Historia e babës tim, është historia e një njeriu që nuk u pajtua asnjëherë me komunizmin dhe që u përball deri në frymën e fundit me luftën e klasave, diferencimin dhe pasojat që pati kolektivizimi absurd dhe shtetëzimi total i ekonomisë. Mehmet Bubrrec Buçpapaj, lindi më 1914 në fshatin Tplâ të Tropojës, në një familje që, dy breza më parë, kishte zbritur nga lagjja “Kapuçprush” e Bujanit të Epër. Ishte krenar për prejardhjen e tij nga Bujani i Krasniqes dhe për të treguar këtë përkatësi, ai firmoste gjithmonë me ‘M. Bujaku’.
Që i vogël tregoi etje për dijen. Ndonëse autodidakt, arriti të jetë një ndër njerëzit më të ditur të krahinës. Në moshën tetëvjeçare, zbriti në Shkodër me të atin, për t’u regjistruar si nxënës konviktor. I mori provimet me sukses dhe u regjistrua në klasën e tretë. U sëmur nga gripi dhe i ati u detyrua ta merrte me vete. Ëndrra e tij për të vazhduar studimet në shkolla, nuk u realizua, por kurrë nuk hoqi dorë nga dija.
Babai im u mësoi shkrim e këndim vëllezërve të tij më të vegjël: Aliut, Xhemajlit dhe Halilit, djalit të tezes Sejdi Braha (Doçi), kushëririt Ali Ibishi (Buçpapaj) dhe bashkëfshatarit Qazim Zeqa (Malaj) dhe nipit nga Iballa, Ibrahim Dauti. Xhemajli, Sejdiu, Ali Ibishi, Ibrahim Dauti (nga Iballa) dhe Qazim Zeqa, u bënë ndër kuadrot e larta kryesore në Tropojë dhe gjithnjë ruanin kaligrafinë e mësuesit të tyre të parë.
Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç kur gjyshi, Bubrrec Alia, ra në burg. Ai, me një tjetër malësor, kishin marrë përsipër të mblidhnin taksat e të gjithë Tropojës. Ata dështuan në mbledhjen e rregullt të taksave, ortaku e denoncoi se ishte faji i tij dhe gjyshi u burgos.
Babai shkoi në qendrën e nënprefekturës, në Tropojë, për të mësuar për fatin e Bubrrec Alisë. I thanë se është dërguar në burgun e Kukësit. Zenun Colit, avokat, nëpunës i nënprefekturës i erdhi keq dhe vendosi ta ndihmonte. Ia dha një letër për avokatin më të mirë të Kukësit, me të cilin kishin mbaruar studimet. E këshilloi që të ndiqte shtyllat e telefonit, në mënyrë që të shkonte drejt e në qytetin e Kukësit. Avokati pranoi menjëherë të merrej me çështjen. Babai u lumturua kur e bindi gjyshin, që të bashkëpunonte sa më ngushtë me avokatin. U rrëzua akuza e denoncuesit dhe kështu që Bubrrec Alia, mori pafajësinë.
Gjyshi ishte një patriot. Në betejën e Qafë Morinës më 1909, ai ishte plagosur në këmbë, por kishte mbijetuar. Në këtë betejë kushërini i tij, Ali Jakup Buçpapaj (Papuça), mbeti i vrarë në grykën e topit turk. Edhe sot i këndohet kënga në Malsi dhe Kosovë. Disa vite më parë në prill 1881, Smajl Hysen Buçpapaj kishte mbetur i copëtuar nga gjylet e topave turke, me bashkëfshatarin e tij Mic Sokoli. Edhe këtë moment e ka përjetësuar kënga popullore.
Gjyshi kishte qenë nxënës në Medresenë e Shkupit, ku kishte mësuar osmanishten, por i ishte dashur ta ndërpriste ngaqë i vdiq para kohe i ati dhe, si djalë i vetëm i shtëpisë, i duhej të merrej me familjen, pronat, pasuritë e trashëguara. Gjyshi ishte njeri i ditur. Ai e njihte osmanishten nga Medreseja e Shkupit, të cilën ia pati mësuar edhe babës tim, Mehmetit, i cili kishte prirje për gjithçka. Që në moshë fare të re, babai u dallua për talentin e tij si mjeshtër ndërtimi, por edhe si projektues i thjeshtë i tyre.
U bë i kërkuar në ndërtimet e kullave të reja anembanë Malësisë. Në këtë kohë zuri miqësi të ngushtë e të përhershme, me mjeshtra të tillë si Hasan Uka i Luzhës, Shaban Syla i Babinës, Ali Haxhia i Luzhës, Zeqir Halili i Viçidolit e të tjerë. Ende pa shkuar në ushtri, mori përsipër dhe e realizoi me sukses ndërtimin e tyrbes së Sheh Alisë në Tplâ. Ushtrinë e mbaroi në Shkodër në vitin 1934. Ishte një ushtar që u shqua për përgatitjen fizike, por edhe atë teorike dhe kjo konfirmohet me dekoratat dhe shpërblimet që kishte marrë nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë, (apo siç quhej në atë kohë; Ushtria Kombëtare).
Në atë kohë kishte pak të rinj në vend që dinin shkrim dhe këndim dhe aq më tepër me atë kualitet si të babës tonë, i cili u shqua në përvetësimin e doktrinës ushtarake. Baba ishte edhe një shenjëtar i spikatur, një snjaperist siç thuhet sot, madje ma i miri i kohës së tij, në Ushtrinë Mbretërore. Eprorët e tij donin ta mbanin në ushtri, duke i ofruar ndjekjen e kualifikimit të duhur për t’u bërë oficer, por baba i refuzoi ato, për shkak të nevojës për t’u kthyer në shtëpi, tek familja, por lidhjet me Shkodrën nuk do t’i ndërpriste kurrë.
Atje u njoh me tregtarë të zotë të asaj kohe. Baba, duke qenë një njeri më kulturë, madje nga më të kulturuarit në Malësinë e Gjakovës për kohën, gjatë periudhës së ushtrisë në Shkodër, por edhe në vijim gjatë viteve të tregtisë me këtë qytet, kishte blerë thuajse të gjitha botimet që nxirrnin dhjetëra shtypshkronja të Shkodrës, duke krijuar në mënyrë të habitshme një bibliotekë me libra të autorëve të njohur, përfshirë ato të Gjergj Fishtës. Në Shkodër kishte mësuar edhe italisht, për të lexuar dhe komunikuar mjaftueshëm. Nisur nga këto, ai u bë një njeri i prerë për ekonominë e tregut dhe tregtinë e, Shkodra ia dha këtë mundësi.
Baba e përmendte më së shpeshti Man Tepelinë, një nga tregtarët më në zë të Shkodrës asokohe. I vendosi lidhjet me këta tregtarë dhe, sapo mbaroi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, me bashkëfshatarët e tij, Rexhep Selimi (Mehmetaj) dhe Bekë Sylejmani (Ponari), hapën dyqan privat në fshat. Me Bekën ishin bashkëmoshatarë dhe kishin e mbajtën shoqëri të ngushtë gjithë jetën. Tregtia iu eci me sukses. Një prej tyre, sipas radhës, qëndronte në dyqan. Dy të tjerët dërgonin mallra me karvane kuajsh në Shkodër dhe merrnin mallra prej andej. Klientët e tyre ishin nga fshatra të ndryshme, nga të dyja anët e Drinit.
Sipas traditës, qysh nga Lidhja e Prizrenit dhe në vazhdim, familja jonë u përfshi ndër të parat në Malësi, në formacionet e luftës për liri. Shtëpia jonë u bë strehë e luftëtarëve, si Fadil Hoxha, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xheladin Hana e të tjerë. Në kujtimet e Fadil Hoxhës; “Kur pranvera vonohet”, është një personazh me emrin Bubrrec, por Fadili ngjarjet i vendoste në një fshat tjetër të Tropojës, duke shmangur rrezikun, që personazhi i tij të mos e pësonte nga regjimi i Enver Hoxhës.
Babai nuk kishte respekt për Fadilin. E kishte njohur në Tiranë, kur, për një hall të tijin, kishte shkuar të takonte Kolë Bibë Mirakajn, atëherë ministër i Brendshëm. Kola ishte nga Iballa e Pukës, fqinj me njerëzit e gjyshes tonë, e cila ishte po nga Iballa. Babai tregonte se Fadili brohoriste “Duçe-Jakomoni” derisa i shteroi zëri. Unë mendoja se thjesht babai kishte inat me Fadilin, ngaqë ai fliste kundër demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, prandaj i jepte ngjyrime të tepruara negative atij. Por shumë më vonë kam lexuar se Fadili, kishte qenë veprimtar i Partisë Fashiste.
Por tregonte respekt për Hajdar Dushin, i cili i kishte dhe i lexonte në origjinal gjermanisht, literaturën komuniste. Thonë se ai hartoi edhe Rezolutën e Konferencës së Bujanit, ku sanksionohej që Kosova të vet-vendoste pas mbarimit të Luftës, “për t’u bashkue më Shqipninë”. Ai tregonte pa demagogji, se komunistët nuk do ta lejonin pronën private, do ta kolektivizonin bujqësinë, do ta ndalonin fenë, do të zhvillonin luftë klasash, ndaj çdo mospajtimi me ideologjinë komuniste.
Familja jonë kishte një traditë të luftës kundër pushtuesve, ku qysh nga Lidhja e Prizrenit, në luftërat e Plavë-Gucisë dhe deri më sot, 23 djem të fisit Buçpapaj, kanë rënë duke luftuar në tokë të Kosovës dhe janë shpallur dëshmorë. Kështu që hapja e minierës së kromit në Kam, nga pushtuesit italianë, u konsiderua nga malësorët si vjedhje e pasurisë tonë kombëtare, të cilët organizuan një sulm të armatosur ku mori pjesë edhe xhaxhai ynë Fazliu, bashkë me kushërinjtë tanë, Selim Braha dhe Halil Beli etj.
Regjimi fashisti u vu në ndjekje të tyre dhe xhaxhai doli në mal, ndërkohë që familja u lidh me rezistencën antifashiste. Fashistët italianë, në prag të dimrit 1942-‘43, si hakmarrje, vendosën të digjnin kullën tonë, si pjesëmarrëse në rezistencën antifashiste dhe si strehuese e luftëtarëve të lirisë. Ata dogjën stallën e bagëtive, ndërkohë që mbushën me sanë dhe me kashtë misri, gjithë ahurin e shtëpisë së madhe të Buçpapajve, për t’i vënë edhe asaj flakën.
Por Xhemajl Bubrreci, vetëm 16 vjeç, bashkë me Isa Selim Bajraktarin (djalin e hallës), ua nisën pushkës. Italianët u detyruan t’iu përgjigjën dhe i ndoqën të dy deri në Mollë të Kuqe (Bujan), por pa rezultat. Shtëpia e madhe shpëtoi nga zjarr-vënia, ndërsa familja nuk ishte e sigurt, kështu që u zhvendos në Iballë të Pukës, tek dajat e babës, deri në pranverë. Me formimin e këshillave të para Nacional-çlirimtare, babai zgjodh sekretar për Tplâ-Dushaj, ndërsa kryetar, u zgjodh Hoxhë Dusha.
Me nënën time, Gjylë Ismail Meshi, babai u martua më 1 janar 1944. Pjekja, përcjellja e nuses nga fshati Kosturr i Hasit, u bë në fshatin Shëngjergj, në breg të Drinit. Në pjekje mungoi miku i shtëpisë, Din Zenel Bajrakari, i cili ishte delegat në mbledhjen e Konferencës së Bujanit, mungoi edhe djali i tezes së babait, Selim Braha, i cili ishte rojë tek shtëpia e Sali Manit, ku mbahej konferenca. Ata erdhën në ditën e dytë të dasmës.
Më 1944, familja jonë u denoncua se mbante dhe shpërndante trakte partizane. Nazistët, pasi bastisën gjithë shtëpinë e nuk gjetën gjë, i rreshtuan të madh e të vogël, para popullit.
Azai i fshatit, Ahmet Alia (Ponari) garantoi se denoncimi ishte i rremë dhe e shpëtoi familjen tonë nga rreziku. Më 1945, babai u zgjodh kryetar i Këshillit Nacional-çlirimtar për fshatin Tplà- Dushaj. Këtu filluan përplasjet e para midis babait dhe pushtetit komunist. Atë vit Fazli Bubrreci, vëllai i madh i babait, një ndër luftëtarët e parë të lirisë në Tropojë, komandant skuadre në Brigadën XXV-të Sulmuese, ra në burg në Shkodër. Atë e shoqëronte një dosje nga Jugosllavia, e tëra në serbisht. Babai iu mori vërtetime të gjithë bashkëluftëtarëve të xhaxhait dhe si rezultat atij iu dha pafajësia.
Një ndër masat e para që u muarën pas vendosjes së pushtetit komunist, ishte dorëzimi i të gjitha librave të autorëve “reaksionarë” në qendër të rrethit. Kështu që babait dhe vëllait të tij, iu desh të mbartte me kuaj librat dhe t’i dorëzonte, sipas urdhrit, të cilat komunistët i dogjën. Shumicën e këtyre librave siç ishin ato të Fishtës dhe shkrimtarëve katolikë të veriut, por edhe shumë përkthime, ishin shpallur nga regjimi komunist të ndaluara. Në kuadrin e shtetëzimeve, babai dhe dy ortakët e tij, u detyruan të mbyllnin dyqanin privat. Dyqani i parë shtetëror, u hap vite më vonë.
Ndërkohë baba si një njeri me talent dhe kurajë, kishte hapur punishten e parë të përpunimit të leshit në Tropojë, me të cilën fitonte shumë. Ai i bënte përpunimin bazë në Tpla dhe pastaj e dërgonte në Shkodër, ku e shiste me çmim më të lartë. Po kështu kishte hapur edhe punishten e parë të përpunimit të qumështit (për nxjerrjen e gjalpit) në krahinë, ku përsëri siguronte të ardhura nga vetë porositësit dhe nga fermerët. Ai kishte plane për të zgjeruar biznesin e tij, por regjimi komunist erdhi duke e ngushtuar pronën private, deri në zhdukjen e saj.
Babai ra në mospajtim të thellë me regjimin, kur pushteti në qendër të rrethit, pasi e kishte shpallur dëshmor xhaxhain e vogël, Halil Bubrrecin, korrier i formacioneve partizane, vrarë në verën e vitit 1944 në bjeshkë, me argumente të pabazuara, ia hoqën këtë titull. Në ato vite, të cilat quhen edhe “periudha e Koçi Xoxes”, ndodhte që malësorët arrestoheshin në shtëpitë e tyre dhe vriteshin gjatë rrugës për në qendrën e rrethit, me pretekstin e orvatjes për arratisje. Edhe ata që i shpëtonin plumbit, rriheshin derisa bëheshin për spital.
Akuzat më të shpeshta ndaj malësorëve në atë kohë, ishin për “fshehje armësh”, për “strehim të të arratisurve” kundër regjimit, ose pse iu “dërgonin ushqim dhe veshje në mal”. Babai, në të gjitha rastet, i shoqëroi vetë të gjithë të arrestuarit, deri në qendër të rrethit. Madje edhe iu dilte zot, duke argumentuar se ishin krejtësisht të pafajshëm. Akuzat, pothuaj në tërësi, ishin të pabaza, thjesht bëheshin për hakmarrja të vjetra.
Më 1949, babai shkoi vullnetar në fazën përfundimtare të tharjes së kënetës së Maliqit. Atje punoi murator në kanal, në ujëra të ftohta dhe u kthye në shtëpi i sëmurë, në një gjendje të tillë, që askush nuk e njihte as nuk i besonte, se ishte vërtet ai, Mehmet Bubrreci. U paralizua pothuaj plotësisht nga të dyja këmbët. Rastësisht shpëtoi pa e prerë njërën këmbë.
Ishte në sallën e operacionit, po debatonte me mjekët, ngaqë nuk pranonte ta bënte operacionin me narkozë, kur erdhi lajmi se ishte miratuar kura dhe kishin ardhur medikamentet e porositura të UNRRA-s, nga Spitali Civil në Tiranë. Kurimi do të vazhdonte gjatë. Çdo vit të paktën një muaj e kalonte në spital. Deri vonë në shtëpi janë ruajtur patericat të cilat i përdorte në atë periudhë. Më vonë, për disa vite të tjera, lëvizte me bastun.
Në këtë periudhë kohe, duke mos pasë shumë shpresa te shërimi i plotë, bleu një makinë qepëse dhe vendosi të merrej me rrobaqepësi. Në shtëpinë tonë, deri vonë ndodhej makina qepëse, të cilën babai e pati përdorur vetëm për pak vite. Në këtë kohë ra në burg për herë të dytë, xhaxhai i madh, Fazliu. Këtë herë akuzohej për agjitacion e propagandë. Më 1948, pas prishjes me jugosllavët dhe mbylljes së kufirit më Kosovën, u pa qartë se ajo i kishte mbetur Serbisë.
Xhaxhai i madh Fasllia, e akuzoi publikisht Enver Hoxhën, se e kishte tradhtuar Kosovën dhe vetë luftën çlirimtare, pasi ai dhe tre vëllezërit e tij, si shumica e malësorëve të Tropojës, u ishin bashkëngjitë radhëve të Brigadës XXV-të Sulmuese, për të çliruar Kosovën nga nazistët dhe bashkuar me Shqipërinë. Këtë koncept e shprehte edhe rezoluta e Konferencës së Bujanit, por tani bashkë me Kosovën, i kishte mbetur Serbisë edhe Gjakova, një qytet jetik për Malësinë e Gjakovës. Xhaxhai deri sa vdiq, kur mërzitej, e këndonte këngën e njohur në Malësi; “Hajmedet se u mshel Gjakova”!
Për këtë xhaxhai u dënua me 15 vjet burg politik. E kishte vënë në shënjestër kryetari i Degës, Kopi Niko, një nga xhelatët më të mëdhenj të diktaturës komuniste. Babai takoi sërish të gjithë bashkëluftëtarët e xhaxhait dhe ua mori deklaratat e tyre. Takoi edhe dëshmitarët dhe ata i ndryshuan dëshmitë e tyre. Xhaxhai u dënua përfundimisht, vetëm me një vit burg. Por qëndroi dy vite në burg, meqë vendimi i Gjykatës së Lartë, kishte mbetur nëpër shkresat e sekretarisë së burgut dhe vetëm një kontroll nga lart, e zbuloi shkresën për lirimin e xhaxhait.
Xhaxhai i madh, Fazli Bubrreci, u trajtua krejt padrejtësisht nga pushteti komunist në fshat e në rreth deri në fund të jetës, si i dënuar politik, me 15 vjet burg. Në të gjitha biografitë tona zyrtare, xhaxhai figuronte si i dënuar 15 vjet me burg politik. Qarqet zyrtare në Tropojë, e konsideruan se familja jonë, me qëndrimet e pasluftës, e kishte mohuar luftën e bërë prej saj.
Kështu që, në historikun e Luftës Nacional-çlirimtare të Tropojës, të përfunduar në vitet 1980, roli i familjes sonë në Luftën Nacional-çlirimtare, ishte reduktuar vetëm tek emri i gjyshes, Shkurtë Isufi, si nënë që kishte pritur dhe përcjellë partizanë. Në një kohë që dy xhaxhallarët, Ali Bubrreci dhe Xhemajl Bubrreci, merrnin pension veterani, sepse, me dokumente vërtetohej se ishin pjesëmarrës vullnetarë të Luftës Nacional-çlirimtare.
Këtë përcaktim e kishin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në formacione para 24 majit 1944, Kongresit të Përmetit. Pas asaj date, të gjithë pjesëmarrësit në këto formacione, nuk ishin më vullnetarë, por ishin rekrutë të mobilizuar dhe pjesëmarrja në formacionet partizane, iu quhej kryerje e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në këtë kategori të fundit, hynin të gjithë pjesëmarrësit në Brigadën XXV-të sulmuese, me luftëtarë kryesisht nga Tropoja dhe Hasi.
Kjo ishte në padrejtësi ekstreme ndaj familjes sonë, një nga ato deformime flagrante të cilat, e kanë lënë Tropojën pa një histori lokale të saj. Më 1953 në Tpla, u krijua kooperativa bujqësore, e para në Tropojë dhe një ndër të parat në veriun e vendit. Një vit më parë katër vëllezërit, – Fazliu, Mehmeti, Aliu, Xhemajli, ishin ndarë. Ngaqë toka e cila i takoi, babai ishte disi më larg, atij nuk i takoi pjesë nga shtëpia, kështu që filloi ndërtimin e shtëpisë së vet. Tre vëllezërit e tjerë u përfshinë ndër të parët në kooperativë.
Nëna ime, falë shëndetit fizik e formimit të saj shpirtëror dhe edukatës përkryer nga familja prej së cilës vinte, nga Meshajt e Kosturrit, do të ishte krahu i djathtë i fuqishëm i babait, në të gjitha sfidat. Ajo përballoi me dinjitet barrën e shtëpisë dhe rritjes së fëmijëve, por edhe rënien e vëllait të saj Isuf Meshi, në burg politik, për 25 vjet. Babai kërkoi pension invaliditeti. Iu desh të bënte letra deri në kreun e vendit. Sapo i plotësoi dokumentet për pension, ra një zjarr në Komitetin Ekzekutiv të rrethit dhe u dogj çdo dokument, ndër të tjera edhe dokumentet e pensionit të babait.
Kjo, por edhe formimi i tij për ekonominë e lirë të tregut, ndikoi në vendimin e patundur të babait, për të mos u bërë anëtar i kooperativës bujqësore dhe kjo e vuri gjithë familjen tonë, në qendër të luftës së klasave në fshat, shumë më egërsisht se ndaj kulakëve, ish-kulakëve, të burgosurve politikë apo ish të burgosurve politikë të fshatit. Këta hynë në kooperativë sapo iu dha shansi i parë. Dhe ishin më të bindurit ndaj vijës së partisë. Nga vitet 1960-të, Tplani u bë edhe qendër internimi.
Edhe ndaj të internuarve udhëheqja e Tplànit, mbante qëndrim dukshëm më të butë se ndaj familjes sonë. Kam qenë i vogël kur kryetari i kooperativës, bashkë me udhëheqjen, erdhën në oborrin e shtëpisë sonë. Doli babai, dola dhe unë. Kryetari i kërkoi babait të anëtarësohej në kooperativë dhe ia kujtoi se ishte i vetmi që nuk e kishte bërë këtë gjë, në fshatin tonë. Babai kundërshtoi me vendosmëri: “Unë jam një njeri i sëmurë, invalid pa pension, kam shumë fëmijë. Kooperativa nuk mund të na mbajë”! / Memorie.al/






















