
Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.
Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.
U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.
Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët! Jeta te ne është burg”. Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim, i rrethit të Sarandës.
Gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin 309 Laç, në vitet 1964 – ‘67
Në Laç vranë Mark Cufin nga Shkodra, sepse tentoi të arratisej, por e zunë. Ashtu lidhur këmbë e duar e lanë dy ditë e dy net në mes të kampit të zhveshur. Kolonel Hazbi Lamçe me dorën e tij, sipas të thënave, e kishte goditur direkt në zemër, saqë cicka e majtë nga plumbi i qe futur brenda. Vdes në vitet ’80-të në burg Burrel. Në Laç vranë para portës së jashtme ku derdhnin plehrat, në mënyrë misterioze, ndihmës-mjekun Eqerem.
Në Laç u vetëvra Qerim Çaushaj, një djalë azgan nga Dibra, asokohe rreth 25 vjeç. Atë e provokoi nënkomandanti i kampit të punës, Tomori, i cili i tha: “Ç’të bëj, pa unë ta përdredh kokën”. Qerimi ishte në një birucë me Qemal Meron nga Vlora. Qerimi na thotë mua dhe Qemalit: – “Shokë, ma bëni hallall, se juve do u torturojnë. Ju e dini që po vrava një nga këta, këta vrasin 50 si ne, por, unë prapë s’mund ta duroj dot, se më shau nga familja”.
Nxitimthi, del nga biruca, hip në çatinë e birucës, prej andej hip në katin e fjetores e që aty në katin e tretë të fjetores dhe hidhet me kokë poshtë, në postafin e çezmës, aty ku vinte boti që ne të pinim ujë. Për çudi, një kat më poshtë ku u hodh, kishte pëllumba të komandës. Ndaj, Qerimi kaloi mes pëllumbash. Kur ra me kokë në postafin e çezmës, koka ju hap aq shumë, sa i dolën trutë…!
Pas një muaji kur dolëm ne, ende kishte njolla gjaku në postafin e çezmës! Polici më i keq në Laç, qe Xhako Ramadan Mihaj nga Përmeti, i cili i lidhte të burgosurit dhe i rrihte për vdekje në dru. Veç kësaj ai i hidhte nga kati i tretë, poshtë. Kati nga kati qe i ndarë me dërrasa dhe distance mes kateve, nuk qe më shumë se 110 cm. Dikush thyente dorën e, dikush këmbën.
Në Repartin nr.303 Elbasan dhe nr. 323 Fushë Krujë, në vitin 1967
Nga Laçi në Elbasan, që prej ’65-ës e deri në qershor ’67. Këtu, polici më i keq që provokonte shumë të burgosurit, i lidhte, i rrihte në birucë e, që merrte pjesë edhe në pushkatimin e të burgosurve, qe Dushani nga Tepelena. Kujtoj dhe një kriminel tjetër, kapiten Shashon nga Devolli. Një tjetër qe edhe kryetar Dege, gjeneral Nevzat Haznedari, i paskrupullt, i pakrahasueshëm. Ky bënte shumë inskenime që ta bënte kampin kasaphanë. Veproi disa herë, por dështoi.
Nga Elbasani në Fushë-Krujë
Atje provova jo vetëm birucë, hekura, zinxhirë, tubo gome apo bisht kazme, por edhe stekën e bilardos, që e theu në kokën time, komisar Besnik Çomo. Në këtë moment kam qenë me Agron Kalanë. Të dy na varën për shpatulla, buzë telit të rrethimit, nën truprojën e ushtarit. Pasi na lanë tërë natën varur, ditën e nesërme na futën në birucë. Edhe Hyqmet Çamin dhe Ibrahim Buzin nga Mallakastra, mbasi i rrahën paq, i futën në birucë.
Nga Fushë-Kruja në Elbasan
Këtu, u vra Mit’hat Alushi nga Vlora, djalë fare i ri. Jo vetëm që e vranë, mbaj mend qe ora 9.00, po edhe ashtu të vdekur, i binin me shkelma kokës. Para se të na nisnin për në Burrel, një nga një na futin në zyrën e komandës. Aty Nevzat Haznedari, ne që do transferoheshim në Burrel, na binte me grushte dhe shkelma e prej aty, na hidhte në lulishten para zyrës.
Enver Shaqiri – Vlorë
Elez Allçi – Tropojë
Dom Simon Jubani – Shkodër
Abdullah Sollaku – Tiranë
Mehmet Hamza – Vlorë
Vangjel… – Sarandë
Ruzhdi Kraja – Shkodër
Petrit Kruja – Shkodër
Dhori Gërnjoti – Korçë
Pjetër Arbnori – Shkodër
Kujtim Luzi -Vlorë
Në repartin nr.321 Burrel, në vitet 1967-‘69
Mesa më kujtohet, data 7 qershor 1967, na nisin në Burrel. Prezantimi i parë: “Burrel, hyn e s’del”! Kjo ishte parulla e shkruar me bojë të kuqe. Fillonte kontrolli. Ne të burgosurit do të qëndronim larg njëri-tjetrit, jo më shumë se 5-6 metra. Xhahili të vinte dhe të pyeste; pse ke rënë, kush je, etj. Në të njëjtën kohë të pyeste dhe s’guxoje t’i ktheje përgjigje, se të theshte në gjuhën matjane: – “Mshile (mbylle)”! E me gisht të tregonte vendin, se ku duhet të hidhje rrobat që zhvishnim.
Madje, kujtoj mjaft mirë, që policët na kontrollonin edhe teshat e qepura. Edhe pse gjithkujt i vinte zor të hiqte mbathjet, ishim të detyruar që jo vetëm t’i hiqnim, por me një; “hajde ka” të tyre, të nxitnin të dilje, ashtu siç ishim para tij. “Akove ka (rrotullohu kshu) …”! Uleshim me kurriz e, ngrinim këmbët! Këtë situatë e zhvillonin, sepse sipas tyre, mund të fusnim ndonjë gjë në pjesët e parme dhe të mbrapme…!
Tmerr! Ju kërkoj ndjesë për rrëfimin e kësaj situate, por më kuptoni, si jam ndjerë unë që i kam përjetuar…! Ishte një polic, “polic-qeni” Ismail Shaja (s’ja mbaj mend mbiemrin mirë, sepse i theshin Ismaili i qenit, ngaqë rrinte gjithmonë me qenin e komandës), i cili jo si gjithë të tjerët, nuk kishte uniform ushtarake, por kominoshe. Ky, nuk të kërkonte heqjen e të brendshmeve, mbathjeve. Por ç’na bënte? Na fuste gishtin mbrapa…! (Ju kërkoj ndjesë përsëri lexues të nderuar).
Mirëpo, mjaft të burgosur s’e lejonin. Këta që nuk i bindeshin, hiqnin më keq…“të zinjtë e ullirit në birucë”. Plot 30 ditë i linin aty. Shpeshherë, më duhet ta them kishte dhe viktima. Në një rast me këtë të paudhë, e pësova dhe vetë. Ishin dy dru lisi rreth 50-60 cm. të gjata. Nga një anë ishin më të holla, pra nga ana ku kapeshin me dorë, e nga ana tjetër vinin më të trasha. Me këto dru të binin, ndaj shkaktoheshin viktima…! Ky qe dhe rasti kur mbeti i dëmtuar në kolonë dhe sakat përjetë beratasi, Baki Hametllari! Kur përmendem, shikoj këtë xhahil mbi kokë.
– “Më ndote kominoshet o armik i…” -më thotë Ismaili i qenit. –“O xhak (gjak) armiku. Më fëlliqe teshat”! Nuk e mbaj mend reagimin tim, por gjatë kohës që isha shtrirë pashë…sikur kisha hipur në një kalë të bardhë e, mbi samarin e tij jo të zakonshëm, kishte disa dru me formë samari e, unë hipur mbi to. Kali ikte me një shpejtësi të paparë, thuajse sikur fluturonte nëpër një pyll të mbushur me drurë. Degët e drurëve ishin aq të trasha, sa më dukej sikur më thyenin në mes, herë këtu e herë atje. Sikur bërtisja a kërkoja ndihmë nuk e di. Një degë e madhe më tej, më zuri në bark e më ngjeshi mbi dërrasat e samarit. Në atë moment u kapa për degë. Aty e dallova që ishte pemë arre. Përnjëmend, në një dorë kisha bishtin e kapistallit të kalit e, nga dora tjetër shtrëngoja fort degën. Hapet toka, çahet dhe kali bie brenda. Kali hingëllin me të madhe dhe zbret poshtë, aq sa humbet…!
E humbas përsëri. Dëgjoj zëra, kur u përmenda dhe shoh që xhahilin e kapën dy policë me uniformë që po e mbanin, Ramadan Kurti dhe Nezir Leka. E heqin prej meje dhe më fusin në birucë. Përplaset fort dera e birucës. Numrin e qelisë së parë s’e mbaj mend! Nga ana e veriut, të binte dëbora mbi trup, në çdo birucë. Ndërsa në qelinë nr. 7, po nga ana e veriut, në qoftë se hapje sportelin e derës së qelisë, që ishte përballë dritareve të banjave të mesit, kur dera e banjave qe hapur, sado që jashtë të ishte butë, brenda dëbora bëhej sheqer, të shkrihej mbi trup dhe era vërshëllente si goren.
Luga të ngjitej përdore e kishte momente që e harroje nga të ftohtët këtë detaj dhe nisje të kërkoje lugën. E kjo ndodhte vetëm nëse trupi arrinte të shkulej nga çimentot, pas natës që kaloje ashtu i ngjitur me të. Nuk mund të rri pa kujtuar një detaj tjetër: sa herë që trupi mezi arrinte të shkëputej nga çimentoja, kërciste fort! Në birucë, nuk vishnim rrobat tona por ato që na linin ata: në çorape, pantallona dhe një xhaketë beze ose me vija ose ngjyrë m**i. Të brendshme kishim vetëm mbathje të shkurtra dhe një si tip këmishë beze në formë v-je. Me zë thoja: -“O Zot! Ma merr shpirtin”. Në atë moment polic Ali Avaleja, s’kishte kriminel të dytë si ai, hap sportelin dhe më thotë:
– “Ulu, se i rashë telefonit. Të bëfsha Zotin ty. Hë, ku e ke Zotin t’ia bëj nënën, t’ia hedh hekurat”.
– “O Zot, të lutem vepro, ose je xhahil si këta, ose nuk ekziston fare”, – bërtas me të madhe. Po hahesha me veten time, po kërkoja forcën e Zotit, drejtësinë e tij! Mu kujtua Ruzhdi Kraja (Shkodër) dhe Adem Allçi (Tropojë), të cilët para rreth një viti, i kanë futur në birucë nga ana e veriut, i kanë rrahur keq në dru e, kur ishin përmendur, ishin të lidhur këmbë e duar. Plot njëzet ditë ka bërë acar, saqë gjithë të burgosurit ato ditë, mbanin vesh nga qelitë e tjera, nëse të tjerët ishin apo jo gjallë. Ruzhdiun e sjellin në dhomën ku isha unë, aty flinim rreth tridhjetë veta, në një sipërfaqe rreth 48 m2.
Ruzhdiu ishte ënjtur aq shumë, saqë të gjithë po shihnim njëri-tjetrin, pasi e plasën aty. Të gjithë çohemi e i shkojmë afër për ta takuar. Ai fliste vetëm nëpër dhëmbë e rënkonte me të madhe. Kur mu kujtuan këta, nuk e di sesi me erdhi forca (me siguri nga Zoti), e një zë sikur më përgatiste; “mblidh mendjen se në këtë birucë që je ti, ato tortura s’janë gjë fare”…! Për ushqime si gjellë e bukë, ajrosje etj., kanë shkruar plot, shumë bashkë-vuajtës të tjerë, andaj unë s’po zgjatëm më.
Torturat në birucë:
I ndjeri Pjetër Arbnori, bashkë më një dibran tjetër që s’po ja kujtoj dot emrin, Enver Shaqiri nga Vlora, Adem Allçi nga Tropoja, Ruzhdi Kraja nga Shkodra, kishin disa ditë që ishin futur në birucë para meje dhe Lek Bejës nga Vlora. Kishte shumë zhurmë, hapeshin dyert, dëgjoheshin shulat që lëviznin derisa këto zhurma ndërpriten kur hapet dera e qelisë sime. Shoh 3 (tre) policë, njëri me hekura në duar më urdhëron të kthehem mbrapa për të më lidhur duart.
Pasi më lidh duart më marrin e më çojnë në zyrën e “firaunit”, policit të shërbimit, i cili sa herë dilnim në ajrosje çdo ditë (përveç rasteve të birucës) pasdite e paradite, nga 40 minuta e deri në një orë, na kontrollonte se çfarë bënim e me kë flisnim. (Kujtoj që, ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Mehmet Shehut, nuk na kanë nxjerrë në ajrosje, për gati tre muaj). Në zyrën e firaunit, shoh dy persona të tjerë, civilë. Njëri prej tyre më pyet nga isha.
– “Nga Korça” – i them.
– “Qyteti apo fshatrat” – pyet përsëri.
– “Nga fshati Floq” – ia kthej unë.
Sa dëgjoi fjalën Floq, kthehet nga tjetri. Nuk i vura re mirë shenjat mes tyre, pasi nga dimri qamet i qelisë sime, ndodhesha në zyrën e vogël me porin e nxehtë. Trupi, aty filloi të më digjte në një mënyrë të tillë, sa më dukej sikur po më shponin me age gjilpëre në të gjithë trupin. – “Ku e njeh Pjetër Arbnorin ti”? -më pyeti ai tjetri. “Këtu, në Burrel”? – “Jo” i them. “Për herë të parë e kam njohur në Laç”. – “Në ç’vit”? – “Në ’65-ën” – i them unë. – “E di biri i kujt është”? – më pyet. – “Jo, ç’më duhet mua biri i kujt është ai”. – “Bellovodën, ti e ke fqinj me fshatin tënd”? – “Po”- i them unë.
“Bunkerin e nazistëve gjermanë e di”? –“Po” – e di. –“Pse ke kaluar ndonjëherë andej”? –“Jo njëherë, po shumë herë”, i them. – “Pse thua shumë herë? Kujt i thua ti shumë herë”?! – “Se ti po më pyet e, unë po të përgjigjem…”! (Ngremë të dy tonin) – “Po ç’të lidh ty andej, apo ke qenë partizan”? – më thotë me ironi. “Kemi luadhet aty në kodra e, të dy burimet aty janë në luadhin e babait tim. Kemi 6 dynym e 700 metro aty”. – “Mbi bunker në sheshka lart, të kujtohet? Atje, fashistit, të atit të Pjetër maskarait, me këtë dorë (e bëri dorën sikur lëvizi pistoletën) ja kam hedhur nofullën në ajër. Ai duke biseduar me shokun X, unë ja numërova dhe ja hodha nofullën përtokë”. – “Pse ma thua mua këtë”- i them.
– “Mua nuk më intereson kjo.(Shihemi sy ndër sy me njëri –tjetrin). – “Po Kujtim Luzin”? – “E kam shok, ha e pi me të e, gatuajmë bashkë”. – “Hë, domethënë qenka e vërtetë…”! –“Ç’qënka e vërtetë”? – “Po ç’të lidh ty me atë”- më thotë. –“E di ti i biri i kujt është ai”? – “Ç’më duhet mua i kujt është ai…”! (Nisi ta shante Kujtimin në atë moment). –“I ati i tij, ka bërë një libër”…- thotë me inat. – “Unë nuk kam shok të atin. Unë shok kam Kujtimin dhe madje s’e kam shok, po vëlla”. (Heshtje disa minuta) – “Po Ëngjëll Çobajn e njeh”? – “Jo, mua s’më lidh mosha, po kam respekt…”! –“Paske respekt, hë? Mosha s’të lidh, krahina zakonet, s’të lidhin. Ç’të lidh ty me atë? Ai ka bërë shkollën fashiste”.
-Unë s’e di këtë, por di që është njeri me kulturë, i urtë e korrekt” – i them. –“Hëëë, s’e di ti urtësinë e tij. Rri urtë, se ne ja bëjmë kurthin atij dhe bie brenda ti me shokët e tjerë. Po dëgjo këtu, hiq dorë nga këta, se po nuk hoqe dorë, ta dish se pika që pikon pikë-pikë në gur, një ditë do ta shpojë gurin…”! – “S’po të kuptoj” -i them. – “E kupton ti e kupton. (Më bie me çok në kokë) – Kjo kokë një ditë do t’a ndryshojë mendimin, se nuk është kjo kokë më e fortë se guri jo…”! – “Pse do ndryshoj unë sot mendim”?! – “Pse mo, si e ditke ti këtu? Ç’grade kishe në ushtri”? – “Nënoficer” – i them. (Filloi të merrej me Partinë dhe të mallkuarin që kishte në krye).
– “Ne kemi hequr plumbat për ju, kshu që më jep fjalën mua këtu, që do heqësh dorë, përndryshe, ta dish që ato që ke hequr ti deri tani, nuk janë gjë fare, para këtyre që do të heqësh. Na thuaj tani, që nuk të do rrish më me ata”. (Në këtë kohë dëgjohej zëri i altoparlantit në korridorin ku gjendej zyra, i cili po jepte “HEROIZMIN E POPULLIT TONË NË SHEKUJ” (jepej çdo ditë rreth orës 13.00). Unë për mirë apo për djall po e dëgjoja; po dëgjoja si po e torturonin fashistët Hamit Shijakun. Në fund e mbyllte me fjalët që Hamit Shijaku qëndronte i fortë e, nuk thyhej.
-I them: “po këtij s’i kanë rënë pikat në kokë? Po ka ndryshuar mendim ai, ndryshoj e unë”. (Ngrihet i xhindosur, ma këput me grusht, përplasem në mur e, bie në tokë. Nga zhurma që u krijua, ndërhyjnë policët që rrinin jashtë, tek dera e zyrës. Gjendem jashtë zyrës shtrirë e shoh tre policët dhe ata dy policët civilë që ishin brenda). Njëri prej tyre, me dorë mbi gjoks për ta mbajtur, i thotë: – “Shoku Nevzat, lëre mos i bjer më, se ky është kartë e djegur”. Që aty më marrin më çojnë në qeli-birucë. Qëndroj plot tridhjetë ditë aty. Gjatë ditëve në birucë, se hiqja dot nga mendja emrin Nevzat Haznedarit!
Qe ai xhahili që në ’67-ën në Elbasan, na mori një tufë të burgosurish, na rrihte dhe na hidhte në lulishten para zyrës (e kam përmendur e më parë). Pasi përfundoj dënimin në birucë, takohem me shokët të cilët më sigurojnë, se ai qe vërtet Nevzat Hazdedari, e ndërsa ai e mbante që qe gjeneral Zija Kambo, Bitinckë – Devoll. Secili prej shokëve të mi të burgut, po nisnin të tregonin ç’ju kishte hequr xhani nga Nevzati dhe në të njëjtën kohë po tregonin habi, se ç’punë kishte Zija Kambo aty, pasi ai qe i ushtrisë…?!
Torturat më të rënda të bashkëvuajtësve që i kam jetuar.
Ruzhdi Kraja – Shkodër dhe Adem Allçi – Tropojë
Nga të burgosurit e gjallë, në çdo torturë që e kam parë ngushtë veten, në kujtesën time janë ngulitur torturat e Ruzhdi Krajës dhe Adem Allçit. Madje jo vetëm unë, por gjithë të burgosurit e tjerë, aso kohe kemi thënë; “a janë gjallë”! Para se të binin në qeli, Partia ju futi një provokator. Emrin s’ia mbaj mend. Provokatorët qenë të burgosur, të cilët nga rrethanat, të gjithë anëtarët e familjes dhe farefisi persekutoheshin e internoheshin, ku t’u binte shorti, (Lufta famëkeqe e klasave) ku gjendeshin, torturat që u bënin dhe karakteri i tyre i dobët, thyheshin. (Nuk di asnjë rast, që i burgosur politik ta bënte me dëshirë, madje, asnjë logjikë se pranon këtë).
Them thyheshin, sepse këta i udhëzonte në veprime e mendime karshi të burgosurve të tjerë, operativi. Në rastin që po rrëfej qe operativi Esat Lata. Provokatori çdo ditë përpiqej me provokimet e tij, të fuste në grackën e shthurur të Partisë, Ademin dhe Ruzhdiun. Një ditë, pasi e duruan shumë herë, ata e humbasin durimin dhe i thonë:- “O spiun, hiq dorë nga këto poshtërsira! Mos e turpëro familjen”!/ Memorie.al






















