Histori të harruara 19 Tetor 2025, 08:11 Nga VNA

Kujtimet e panjohura të ish-ministrit të Hitlerit në Shqipëri: Kur partizanët filluan të keqtrajtonin njerëzit e shtëpisë, Patër Antoni doli nga vendi ku ishte fshehur dhe...

Ndaje në Whatsapp
Kujtimet e panjohura të ish-ministrit të Hitlerit në

Me rastin e përvjetorit të lindjes së At Anton Harapit, studiuesi i historisë dhe  ushtaraku i njohur, gjeneral-major Sandër Lleshi, për herë të parë i jep publikut një grumbull faktesh që hedhin dritë për angazhimin politik të Patër Anton Harapit, në Këshillin e Regjencës. Si reagim ndaj lutjes së famshme për Shqipërinë të Papa Gjon Palit II-të, në një njoftim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të datës 10.10.1980, në orën 09.55, transmetuar në gjuhën angleze thuhet: “Në Shqipëri feja e ka humbur betejën në fushën ideologjike dhe shpirtërore një herë e përgjithmonë. Për këtë arsye lotët e krokodilit janë pritur në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që ka shpresuar monarku i Vatikanit.

Nëse Papët e Romës vazhdojnë të mbrojnë një klerik të dënuar prej gjyqit të popullit tonë, sepse ai ka qenë një agjent apo bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë dhe nazistë, ne do të thoshim së kjo i diskrediton ata edhe me shumë. …!

Pater Anton Harapi e të tjerët si puna e tij, duke ndjekur shembullin e Papa Piu XII-të, i cili u dha bekimin e tij Duçes dhe Hitlerit, e vunë veten e tyre në shërbim të pushtuesve të huaj dhe ata nuk mund të kenë asnjë ndryshim prej të gjithë bashkëpunëtorëve të pushtuesve në Shqipëri”.

PËRFSHIRJA NË JETËN POLITIKE

Vendimi i Patër Anton Harapit për t’u përfshirë politikisht në Këshillin e Regjencës’ në vitin 1944’ pas miratimit nga autoritetet e Kishës Katolike, ‘duket se ka qenë një ndër vendimet më të vështira të jetës së tij. Në përgjithësi gjendja politiko-ushtarake e Shqipërisë’ ishte shumë e komplikuar.

Kapitullimi i Italisë dhe vakuumi shtetëror i krijuar pas saj, numri i konsiderueshëm i trupave italiane të mbetura në Shqipëri pa komandë unike, interesat e ushtrive aleate për marrjen e kontrollit në zonat e pushtuara nga Italia, si dhe interesat gjermane për moslejimin e futjes së trupave aleate në Ballkan, karakterizonin tablonë e përgjithshme.

Kësaj i shtohej edhe prania e një lëvizjeje partizane që sa vinte e rritej, së bashku me rrezikun e anarkisë së brendshme dhe të luftës civile. Edhe Neubacher-i e përshkruan kompleksitetin e kësaj gjendje, në një telegram të datës 12.09. 1944, për Ministrinë e Jashtme të Reich-ut gjerman, ku ndër të tjera shkruan:

“Ngjarjet e muajve të fundit dhe propaganda intensive angleze në Shqipërinë e Vjetër (Shqipëria e sotme, pa Kosovën, shënimi i S.LL.), veçanërisht në kryeqytet tek shumica e popullsisë, kanë krijuar bindjen e humbjes sonë. Iniciativa jonë për krijimin e një Shqipërie të pavarur, u prit me skepticizëm formal, bile dhe juridik.

Ishte e qartë se këta burra, para së gjithash shqetësohen se nga afrimi me Gjermaninë, tash në pragun e fitores së aleatëve, do të rrezikonin sigurinë dhe pronën e tyre, si dhe interesat e vendit. Për këtë ne kemi ndërmarrë hapa për krijimin e një komiteti kombëtar, me një përbërje ndryshe nga ajo që mendonim në fillim”.

Pikërisht në një kohë e situatë të tillë, Patër Anton Harapi merr një vendim jashtë trendit normal të kohës, pra, sublim. Pranon një post zyrtar si anëtar i Këshillit të Regjencës, në një kohë krejtësisht të turbullt dhe në një vend që ishte në buzë të humnerës. Po si ka mundësi?

Duket se ai e kishte parandjerë fatin e tij dhe në fjalimin në Parlament, me rastin e betimit të tij për postin e anëtarit të Këshillit të Naltë të Regjencës, ai u jep një përgjigje të gjithë atyre të “zgjuarve”, që kuptonin rrezikun e situatës, por siç duket edhe përgjigjen për gjykatësit e ardhshëm komunistë, kur deklaronte:

“Qeshë i shtërnguem të zgjedhi njënën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj nji dobësi, tue u largue. Vendova mâ mirë të bâj nji marri: ase – sikurse thonë ata shqiptarë, që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.

Si shumë momente të historisë së Shqipërisë edhe pushtimi i saj prej Gjermanisë, ka nevojë të studiohet në mënyrë komplekse me qëllim që faktet historike të pasqyrohen të zhveshura prej komenteve ideologjike.

Të paktën një gjë është e qartë: Nga studimi i dokumenteve të shumta gjermane të kohës, lidhur me këtë çështje evidentohet përpjekja politike, për ta konsideruar rastin e Shqipërisë disi ndryshe nga shumë vende të tjera të pushtuara, për shkaqe që u trajtuan shumë shkurt në fillim të këtij shkrimi studimor e analitik.

Në kuadër të këtij trajtimi politik specifik, me urdhër të Hitlerit, të datës 03.10.1943, u krijua posti i “Gjeneralit Gjerman të Plotfuqishëm në Shqipëri”. Në përcaktimet për zbatimin e këtij urdhri të të njëjtës datë, thuhej:

“Reich-u gjerman ka njohur Komitetin Kombëtar të sapokrijuar, si qeveri të shtetit të pavarur e mik të Shqipërisë. Me urdhër të Führer-it, krijohet posti i ‘Gjeneralit Gjerman të Plotfuqishëm në Shqipëri’, për të përfaqësuar Wehrmacht-in gjerman, pranë Qeverisë Shqiptare. Krijimi i një administrate ushtarake gjermane në territorin e Shtetit Shqiptar, për pasojë nuk parashikohet”.

Në këtë sfond të përgjithshëm politik, ushtarak e shoqëror të Shqipërisë, kushdo e ka disi më të thjeshtë të kuptojë motivet e vendimit të Patër Anton Harapit, për t‘u angazhuar në strukturën më të lartë të Shtetit Shqiptar.

Në librin e Neubacher-it, sqarohet se skena politike e asaj kohe, u karakterizua nga antagonizmi; Mithat Frashëri –Xhaferr Deva, ose siç thotë Neubacher; “Shqipëri e Vjetër-Shqipëri e Re”, duke mos lënë ndonjë hapësirë të veçantë për ndonjë rol aktiv të karakterit ekzekutiv, për Patër Anton Harapin.

Në thelb në libër duket sikur personi i Patër Anton Harapit, i ka shërbyer Hermann Neubacher kryesisht, për të personifikuar simpatinë e tij për virtytet e larta të popullit shqiptar. Kapitullin e Shqipërisë, nga libri i tij që i kushtohet Ballkanit, Neubacher e ka ruajtur për Patër Harapin:

“I njajti i arratisun më tregoi për fundin e Patër Anton Harapit. Por mue më duhet t‘i shtoj diçka paraprakisht tregimit të tij. Kur filloi tërheqja jonë prej Shqipnijet, un i kërkova Patër Antonit, të largohej menjëherë prej vendit dhe i ofrova për këtë avionin tem. Ai tue më falenderue, më çoi fjalë së Zoti ia kishte caktue vendin, dhe nëse do të ishte vullnesa e Zotit, ai do të duhej me vdekë aty ku e thirrte detyrimi i tij meshtarak.

Burri nga Durrësi më tregoi, se miq të tij e mbanin të fshehun. Komunistët, që e kërkonin atë në të gjitha anët, hynë në shtëpinë që e strehonte. Ata nuk e gjetën. Kur po dilshin prej shtëpie, ata panë një protezë dhambësh në një gotë qelqi dhe kërkuen me dijtë, se kujt i përkiste ajo!

Kur ata filluen me keqtrajtue njerzit e shtëpisë, të cilët kërkojshin me dalë prej situate, Patër Harapi doli nga vendi ku ishte fshehun dhe ju dorëzue ‘gjuetarëve’ të qeverisë. Burri që më besoi këtë histori, më tregoi që ai kishte shkue me një qetësi të kthjellët drejt trekambshit.

Patër Anton Harapi rridhte prej Veriut të Shqipnisë, arsimin e mesëm e kishte marrë në shkollat e fretënve në Merano dhe në Hall të Tirolit. Në Romë ai kishte studiue teologjinë. Para së me i ardhë fundi, ai kishte pa edhe nji herë vendet e rinisë së tij të hershme. Largimi i tij i asaj kohe prej Tirane, ásht për t‘u mbajtun mend”!

Më tej, Neubacher e mbyll kapitullin e tij për Shqipërinë, me ketë episod: “Ishte fundi i qershorit 1944, kur unë i ngopun prej krizës qeveritare, u largova prej Tirane. Për shkak të afërsisë së gjuejtsave anglezë në anën tjetër të kanalit të Otrantos, unë mundesha të udhëtoja vetëm në errësinë.

Avioni kishte fillue me lëvizë në pistën me drita, kur personeli i bordit me ulërima, mundi me ndalun mjetin. – “Çka ásht, kush ásht aty”? “Patër Harapi”! Dhe françeskani i vogël u ngjit në bark të avionit dhe qe tek qëndronte i qeshun në kabinën e vogël të pasagjerëve.

“Unë nuk mundem me e durue má politikën! Do të fluturoj me ju”!

Heinkel-i u lëshue përpara, përdridhej sipër luginava dhe vargamaleve, endej sipër egërsisë mbi shkambijt e së cilës kishte fillue me vezullue e kuqja e parë e diellit që po lindte.

Patër Antoni që ishte ulun përballë meje i mbështjellë në zhgunin e tij, nxuer prej nji çante të fryme, që ishte bagazhi i tij i vetëm, librin e tij të uratëve dhe filloi me u lutun. Për disa ditë ai qe miku jem në Beograd.

Un e shoh ende para meje krijesën e vogël prej asketi, me fytyren kafe si të gdhendun në dru, prej të cilës ngrihej nji hunde gazmore dhe e madhe, tue mbajtun në duer librin e lutjeve dhe tue u endun poshtë e nalt, mes hijeshisë së luleve të kopshtit tem.

Má vonë Patër Antoni udhëtoi për në Vjenë e, ma tej për në Tirol. Pas disa javësh ai u kthye në Shqipni, ku e priste vdekja. Asnji revolucion nuk mundet me e shue kujtimin e një burri të tillë. Drita e amshueme, të cilës ai i shërbeu, e ndriçoftë atë”!

Dhe sigurisht që kështu do të ndodhte. Në një kohë kur shumë prej autoriteteve shtetërore, përfaqësuesve të politikës, të ekonomisë, kulturës së vendit, kërkuan gjithë alternativat e mundshme për t‘u larguar prej Shqipërisë, të cilën e kërcënonte në mënyrë akute rreziku i komunizmit, Patër Anton Harapi sillet prapë së prapë ndryshe, në kundërshtim me trendin e përgjithshëm të të zgjuarve, në kundërshtim me këshillat e arsyeshme, pa përllogaritje për sigurinë.

Ai kthehet në Atdheun e tij, ku në vitin 1946 e pret dënimi i atyre që ai i kishte falur në vitin 1943 dhe që do t‘i falte edhe sot, po të ishte gjallë./ Memorie.al/

 

 

Lexo gjithashtu

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme