
Një nga figurat më të njohura të artit të shekullit XX është rikthyer në qendër të vëmendjes në Londër. Tate Modern i ka kushtuar Frida Kahlo një ekspozitë që përpiqet të tregojë jo vetëm piktoren, por edhe gruan pas imazhit që sot është kthyer në një fenomen të kulturës pop.
Ekspozita bashkon rreth 30 vepra, por ajo që e bën veçanërisht interesante është prania e objekteve personale të artistes. Mes tyre janë veshje tradicionale meksikane dhe një nga korset mjekësore që Kahlo mbante për shkak të problemeve të rënda shëndetësore dhe që ajo e kishte shndërruar vetë në një objekt arti duke e pikturuar.
Jeta e Kahlo-s u shënua nga dhimbja fizike. Në moshën 18-vjeçare ajo pësoi një aksident të rëndë me autobus, që i shkaktoi dëmtime të shumta dhe e detyroi t’u nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë gjithë jetës. Pikërisht periudhat e gjata të izolimit dhe rikuperimit ndikuan thellësisht edhe në artin e saj.

Autoportretet, marrëdhënia me trupin, identiteti, dashuria dhe dhimbja u kthyen në elemente qendrore të krijimtarisë së saj.
Por ekspozita londineze ngre edhe një pyetje tjetër: si u shndërrua Frida Kahlo, dekada pas vdekjes, në një markë globale? Sot fytyra e saj gjendet në bluza, çanta, filxhanë, postera dhe qindra produkte të tjera.
Në këtë mënyrë, ekspozita nuk tregon vetëm historinë e një artisteje, por edhe mënyrën se si një grua që e përdori artin për të treguar dhimbjen e saj u kthye në një nga imazhet më të njohura të kulturës moderne.























