Vna.al do t’ju rrëfejë herë pas here për libra të botuar tani vonë ose mjaft më herët, të cilët kur i kemi lexuar na kanë lënë mbresa. Ky rrëfim do të jetë një këshillë modeste nga redaksia për lexuesit tanë, që kur të kenë kohë dhe dëshirë të zhyten në lexim dhe të përjetojnë të njëjtën kënaqësi intelektuale e artistike që kemi përjetuar edhe ne gjatë leximit.
Me një rrugëtim interesant si shkrimtare, Kristina Frangeskaki (Christina Frangeskaki), e cila jeton e punon në Athinë, ka botuar romanin e titulluar në greqisht “Hedh rrënjë”, të sjellë në shqip nga shtëpia Botuese Mediaprint me titullin “Këtu është parajsa”. Nuk do t’ju rrëfejmë ngjarjet e romanit apo fatet e personazheve të tij. Lexuesi le t’i zbulojë vetë ato. Zgjodhëm të themi diçka për këtë roman, pasi ai i kushtohet kryekëput fatit dhe përvojave tënjë familjeje shqiptare emigruar në Greqi, duke treguar njëherësh përjetimet e gëzuara dhe të hidhëruara të shqiptarëve të emigruar anekënd në këto 30 vite.
Një familje shqiptare, me “origjinë intelektuale” siç do të shpreheshim me terminologjinë e para ’90-s, provon fatin e saj në emigrim në shtetin fqinj, Greqi. Familje e ndarë më dysh, pasi gruaja merr guximin me dy djemtë e saj të emigrojnë të parët, duke lënë pas në Shqipëri vajzën dhe bashkëshortin. Më vonë edhe babai kandiset të bashkohet me familjen e tij në Greqi. Secila pjesë e familjes përballet me vështirësitë e veta atje ku jeton, por që edhe kur bashkohen e presin fate të ndryshme. Dualiteti shoqërues i emigrimit, nga krenaria që duhet të lësh pas, se ç’ke qenë, për të përballuar jetën në vend të huaj, për të gjetur një krenari të re që pavarësisht gjithçkaje megjithatë ia del mbanë të krijosh diçka nga e para. Fate të mirë e të këqija, e deri në tragjike, që bashkëshoqërohen. Në këtë ndarje në dysh është ndërtuar edhe rrëfimi i romanit. Gjithherës ndjek rrëfime paralele në kohë, duke të ngërthyer dhe përthithur në lexim, a thua se je duke i përjetuar ti si lexues ngjarjet e romanit. Kaq këndshëm e bukur është shkruar ky roman. Por mbi të gjitha, tek kemi dëgjuar e përjetuar paragjykime e diskriminime ndaj shqiptarëve të emigruar, sidomos në Greqi, dashurohesh me rrëfenjën e këtij romani për shkak të mirësisë, qasjes vlerësuese dhe këndvështrimit realist mbi emigrantët shqiptarë që ka dhënë autorja. Duket se gradualisht edhe shoqëria greke do të fillojë të kapërcejë ndjesinë e theksuar negative që zhvilloi ndaj imigrantëve shqiptarë, dhe ky roman patjetër që do ka kontributin e tij.
Na duhet të falënderojmë Kristinën për romanin njerëzor që ka shkruar, rrëfenjën e këndshme dhe mjeshtërinë e frazës, i sjellë po aq bukur edhe në shqip nga përkthyesja Elena Zhako.
Christina Frangeskaki
Shkrimtarja Kristina Frangeskaki është nga ishulli i Rodos i Greqisë. Ajo ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe ka dhënë mësim për shumë vite në gjimnaz, lëndët e sociologjisë dhe shkencave politike. Gjithashtu, ajo është marrë me studimin dhe rrëfimin e historive të traditës gojore nga gjithë bota. Shkruan libra për fëmijë dhe të rritur dhe është nderuar me Çmimin Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë për librin “Ortensia ruan të fshehtat” (Botimet Kedros, 2011) dhe me Çmimin “Penelopa Maksimu” për librin “ A ta marrë lumi?” (Botimet Kedros, 2014). Jeton dhe punon në Athinë.
Duke marrë shkas nga botimi i librit në gjuhën shqipe, intervista me Kristinën hedh dritë jo vetëm në shtysat e ngjizjes së romanit, por edhe në opinionin e saj mbi marrëdhënien mes grekëve e shqiptarëve, afërsitë sociale e kulturore dhe ndryshimet pozitive në lidhje me perceptimin e imazhit të emigrantit. Ajo më thotë me një lloj hezitimi të vogël, që ndoshta ngjan i idealizuar këndvështrimi i saj për shqiptarët, por që është rrjedhojë e përvojës së drejtpërdrejtë me elementin shqiptar në Greqi dhe e dashurisë për nxënësit shqiptarë.
Libri juaj “Këtu është parajsa” (në greqisht me titullin “Hedh rrënjë”), flet për një familje emigrantësh shqiptarë në ishullin Rodos, që u vendosën atje pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri dhe ngjarjeve që pasuan. Zgjedhja e kohës së rrëfimit u përcaktua në njëfarë mënyre nga vala e dytë masive e emigrantëve shqiptarë në gjysmën e dytë të viteve ‘90 apo ishte rezultat i një procesi të mëparshëm? Sa kohë zgjati shkrimi i romanit?
Ideja për shkrimin e librit lindi brenda meje, pas ardhjes së valës të parë të emigrantëve. Kishin filluar të vinin në shkollë nxënësit e parë shqiptarë. Një numër i vogël, por ama një realitet ekzistues. Kishim hyrë në dhjetëvjeçarin e parë të ‘90-ës. Në vazhdim, pas rënies së firmave piramidale në Shqipëri, vala e dytë masive e emigrantëve shqiptarë, me gjithë karakteristikat që mbarte, më dha shtysën përfundimtare, që të nisja të shkruaja historinë.
Për një çast, s’ dija si të veproja. Çfarë desha të thosha saktësisht? Cili ishte thelbi? E lashë shkrimin mënjanë. Vdekja e tim eti në vitin 2000 më dha zgjidhjen. Kur e rikapa historinë shumë kohë më pas, gjithçka mori një ndriçim të tjetërllojtë. Kishin kaluar tashmë vitet, edhe për heronjtë e mi. Dalja, fundi, ishte në duart e mia. Dhe ndodhej përbri meje. Kësisoj, “Këtu është parajsa” u shkrua dhe u rishkrua. E mendoja, e ndërtoja, e lija, e korrigjoja dhe e rishkruaja mbi 20 vjet.
Përzgjedhja e vendlindjes suaj, e Rodosit, si vend veprimi i heronjve lidhet me përvoja konkrete të të njohurve tuaj nga Shqipëria?
Në verë të ‘92-it, në Rodos, përballë shtëpisë sime prindërore, u vendos një familje e vogël nga Shqipëria. Gruaja, e cila në atdheun e saj ishte mësuese - ma tha im atë me adhurim - kthehej vonë në shtëpi dhe shumë e lodhur nga hoteli ku punonte. Edhe djali i madh punonte gjithë ditën, ndërsa i vogli i priste në oborr deri vonë, në shoqërinë e biçikletës. Një ditë vere erdhi në Rodos edhe i ati. Mbante veshur gjithë kohës një kostum të zi dhe një radio të vogël në vesh, që të dëgjonte lajmet nga Shqipëria. Ky imazh real me gjithë çka e shoqëronte, u bë qendra e historisë sime. Mbi të ndërtova rrëfimin, duke e pasuruar me copëza historish të tjera (shumica e historive të emigrantëve shqiptarë ngjanin shumë mes tyre), dëgjime, imazhe, përvoja, ndijime të përbashkëta, por edhe ndijime tërësisht personale, të historisë sime domethënë.
Po ideja e qytetit të Vlorës?
Vlora, vendlindja e një mikeje sime shqiptare, u bë dhe vendlinja e heronjve të mi. Më pëlqente tingulli i emrit. Më dukej poetik. Deti i Vlorës, vija bregdetare, ajo që na ndan e bashkon me tokën, i shërbente më së miri fabulës sime. Për mua që linda dhe u rrita në një ishull, ngjitur me detin domethënë, ishte një bazë e ngrohtë dhe e begatë nga ana letrare. Arrija të njëjtësohesha në disa pika dhe të dalloja e të kuptoja përvoja të ngjashme. Jeta në Vlorë e atyre viteve, kishte elemente të përbashkëta me jetën në Greqi gjatë viteve ‘70, me atë të një ishulli të linjës jo-fitimprurëse, ku kalova fëmijërinë. Ishim transferuar atje për shkak të punës së tim eti dhe shumë herë ndihesha e huaj, përderisa isha larg vendlindjes. Për më tepër, Vlora këtu në Greqi, është një nga qytetet më të njohura të Shqipërisë.
Është i admirueshëm përshkrimi i psikikës së emigrantëve shqiptarë të viteve ‘90 dhe veçanërisht i nënës shqiptare. Një mbresë të veçantë më la pjesa, që flet për kutitë plastike të kosit me fruta dhe kremrat e bebeve. Materiali plastik në Shqipërinë komuniste ishte i rrallë dhe në literaturën post-komuniste, shpesh hasen përshkrime të shisheve të koka-kolës dhe sendeve të tjera “të jashtme”, që dekoronin bufetë e shtëpive shqiptare. Ku u bazuat në përshkrimin e skenave të nënës, që është e dashuruar me kutitë e vogla të kosit me fruta?
Ngacmimet i mora nga koha e ardhjes së parë të emigrantëve shqiptarë, ku shumë prej tyre nuk kishin gjetur ende punë apo ishin të keqpaguar, ose ndonjëherë s’paguheshin fare. Pamjet e njerëzve në supermarket, që vështirësoheshin të konsumonin, qoftë edhe produkte të thjeshta si kose frutash, ishin të përditshme. Njëkohësisht, gjithë produktet që kishin një design më të rafinuar, përbënin për ta diçka të panjohur. Në njëfarë mënyre ngjanin në sytë e tyre si vepra arti, ose në rastin e shisheve të coca-colës, si objekte zbukurimi të një peshe të veçantë. Materiali plastik, si objekt i rrallë, u trajtua me adhurim, ishte dukshme. Përshkrimet e mia janë imagjinare, të mbështetura nga imazhet rreth meje.
Njohja e parë me emigrantët shqiptarë ndodhi kryesisht përmes mësimdhënies?
Njohja e vërtetë, njëmend, ishte në shkollë. Nxënësit me origjinë shqiptare, na sollën afër edhe me familjet e tyre. Një botë tjetër u shpalos para nesh.
Çfarë dinit më parë për historinë dhe popullin e vendit fqinj?
Dija çfarë dinte gjithkush. Që populli shqiptar jetonte i izoluar brenda kampit të një regjimi jo-të lirë. Diskutonim rreth kësaj situate me ndjeshmëri, e ndiqnim. Personalisht, pata përvojën e të shfletuarit të një libri leximi nga cikli i fillores të minoritetit grek. Më bëri shumë përshtypje një vjershëzë, nga e cila më kujtohen vetëm këto vargje:
Parti je nëna jonë
dhe të adhurojmë
Shumë vite para se të binte regjimi. Nuk e harrova dot, më ndiqte, sikur ky dyvargësh të ishte lidhja ime me Shqipërinë. Polisemia e fjalëve më shpinte drejt një morie interpretimesh dhe analizash.
Më flisni për përvojën tuaj me nxënësit me origjinë shqiptare.
Qe një përvojë e thellë dhe shumëplanëshe. Nxënësit e mi shqiptarë qenë në sytë e mi heronjtë e një udhëtimi dallgëshumë, që bënë gjithçka që t’ia dilnin mbanë, të ngulnin spirancën. Të rinj guximtarë, që kuptuan shumë mirë që shkolla qe arena e tyre. Kurajozë, punëtorë, të zgjuar dhe të aftë. Dhe mbi të gjitha me ëndrra. Shumica e tyre qenë nxënës të shkëlqyer dhe ia dolën të hyjnë në degët më të vështira universitare, thua se greqishtja qe gjuha e tyre amtare. I adhuroja për stoicizmin dhe përballjen dinjitoze ndaj paragjykimeve shumëllojëshe. As vështirësitë ekonomike dhe as problemet me gjuhën, nuk i penguan që të mbajnë lart objektivat e tyre. Por, edhe prindërit e nxënësve shqiptarë na ndihmuan të rikujtojmë kuptimin më njerëzor të fjalës “shkollë”, që e patëm harruar disi. Para se të pyesnin për mësimet, më pyesnin “Janë fëmijë të mbarë?”. Më pas pyesnin për mbarëvajtjen në mësime. Kjo më mallëngjente shumë, sepse pas kësaj pyetjeje, ndieja frikën e tyre të refuzimit në të njëjtën masë me shpresën e integrimit të barabartë, të përligjjes së betejës së tyre shumëfrontëshe.
Pas një përvoje kaq të gjatë me nxënësit me origjinë shqiptare, si do e përshkruanit rrugëtimin e tyre në sistemin arsimor grek?
Vitet e para, sikurse kam thënë, nxënësit me origjinë shqiptare ishin udhëtarë të guximshëm të një udhëtimi dallgëshumë. Mbartnin frikën (guximtari ka frikë) dhe dyshimin bashkë me forcën e besimin. Prindërit e tyre duke punuar shumë, arritën të mbështesnin fëmijët. Ia dolën të përballojnë sfida të vështira, t’i kapërcejnë dhe t’ia arrijnë qëllimit me dinjitet. Me kalimin e viteve, çfarë ishte arritur nga brezi i mëparshmëm, shërbeu si bazë për brezin tjetër. Tani në shkollë kemi fëmijët e nxënësve tanë të parë. Historia e tyre, e cila është pasuruar edhe nga historitë e prindërve të tyre, shkruhet tashmë bashkarisht me historinë e bashkëmoshatarëve të tyre grekë.
Ç’të përbashkëta vini re mes grekëve e shqiptarëve?
Që në fillim, që prej viteve të para të ardhjes së shqiptarëve në Greqi, ishin të dukshme ngjashmëritë mes dy popujve. Mbijetues në kushte të vështira, me vrull për jetën, forcë, besim në edukimin arsimor si mjet lëvizjeje e zhvillimi. Emigrantët shqiptarë në Greqinë e viteve ‘90, ngjanin shumë me emigrantët grekë në Amerikë gjatë viteve ‘60. Pavarësisht rrezikut të idealizimit, nuk mund të mos pranosh, se që të dy popujt ikën të vendosur nga atdheu i tyre, në rrethana të ndryshme secili, por iu përkushtuan me gjithë forcë një qëllimi: që t’ia dilnin mbanë. Në mënyrë, që të përligjinin këtë vendim.
Mendoni se tashmë ekziston një ndryshim cilësor në mentalitetin e shoqërisë greke kundrejt emigrantëve dhe veçanërisht shqiptarëve, që përbëjnë përqindjen më të lartë në vend?
Bashkëqytetarët tanë me origjinë shqiptare nuk trajtohen më në Greqi si të Tjerët, si të Tjerët e rrezikshëm që shikoheshin dikur. Kushtet u maturuan, gjatë gjithë këtyre viteve u krijuan lidhje të pazgjidhshme fqinjësie, miqësie, bashkëpunimi, dashurie, afërsie gjaku. Bashkekzistenca është tashmë realitet. Nuk je më emigranti shqiptar, i huaji, je bashkënjeri, i denjë për t’u respektuar. Kjo ka të bëjë dhe me maturinë e shoqërisë greke, me vetëdijësimin që emigranti nuk është armik, përkundrazi mund të bëhet bashkëpunëtor dhe mik i mirë. Mund të mësojë nga kultura e tij, mund ta dua. Sa më të rinj janë ata që ndërlidhen mes tyre, aq më shumë reduktohen në maksimum dallimet e origjinës. Në planin ligjor, ekzistojnë ende shumë gjëra të rëndësishme për t’u bërë. Por, në shumicën e fushave të tjera, përjashtimet thjesht vërtetojnë rregullin.
Nëse do të rishkruanit në vitin 2023 historinë e një familjeje shqiptare në Rodos ose në një vend tjetër të Greqisë, do të ishte shumë e ndryshme përqasja juaj?
Nëse do e rishkruaja, do përqëndrohesha tek e sotmja. Mezi pres të shoh në Teatrin Kombëtar të Athinës, një vepër të mrekullueshme, “Goodbye Lindita” nga sa shkruajnë kritikët dhe ata që e panë, ndër më të diskutuarat e vitit, me skenar dhe regji të Mario Banushit. Lexova që Mario Banushi ka lindur më Shqipëri në vitin 1998 dhe erdhi në Greqi në moshën 6 vjeçare. Përmes veprës së tij trajton poetikisht vdekjen, mungesën, pastrimin e tyre. Nëse do të shkruaja sot historinë e një familjeje shqiptare, do të shkruaja për këta njerëz të rinj, të ndriçuarit nga drita e artit, por jo vetëm, për ata që kanë lindur e janë rritur në një Shqipëri tjetër, në një Greqi tjetër. Se si shartua peizazhi shpirteror, kultura, nga përvoja të shumëllojta me kalimin e kohës.
Si ndiheni që heronjtë tuaj udhëtuan para pak kohësh përmes Botimeve Mediaprint në vendin e origjinës së tyre?
Ndiej lumturi dhe mallëngjim të thellë. Dua të përshëndes ngrohtësisht botimet Mediaprint për bashkëpunimin e mrekullueshëm, përkujdesjen e hollësishme ndaj çdo detaji dhe profesionalizmin e lartë. Piktorin Stefan Taçi, që për nevojat e kopertinës na mundësoi si ilustrim një pikturë të tijën, botimet Kedros në Greqi për çdo ndihmë lehtësuese dhe përkthyesen Eleana Zhako, që pa përkthimin e saj, nuk do të ishte i mundur ky udhëtim në atdheun dhe gjuhën e heronjve të librit. U jam mirënjohës.






















