Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar të hënën se Evropa po zhvillon zgjidhjet e saj të sigurisë dhe nuk do të përfshihet në operacionet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar kuadrin aktual si të paqartë. Ai theksoi se prioritet mbetet një zgjidhje e negociuar për situatën.
Duke folur në Takimin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë, Macron u shpreh se vendet evropiane po e marrin fatin e tyre në duart e tyre, përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtje dhe siguri dhe përmes forcimit të bashkëpunimit të përbashkët.
Sipas tij, politika e sigurisë europiane është formësuar ndjeshëm që nga viti 2022, përmes nismave si Komuniteti Politik Evropian, mbështetja për Ukrainën dhe bashkëpunimi i vendeve të gatshme, si dhe përpjekjet e lidhura me Ngushticën e Hormuzit.
Macron theksoi se Franca mbështet rihapjen e ngushticës, por nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion ushtarak jashtë një kuadri të qartë ndërkombëtar.
“Nëse SHBA-ja është gati të rihapë Hormuzin, kjo është shumë mirë. Këtë e kemi kërkuar që në fillim”, tha ai.
Në fund, presidenti francez nënvizoi edhe rëndësinë e respektimit të armëpushimit në Liban, duke paralajmëruar për viktima të reja dhe duke bërë thirrje që të gjitha palët të zbatojnë angazhimet e tyre.






















