Pep Guardiola ka reaguar pas vendimit të komisionit të pavarur të Premierligës ndaj Manchester Cityt, duke i dërguar një mesazh të fortë mbështetjeje klubit, drejtuesve, lojtarëve dhe tifozëve.
Ish-trajneri i “Citizens”, i cili u largua nga detyra në fund të sezonit të kaluar pas një dekade në krye të skuadrës, ka bërë të qartë se vazhdon të jetë pranë klubit edhe pas zhvillimeve të fundit. Guardiola publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku theksoi besnikërinë e tij ndaj Manchester Cityt dhe njerëzve që e përfaqësojnë.
“Dua që çdo tifoz i Manchester Cityt në mbarë botën ta dijë se jam këtu, tani më shumë se kurrë. Jam, kam qenë gjithmonë dhe do të jem gjithmonë në krah të skuadrës sime, pronarit tim, presidentit tim, Ferranit, lojtarëve, stafit, Enzos dhe ju, tifozëve tanë unikë. Dua të jem i qartë, do ta kalojmë të gjithë këtë së bashku. Ju dua!”, shkroi Guardiola.
Reagimi i spanjollit erdhi më pak se 24 orë pas publikimit të vendimit të komisionit të pavarur, i cili e shpalli Manchester Cityn fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare të Premierligës gjatë periudhës 2009/2010–2017/2018. Komisioni konstatoi, ndër të tjera, përdorimin e kontratave të rreme komerciale dhe shkelje të detyrimeve për bashkëpunim me hetimin.
Manchester City e ka kundërshtuar vendimin dhe ka deklaruar se e konsideron veten të pafajshëm ndaj akuzave. Klubi ka njoftuar gjithashtu se do ta apelojë vendimin, duke argumentuar se ai përmban gabime të dukshme ligjore, parimore dhe faktike. Afati për paraqitjen e apelimit është 2 tetori.






















