantavirusin. Pacientët trajtohen vetëm në mënyrë mbështetëse, derisa organizmi të arrijë ta përballojë infeksionin.
Në nivel global regjistrohen rreth 150 mijë raste në vit, kryesisht në Azi, ndërsa në Europë dhe Ballkan shfaqet në forma më të lehta.






















