Një teknikë e thjeshtë për të fjetur më shpejt, e shpikur nga një akademik dhe e bërë e famshme nga rrjetet sociale, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje. E quajtur “cognitive shuffling”, kjo metodë synon të ndihmojë njerëzit të qetësojnë mendjen dhe të largojnë mendimet e tepërta që shpesh i mbajnë zgjuar gjatë natës.
Shumë persona që priren të mendojnë shumë apo të ndihen në ankth e kanë të vështirë të “fikën” mendjen kur shtrihen për të fjetur. Pavarësisht teknikave të ndryshme – nga kontrolli i frymëmarrjes te numërimi mbrapsht – jo të gjitha funksionojnë. Por për disa njerëz, cognitive shuffling ka rezultuar më efektive.
Si funksionon teknika/ Metoda është e thjeshtë:
Mendoni një fjalë të rastësishme dhe neutrale, për shembull “tortë”.
Merrni shkronjën e parë të saj, në këtë rast “T”.
Filloni të mendoni sa më shumë objekte që fillojnë me atë shkronjë, si p.sh. “tavolinë”, “telefon”, “tigan”, duke i imagjinuar në mendje.
Kur nuk ju vijnë më fjalë të tjera, kaloni te shkronja tjetër e fjalës. Shumë persona thonë se rrallë arrijnë te shkronja e tretë, pasi ndërkohë i zë gjumi.
Kjo teknikë nuk garanton gjithmonë gjumë të menjëhershëm, por shumë përdorues thonë se i ndihmon të qetësojnë mendjen. Në rrjetet sociale janë publikuar qindra video që e rekomandojnë, disa prej të cilave kanë marrë qindra mijëra shikime.
Pse funksionon
Sipas specialistëve të gjumit, metoda funksionon sepse largon vëmendjen nga mendimet shqetësuese që pengojnë gjumin. Në vend që truri të përqendrohet te shqetësimet, ai merret me imazhe të rastësishme dhe neutrale. Teknika u zhvillua më shumë se 15 vite më parë nga Luc P. Beaudoin, profesor i asociuar në Simon Fraser University në Kanada. Ai e quajti metodën edhe “serial diverse imagining”, duke u bazuar në idenë se njerëzit me pagjumësi shpesh mbeten të bllokuar në cikle mendimesh si shqetësimi apo planifikimi.
Duke u fokusuar në imazhe të rastësishme dhe të ndryshme, truri fillon të imitojë mënyrën se si mendimet bëhen të shpërndara dhe të çrregullta në momentin kur njeriu po bie në gjumë.
Çfarë tregojnë studimet
Në vitin 2016, studiuesit testuan teknikën tek 154 studentë universitarë që kishin vështirësi për të fjetur. Një grup përdori një aplikacion që u jepte fjalë të rastësishme për t’i imagjinuar, ndërsa një grup tjetër shkruante shqetësimet e tyre në një ditar.
Rezultatet treguan se metoda e “cognitive shuffling” ishte po aq efektive sa teknikat e tjera të rekomanduara për pagjumësinë.
A funksionon për të gjithë?
Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një teknikë e vetme që funksionon për të gjithë. Disa njerëz reagojnë më mirë ndaj meditimit apo ushtrimeve të frymëmarrjes.
Megjithatë, për shumë persona kjo metodë është bërë një rutinë e përnatshme që i ndihmon të flenë më shpejt. Specialistët këshillojnë që gjatë përdorimit të saj të zgjidhen tema neutrale – si objekte apo ushqime – dhe jo tema që mund të shkaktojnë emocione, si politika apo puna.
Nëse problemet me gjumin vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe ndikojnë në jetën e përditshme, ekspertët rekomandojnë konsultë me mjekun, pasi mund të bëhet fjalë për pagjumësi kronike që kërkon trajtim profesional.






















