Rajoni 5 Dhjetor 2024, 23:09 Nga VNA

Konjufca ndërpret seancën për të mos lejuar pjesëmarrjen e deputeteve serbë

Ndaje në Whatsapp
Konjufca ndërpret seancën për të mos lejuar

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca ndërpreu të enjten seancën për të pamundësuar pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë, që u shfaqën në sallë pas një mungese të gjatë.

Kryetari Konjufca akuzoi 9 ligjvënës të Listës Serbe, partisë së themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, për provokim dhe keqpërdorim të parave të taksapaguesve duke u paraqitur vetëm “një herë në gjashtë muaj”. Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje reaguan po ashtu ndaj paraqitjes së ligjvënësve serbë.

Lista Serbe mban 9 nga 10 vendet e rezervuara për pakicën kombëtare serbe në parlamentin e Kosovës. Që nga fundi i 2022 ata janë tërhequr nga pjesëmarrja në seancat parlamentare si pjesë e vendimit të punonjësve serbe për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me veprimet e qeverisë në veriun e vendit. Megjithatë deputetët serbë paraqiten çdo gjashtë muaj në parlament për të hedhur nënshkrimet e tyre për të mos i humbur mandatet.

“Është më të vërtetë e patolerueshme në Kuvendin e Kosovës këso sjellje. Njëherë në gjashtë muaj vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës vetëm për me i keqpërdorur paratë e taksapaguesve, në anën tjetër e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që e keni dhe shkoni e i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, (Milan) Radojiçiçit dhe keni guxim dhe vini në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë dhe kërkoj ta lironi Kuvendin e Republikës së Kosovës”, – tha zoti Konjufca.

Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit 2023 në veri të Kosovës në të cilën u vra një pjesëtar i policisë.

Deri më tani, deputetët e Listës Serbe kanë nënshkruar pa pengesa dhe veprimi i sotëm ka të ngjarë të shtojë tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara të Kosovës me Serbinë fqinje.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se reagimi i kryetarit Konjufca dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje “është pjesë e fushatës zgjedhore, duke marrë parasysh që unë para një viti kam bërë kërkesën për moslejimin e deputetëve sa për të ardhur për t’u nënshkruar dhe me paratë e taksapaguesve, qytetarëve tanë, ta dëmtojnë Republikën e Kosovës. Në atë kohë, deputetët e LVV janë tall me propozimin tim, ndërsa sot isha e befasuar me reagimin e tyre”.

Ndonëse thekson se Lista Serbe është kategori kushtetuese, zonja Musliu mendoj se duhet gjetur një zgjidhje “që kjo qasje të ndërpritet një herë e përgjithmonë, sepse është e pakuptimtë që të paguhen deputetët e Listës Serbe dhe kjo është kundër çdo vlere demokratike, kundër çdo zhvillimi demokratik, që të paguhen me paratë e taksapaguesve dhe të dalin e të punojnë kundër Republikës së Kosovës”.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, i tha Zërit të Amerikës se “asnjë deputet nuk ka të drejtë t’ia ndalojë një deputeti tjetër të hyjë në sallë. Asnjë deputet nuk i nënshtrohet asnjë lloj detyrimi. Mendoj se tërheqja e vërejtjes publike do të ishte e arsyeshme nga kryetari i Kuvendit dhe normalisht mund të merren edhe masa tjera nëpërmjet kryesisë, ndëshkime individuale ose ndëshkime për të gjithë deputetët që nuk marrin pjesë në seanca të shikohet dhe për të ndryshuar ligjet se çfarë mund të bëhet, por jo duke pamundësuar fizikisht që të hyjnë në sallë”.

Reagon Beogradi

Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç, shkroi se veprimi i sotëm në parlamentin e Kosovës është një veprim i lëvizjes Vetëvendosje që sipas tij synon të bllokojë pjesëmarrjen e ligjvënësve serbë në seancë dhe “me forcë t’ua marrin mandatet”.

Ai u bëri thirrje diplomatëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj kësaj ngjarjeje dhe të “sigurojnë mbrojtjen e proceseve demokratike dhe të drejtave të pakicave”.

Ndërsa, drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se veprimi i sotëm tregon se Lista Serbe “është pengesë” për kryeministrin Albin Kurti “meqë ajo mbron interesat e popullit serb”.

“Populli serb ua ka dhënë vendet dhe legjitimitetin dhe Kurti nuk mund t’ua heqë mandatet apo t’ua ndalojë pjesëmarrjen”, theksoi ai.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shtuan javën e kaluar pas një shpërthimi në veriun e Kosovës, që dëmtoi kanalin e ujësjellësit nga liqeni Ujmanit. Kosova fajësoi Serbinë se qëndron pas shpërthimit, ndërsa Beogradi mohoi akuzat. /VOA

 

 

Video

“El Clasico”-ja e parë e sezonit përfundoi me tensione të forta pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Pas kartonit të kuq për Pedrin në minutën e 100’, situata në fushë doli jashtë kontrollit. Gjithçka nisi me një përplasje mes Lamine Yamal dhe Dani Carvajal në fund të duelit. Në debat u përfshi edhe portieri Courtois, duke e acaruar më tej situatën. Lojtarë nga të dyja skuadrat ndërhynë për t’i ndarë, por tensioni u rrit edhe më shumë kur Yamal u përplas verbalisht me Vinicius Junior. Pas disa sekondash përplasjeje dhe shtyrjesh, Yamal u tërhoq drejt daljes për në tunel, por Vinicius u pa duke e ndjekur me vrap, ndërsa stafet teknike ndërhynë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pavarësisht incidenteve, Reali i Madridit ruajti fitoren 2-1 me golat e Mbappes dhe Bellingham, ndërsa pas ndeshjes pritet që komisioni i disiplinës të analizojë ngjarjet e ndodhura në fundin e sfidës.

Një video e përleshjes midis një burri me uniformë naziste dhe një gruaje në Georgia, SHBA, po bën xhiron e rrjeteve sociale. ? Burri, i identifikuar si Kenneth Leland Morgan, shihet në video duke mbajtur një uniformë që ngjan me atë naziste, e kompletuar me një shirit të kuq në krah që mban simbolin e kryqit të thyer. Pamjet tregojnë momentin kur ai shtyhet jashtë një bari nga një grua dhe më pas përballet me disa persona të tjerë. Në video shihet momenti kur ai godet gruan pasi ajo përpiqet t’i heqë shiritin nga krahu.

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme