Sociale 17 Gusht 2024, 08:53 Nga VNA

A po e humbim shansin e turizmit?!

Ndaje në Whatsapp
A po e humbim shansin e turizmit?!

Zhvillimi i paqëndrueshëm në bregdet, ku ritmi i lartë i ndërtimeve nuk po arrin të ndiqet nga infrastruktura, menaxhimi i mjedisit si plehrat apo ujërat e zeza, kanalizimet, energjia etj., rrezikohen të kthehen në një bumerang për sektorin, që realisht ka potencial të bëhet motori kryesor i rritjes së ekonomisë.

Shprehja “fillimi i mbarë është gjysma e punës” nuk po shkon këtë vit për turizmin.

Muajt e parë ishin mjaft optimistë, me hyrjet e të huajve që u rritën me rreth 40% në janar-maj. Shtrirja e sezonit gjatë gjithë vitit ishte një dëshirë prej shumë vitesh, që më në fund u bë realitet.

Shqipëria po tërheq, jo vetëm me plazhin në muajt e nxehtë të verës, por edhe me kulturën, kulinarinë, historinë, trashëgiminë që nga antikiteti, natyrën etj.

Shqipëria u bë “hit” në rrjetet sociale për çmimet e lira, njerëzit mikpritës, sigurinë, alternativat e shumta turistike, ushqimet. Mediat e huaja u joshën sidomos nga Ksamili, i etiketuar si “Maldivet e Europës”.

Kërkesa për njësi akomoduese ishte dyfish më e lartë në raport me vitin e kaluar, duke nxitur shumë vendas të lëshonin shtëpitë e tyre me qira ditore, si në kryeqytet, ashtu dhe në zonat e tjera nga Jugu në Veri.

Nisur nga kërkesa e lartë për njësi akomoduese dhe shtimi i hyrjeve, pritshmëritë ishin shumë të larta për këtë sezon veror. Bizneset, sidomos ato të Jugut, nxituan që të rrisin çmimet.

Njësitë akomoduese u shtrenjtuan deri në 90%. Duhet pranuar që nuk ishte vetëm kërkesa që rriti çmimet. Kostot e mbarëvajtjes së aktivitetit janë shtuar.

Mungesa e punonjësve rriti pagat në Jug, në nivele të tilla prej 1000 eurosh në muaj për punonjësit e shërbimit. Hotelet, ndonëse paguajnë taksat, u detyruan të përballojnë vetë investimet për impiantet e ujërave të zeza.

Rënia e Euros ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht të ardhurat e strukturave hoteliere, që u përpoqën ta kompensonin në çmim.

Në një vend që si avantazh konkurrues kryesor ka çmimet e lira, është normale që rritja e tyre do të frenonte turizmin.

Kjo ndodhi shumë shpejt, teksa filluan ankesat për rënie të pushuesve. Në qershor, ritmet e rritjes së hyrjes së shtetasve të huaj u përgjysmuan në krahasim me 5-mujorin e parë.

Ndikim të ndjeshëm në kërkesë dha edhe largimi i shtetasve nga Kosova, për shkak të heqjes së vizave, reduktimi i popullsisë vendase dhe largimi i pushuesve potencialë shqiptarë, si rrjedhojë e çmimeve të larta.

Gjithsesi, në këto raste, “hyjnë në fuqi” mekanizmat e vetërregullimit dhe çmimet nisën të uleshin sërish, por dëmi në imazh u bë.

Ndërsa tregun e rregullon kërkesë-oferta, duke ekuilibruar çmimet, vendi ka probleme më të thella, që nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit.

Prej shumë vitesh, infrastruktura mbetet problematike, teksa investimet u përqendruan vetëm në Jugun e vendit, duke e lënë qendrën pre e një trafiku, që në verë bëhet i paadministrueshëm.

Transporti publik mbetet i çorganizuar dhe turistët e kanë të vështirë të orientohen, për shkak të mungesës së hartës në Google Map.

P.sh., për të shkuar nga Tirana në Vlorë, harta të tregon që fillimisht duhet të shkosh në Rinas dhe atje të marrësh autobusin për në Vlorë! Një raport i fundit i Komisionit Europian e rendit Shqipërinë të fundit në Europë me vetëm 41.6% të ujërave të saj bregdetare që cilësohen të shkëlqyera.

Kjo përqindje është shumë më e ulët se vendi i parë, Kroacia, me mbi 99% dhe Italia, që është nga mesi i 26 shteteve të renditura, me mbi 90%. E njëjta renditje është edhe për ujërat e brendshme, ku Shqipëria është e fundit nga 27 shtete, me 33% të ujërave të saj të shkëlqyera.

Ndryshe nga vendet e tjera, që sipas raportit kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të reduktuar ndotjen dhe për të përmirësuar cilësinë e ujit, qeveria jonë ua la këtë barrë vetë bizneseve këtë vit, ashtu siç Bashkitë ua lanë vetë strukturave hoteliere detyrimin për të hequr plehrat, ndonëse u merr rregullisht taksën e pastrimit.

Zhvillimi i paqëndrueshëm në bregdet, ku ritmi i lartë i ndërtimeve nuk po arrin të ndiqet nga infrastruktura, menaxhimi i mjedisit si plehrat apo ujërat e zeza, kanalizimet, energjia etj., rrezikohen të kthehen në një bumerang për sektorin, që realisht ka potencial të bëhet motori kryesor i rritjes së ekonomisë.

Editorial i Monitor.al 

 

Video

Kur i vë vulën rivales së Sali Berishës.

Në GJKKO vijon procesi për dosjen “Partizani”, ku i pandehur kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha. Në seancën e sotme pritet të dëshmojë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili është edhe kallëzues në këtë çështje. Në hyrje të gjykatës, Balla deklaroi se “sot është një ditë e madhe për drejtësinë”. Berisha akuzohet për korrupsion të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, ndërsa në këtë dosje janë të pandehur edhe disa persona të tjerë.

Kur përfaqësuesi i kandidatit Ervin Salianji shkon të regjistrojë kandidaturën për zgjedhjet e kryetarit të ri. Si tha ai? Kemi hapur partinë…thjesht dritaret dhe jo derën

Roberto Baggio hyn edhe në TikTok dhe e bën menjëherë viral debutimin e tij. Në videon e parë, legjenda italiane bën disa prekje topi, gjuan fort dhe më pas dëgjohet zhurma e xhamave që thyhen. Pastaj kthehet nga kamera dhe thotë thjesht: “Nga sot jam edhe unë në TikTok”. Rezultati? Brenda pak orësh mbi 2 milionë shikime dhe qindra mijëra ndjekës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme