Histori të harruara 15 November 2025, 15:59 Nga VNA

E veja e Bajram Currit i shkruan diktatorit, thirrja për drejtësi që nuk u dëgjua kurrë

Ndaje në Whatsapp
E veja e Bajram Currit i shkruan diktatorit, thirrja për drejtësi

Dervishe Curri, e veja e prijësit legjendar të Tropojës dhe një prej figurave qendrore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Bajram Currit, mbeti për dekada një prej zërave më të heshtur të historisë sonë. Fati i saj, i brishtë dhe i mbushur me dhimbje, pasqyron më mirë se çdo tregim tjetër kalvarin e familjeve patriotike të këtij vendi.

Në vitet e rënda të pasluftës, ndërsa Shqipëria po futej me shpejtësi në një regjim të hekurt komunist, Dervishe Curri u gjend përballë një tragjedie të re. Në vitin 1946, dhëndri i saj, Ragip Meta, u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, duke lënë pas gruan dhe dy vajzat e vogla, të cilat ranë plotësisht në ngarkimin e Dervishe Currit. E ve, në moshë të thyer, dhe me një pension të mjerë prej vetëm 2600 lekësh në muaj, ajo u detyrua të përballonte barrën e rëndë të mbijetesës.

Në prill të vitit 1950, e dëshpëruar dhe e lodhur nga vitet e pafund të vuajtjeve, ajo i shkroi një letër të gjatë dhe të ndjerë drejtuesit të regjimit, Enver Hoxhës. Letra, e siguruar nga VNA, është një dokument tronditës i asaj periudhe – një dëshmi e drejtpërdrejtë e dhimbjes së një gruaje të thjeshtë që i drejtohet pushtetit me shpresën e vetme për mëshirë.

Ajo e nis letrën me një mirësjellje të thellë:

“Shoku Enver,

Para ca ditësh kam ardhë tek nana Juaj me qëllim që t’Ju takonja, por nuk pata fatin, mbasi nuk ndodheshi këtu.”

 Dervishe Curri i shpjegon udhëheqësit të shtetit kushtet e saj të rënda të jetesës në Shkodër, të ardhurat e pakta dhe përgjegjësinë që i ka mbetur mbi supe pas burgosjes së dhëndrit. Ajo lutet për një rishikim të çështjes së Ragip Metës, duke shpresuar se mosha e tij, mungesa e fajit dhe besnikëria e familjes ndaj çështjes kombëtare mund të bëheshin arsye për falje.

 Në rreshtat e saj gjen një dhimbje të brendshme por edhe një besim të pashuar tek drejtësia, sado e paarritshme të dukej: “Shoku Enver, vuejtjet e mdhaja sidomos tash në pleqëri dhe besimi që kam se dhandri i Bajram Currit nuk duhet të jetë tradhtar… më detyrojnë të t’Ju drejtohem me lutje…”. 

 Ajo përpiqet të kujtojë se e gjithë familja Curri kishte shërbyer gjithmonë për kombin dhe shtetin shqiptar, dhe se Ragip Meta mund të kishte qenë thjesht viktimë e rrethanave dhe dyshimeve të kohës: “…ambienti i dobët me të cilin ajo punë e ka kompromentue me siguri…”.

 Në fund të letrës, tregon se do të qëndrojë në pritje të një përgjigje me besimin se fjala e një familje patriote si e saja do të dëgjohet. “Do të qendroj deri me datë 25/IV/1950 në pritje të ndonjë përgjigjeje nga ana e Juaj pranë Hivzi Hoptanit rruga e Kavajës nr. 41, në Tiranë”.

Tiranë, 18/IV/1950

DERVISHE CURRI

(E veja e Bajram Currit). 

 

 

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme