Histori të harruara 6 Dhjetor 2025, 09:40 Nga VNA

Fati tragjik i Rumena Kristiç Toptanit, gruas që kërkoi të jetonte pranë familjes së saj dhe përfundoi e dënuar nga regjimi komunist

Ndaje në Whatsapp

Fati tragjik i Rumena Kristiç Toptanit, gruas që kërkoi të

Historia e Rumena Kristiç, bashkëshortes së inxhinierit Isuf Toptani, është një nga ato faqe të vogla të arkivave që tregojnë me qetësi, por qartësisht, mënyrën sesi regjimi komunist e trajtoi individin: si pronë të shtetit, jo si qenie njerëzore.

Në vitin 1949, një grua e ve, e huaj, me dy vajza të mitura dhe e sëmurë me tuberkuloz, i drejtohej Enver Hoxhës me një kërkesë të thjeshtë: të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Beograd, pranë prindërve të saj.
Asgjë politike, asnjë akuzë, asnjë pretendim. Vetëm e drejta për të jetuar diku ku mund të mbijetonte.

Pas vrasjes së Isuf Toptanit në vitin 1943, e vetmja e ardhur e saj ishin 1800 lekë qiraje. Në pak vite, Rumena u detyrua të shiste mobiljet, teshat, çdo send të vlefshëm që kishte mbetur nga jeta e saj e dikurshme. Varfëria nuk ishte thjesht pasojë e humbjes së bashkëshortit, por edhe rezultati i një sistemi që i zhvendosi prindërit, i konfiskoi pasuritë e shumë familjeve të tilla dhe i la ata që mbetën pas në një gjendje thuajse të pashpjegueshme të braktisjes.

Duke qenë shtetase jugosllave, ajo kërkoi heqjen dorë nga shtetësia shqiptare — të cilën nuk e kishte kërkuar vetë, por e kishte fituar automatikisht me martesë. Procedura ishte ligjore, dokumentet i kishte dorëzuar prej muajsh. Ajo nuk kërkonte asnjë favor, vetëm zbatim të rregullave. Por kërkesa mbeti e refuzuar, me heshtje.

Në Shqipërinë e atyre viteve, të kërkoje të largoheshe ishte mjaftueshëm për t’u konsideruar rrezik. Rumena nuk iku. Nuk e lanë. Dhe katër vjet më vonë, në vitin 1953, regjimi e dënoi. E liruan vetëm gjashtë vjet pas dënimit — një kohë që nuk ia ndryshoi jetën, por e mbylli përfundimisht çdo mundësi për të shpëtuar.

Letra e Rumena Kristiç mbetet dëshmi e një kohe kur dhuna e pushtetit nuk kishte nevojë për britma: mjaftonte një refuzim, një pasaportë që nuk jepej, një dënim i heshtur.

Letra e plotë

Kryeministrit
Gjeneral, kolonel Enver Hoxha

E nënshkrumja Rumena Kristiç bashkëshorte e të ndjerit Ing. Isuf Toptani, shtëpiake, banuese në Tiranë, parashtroj lutjen që vijon:

Tue qenë shtetase Jugoslave e lindune në Beograd, kam pas celebrue, shumë vjet përpara, martesë me Ing. Isuf Toptani , tue n’a lindun nga kjo martesë dhe dy vajza njana me emrin Fani vjeçe 14 dhe tjetra Ermina vjeçe 12.

Deri sa ishte gjallë burri jetojshim mirë, por mbas vrasjes së burrit nga ana e Italianëve në vitin 1943 ,gjendja ime ekonomike u vështirësue pse mbeta, veti i treti me lekë 1800 t’ardhuna nga qira shtëpije.

Kështu u detyrova prej vdekjes së burrit të shes të gjitha teshat dhe mobiljet dhe çdo send që kisha të vlefshme, për të mundun me jetue së bashku me dy femijë të mitun dhe vet që jam dhe e prekun nga T.B.C.

Por kuptoj se tue qenë në gjendje ekonomike të keqe dhe e prekun nga sëmundja, nuk kam mundësi të jetoj këtu, por mund të jetoj pranë prindërve t’mijë që gjinden në Beograd.

Për këto shkaqe, shumë muej përpara, pata drejtue lutje Seksionit Punëve të Brendshme të Qytetit, tue paraqitë dhe të gjitha dokumentat gë kërkon ligja dhe rregullorja mbi shtetësinë, për të ba veprimet e duhuna pranë ministrisë së Punëve të Brendshme për të hequr dorë nga shtetësia Shqiptare, së bashku me fëmijët dhe me rimarrë shtetësinë Jugosllave. Shtojnde shtetësinë shqiptare e kam fitue ipse Jure dhe jo pse e kisha kërkue vetë.

Por, megjithëse nën këto kushte të këqija dhe ekonomike dhe shëndetësore dhe pa burime jetese në t’ardhmen, duket se lutja ime nuk asht pranue dhe kështu rrezikoj të vuaj dhe ma tepër në t’ardhmen .
Tue qenë se jam nënshtetase Jugoslave e martue me Shqiptar, dhe mbasi burri ka ma shumë se 6 vjet që ka vdekun, dëshiroj të heqë dorë nga nënshtetësia Shiptare për të shkue së bashku ma vajzat e mituna pranë prindërve të mij në Beograd.

Prandai ju Lutem nxehtësisht, n’emën dhe të dy vajzave të mituna, të keni mirësine dhe të dispononi çdo veprim ligjor që të nisni që të heq dorë nga nënshtetësia Shiptare dhe kështu mandej të më vizohet pasaporta për t’u nisun me mjetin ma të parë pranë prindërve të mij n’ Jugosilavi.

Me nderime
Rumena Kristiç, bashkëshorte e të ndjerit Isuf Toptani
Tiranë, më 8/10/1949

Fati tragjik i Rumena Kristiç Toptanit, gruas që kërkoi të

Video

Greqia prej disa ditësh po përballet me një situatë të rënduar atmosferike, e shoqëruar me stuhi dhe reshje të dendura shiu, që kanë shkaktuar përmbytje të gjera në disa zona të vendit. Për shkak të nivelit të lartë të ujërave, qindra banorë janë detyruar të evakuohen, ndërsa shumë banesa dhe biznese ndodhen nën ujë. Situata është më problematike në Farsalë, ku lumi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar zonat e banuara, çka ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë.

Rama është modest. Ai është “bujari” i vërtetë. Se i ka dhënë tokën e pronarëve Arbër Hajdarit për 1 euro

Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u prit me entuziazëm nga qytetarët kinezë. Një moment që tërhoqi vëmendjen e mediave dhe të publikut ishte kur Macron vrapoi për t’i përshëndetur ata personalisht, duke treguar afërsinë dhe respektin ndaj njerëzve që e pritën. Ky episod simbolik thekson lidhjet gjithnjë e më të forta mes Francës dhe Kinës, si dhe përpjekjet e të dyja vendeve për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe politik.

Ceremonia e shortit të Kampionatit Botëror përfundoi me një moment të pazakontë, ku presidenti amerikan Donald Trump u pa duke vallëzuar këngën ikonike YMCA, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe të pjesëmarrësve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme