Lifestyle 28 August 2026, 13:09 Nga VNA

Pse është pothuajse e pamundur të krijohet një “Friends” për brezin Z

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-08-28 at 1.05.58 PM.jpeg

Asnjë serial komik nuk e ka përkufizuar epokën e vet si “Friends”. Seriali për gjashtë miq njëzet e ca vjeç që jetonin në Manhattan u shndërrua në portretin televiziv të brezit X dhe, tri dekada më vonë, vazhdon të ketë një popullaritet që Hollywood-i po përpiqet më kot ta përsërisë.

Nga viti 1994 deri në vitin 2004, audienca mesatare e “Friends” nuk ra asnjëherë nën 20 milionë shikues për sezon. Episodi i fundit u ndoq nga rreth 52.5 milionë amerikanë, duke u bërë episodi televiziv më i shikuar i viteve 2000 në SHBA.

Por ndikimi i tij shkoi shumë përtej audiencës. “Friends” prodhoi modë, modele flokësh, batuta që hynë në gjuhën e përditshme dhe personazhe që publiku i trajtoi pothuajse si njerëz të njohur. Edhe sot seriali mbetet ndër të preferuarit e brezit Z, përkrah prodhimeve të krijuara posaçërisht për këtë brez.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja: pse brezi Z vazhdon të shohë “Friends”, ndërsa industria televizive nuk arrin t’i krijojë atij një “Friends” të vetin?

Përpjekjet nuk kanë munguar. “Not Suitable For Work”, “Adults”, “The Sex Lives of College Girls” dhe “I Love LA” kanë marrë, në forma të ndryshme, formulën klasike: të rinj, miqësi, punë, seks, dashuri dhe kaosin e hyrjes në jetën e të rriturve.

Por asnjëri nuk është kthyer në fenomen. “Not Suitable For Work” u anulua pas një pritjeje të vakët, ndërsa “The Sex Lives of College Girls” përfundoi pas tri sezonesh. “Adults” dhe “I Love LA” kanë siguruar sezonin e dytë, por janë ende shumë larg peshës kulturore që pati “Friends”.

Arsyet tregojnë se problemi mund të mos jetë te serialet, por te një botë që ka ndryshuar rrënjësisht.

Televizioni nuk e ka më publikun vetëm për vete

Kur “Friends” nisi në vitin 1994, telefoni nuk konkurronte me televizorin për çdo sekondë të vëmendjes. Sot një serial komik duhet të përballet jo vetëm me qindra seriale të tjera, por me YouTube, TikTok, Instagram dhe një rrjedhë të pafund përmbajtjesh të personalizuara.

Sipas “Activate 2026 Media Outlook Report”, 43% e brezit Z preferon YouTube ose platformat sociale të videove, kundrejt 37% që zgjedhin platformat streaming dhe vetëm 12% televizionin tradicional.

Ka edhe një ndryshim tjetër të madh. Serialet komike tradicionale kishin zakonisht mbi 20 episode në sezon, pjesërisht sepse kjo u mundësonte televizioneve t’i ritransmetonin më vonë çdo ditë. Prodhimet e sotme kanë zakonisht vetëm tetë deri në dhjetë episode. Kjo do të thotë se ka shumë më pak kohë që personazhet thjesht të qëndrojnë së bashku dhe, mbi të gjitha, shumë më pak kohë që publiku të lidhet me ta.

“Friends” kishte luksin të ndërtonte marrëdhënien mes personazheve dhe shikuesit ngadalë. Serialet e sotme duhet ta tregojnë historinë shumë më shpejt.

Brezi Z shkruhet nga njerëz që nuk i përkasin brezit Z

Një problem tjetër është më i thjeshtë: shumica e serialeve për brezin Z vazhdojnë të shkruhen nga millennials ose autorë edhe më të mëdhenj në moshë.

Gazetari i industrisë së argëtimit Max Gao vëren se ende nuk ka shumë skenaristë të brezit Z që kanë arritur të depërtojnë në televizion. Derisa më shumë prej tyre të kenë mundësinë të tregojnë historitë e veta, është e vështirë të kapet me autenticitet se çfarë do të thotë të jesh i ri në klimën e sotme sociale dhe politike.

Edhe “Friends” u shkrua nga njerëz që i përkisnin një brezi më të madh se personazhet e tij. Por kultura e të rinjve sot ndryshon me një shpejtësi krejt tjetër. Një shprehje që duket aktuale gjatë shkrimit të skenarit mund të tingëllojë e vjetruar kur seriali transmetohet.

Përpjekjet për të futur me çdo kusht zhargonin e brezit Z shpesh prodhojnë efektin e kundërt. Në vend që personazhet të tingëllojnë autentikë, krijohet përshtypja e të rriturve që përpiqen të imitojnë mënyrën se si mendojnë se flasin 20-vjeçarët.

Jeta e brezit Z nuk është aq e lehtë për t’u kthyer në komedi

Serialet komike shihen shpesh si një formë rehatie dhe “Friends” e përmbushi në mënyrë perfekte këtë funksion. Problemet ekzistonin, por bota rreth Rachel, Ross, Monica, Chandler, Joey dhe Phoebe mbetej optimiste.

Brezi Z ka hyrë në jetën e të rriturve në kushte shumë të ndryshme: pas një pandemie, me pasiguri ekonomike, treg pune më të vështirë, polarizim politik dhe tani me Inteligjencën Artificiale që po prek pikërisht vendet e punës nga ku të rinjtë duhet të fillojnë karrierën.

Në SHBA, brezi Z po përballet me shkallën më të lartë të papunësisë mes grupmoshave, ndërsa mundësitë për punë të nivelit fillestar po ngushtohen.

Kjo krijon një problem të vërtetë për komedinë. Nëse një serial e tregon me realizëm këtë botë, rrezikon të bëhet shumë i zymtë. Nëse e injoron, duket i rremë.

“Not Suitable For Work” u përpoq ta prekte këtë ankth në një episod ku një aktor i ri zbulon se audicioni që mendonte se mund t’i ndryshonte karrierën ishte në të vërtetë për një projekt të Inteligjencës Artificiale që regjistronte lëvizjet e tij. Por në pjesën tjetër të serialit realiteti ekonomik i personazheve dukej shpesh i shkëputur nga ai i të rinjve të sotëm.

Edhe apartamentet e bukura të Manhattan-it, që te “Friends” dukeshin si një fantazi e këndshme, sot mund të tingëllojnë absurde për një brez që përballet me krizën e strehimit. “Adults” e trajton këtë më me realizëm: pesë miqtë e tij ngjeshen në shtëpinë me tri dhoma të fëmijërisë së njërit prej tyre.

Është shumë më e vështirë të përfaqësosh një brez të tërë

Brezi Z amerikan është më i larmishëm nga pikëpamja racore dhe etnike se çdo brez para tij. Është gjithashtu më kompleks në mënyrën se si e koncepton identitetin, seksualitetin dhe përkatësinë sociale.

“Friends” mund të ndërtonte gjashtë personazhe brenda një rrethi social kryesisht të bardhë dhe heteroseksual dhe televizioni i viteve ’90 ta paraqiste këtë si diçka universale.

Sot kjo është shumë më e vështirë.

Një serial komik që përpiqet të përfaqësojë gjithë diversitetin e brezit Z rrezikon të humbasë fokusin. Një serial që e shmang atë rrezikon të mos përfaqësojë brezin për të cilin pretendon se flet.

“The Sex Lives of College Girls” u përpoq t’i trajtonte dallimet racore, etnike dhe të identitetit seksual pothuajse si çështje pa rëndësi, ndërsa “Adults” zgjedh të ndërtojë personazhe me identitete dhe përvoja shumë të ndryshme. Kjo e bën më përfaqësues, por njëkohësisht më të vështirë për t’u përmbledhur në një formulë të vetme.

Dhe pastaj është interneti

Ndoshta ky është ndryshimi më i madh.

Personazhet e “Friends” jetonin pothuajse tërësisht në botën fizike. Takoheshin në Central Perk, hynin në apartamentet e njëri-tjetrit, flisnin, ziheshin, dashuroheshin dhe ndaheshin ballë për ballë.

Jeta e një 20-vjeçari sot ndahet mes dy realiteteve: atij fizik dhe atij online.

Telefonat, aplikacionet e takimeve, mesazhet, TikTok-u, Instagram-i dhe mënyra se si ndërtohet identiteti online janë pjesë e marrëdhënieve njerëzore. Por televizioni ende nuk ka gjetur një mënyrë elegante për ta treguar këtë.

Të mbushësh ekranin me mesazhe bëhet shpejt e lodhshme. T’i injorosh telefonat është jorealiste.

“I Love LA”, i vendosur mes influencerëve të Los Angelesit, është ndoshta përpjekja më e drejtpërdrejtë për ta futur këtë jetë digjitale në qendër të historisë. Seriali kupton mirë edhe presionin e performancës së vazhdueshme online: nëse ndalon qoftë edhe për një çast, rrezikon të “zhdukesh”.

Por edhe këtu mbetet e vështirë të tregohet në ekran jeta e dyfishtë e brezit Z, ajo që zhvillohet njëkohësisht në botën reale dhe në atë digjitale.

Ndoshta nuk do të ketë më kurrë një “Friends”

Nga serialet e reja komike, “Adults” duket deri tani kandidati më bindës: ka personazhe të afërt me realitetin e brezit Z dhe arrin të ruajë humorin pa u shkëputur plotësisht nga problemet e tij. Por edhe ai mbetet larg statusit të një fenomeni kulturor masiv.

Dhe ndoshta kërkimi për “Friends-in e brezit Z” nis nga një premisë e gabuar.

“Friends” nuk ishte vetëm gjashtë personazhe të mirë dhe një kafene. Ai u krijua në një kohë kur dhjetëra milionë njerëz shikonin të njëjtën gjë, në të njëjtën mbrëmje dhe në të njëjtin ekran.

Brezi Z jeton në një univers të copëzuar në platforma, algoritme dhe komunitete të panumërta online. Televizioni mund të krijojë ende një serial komik shumë të mirë për të. Ajo që mund të mos jetë më në gjendje të krijojë është një serial që një brez i tërë ta përjetojë njëkohësisht.

Dhe ky mund të jetë ndryshimi më i madh nga koha e “Friends”: nuk mungon domosdoshmërisht seriali i ri. Mund të ketë humbur vetë mënyra se si dikur lindnin fenomenet televizive.

Video

Një 68-vjeçar është arrestuar në Kanada, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin Kishës Katolike St. Simon. Zjarri përfshiu me shpejtësi ndërtesën, ndërsa pamjet e filmuara nga vendngjarja tregojnë kishën të mbuluar nga flakët dhe tymi. Si pasojë e zjarrit, kulla e kishës u shemb.

Forcat amerikane kanë fundosur në Paqësorin Lindor një anije të dyshuar se përdorej si pikë lundruese furnizimi për trafikantët detarë të drogës. Marinsa dhe marinarë nga anija USS “San Antonio” hipën në bordin e mjetit lundrues dhe morën kontrollin pa incidente. Personat që ndodheshin në bord iu dorëzuan më pas autoriteteve të Ekuadorit, ndërsa anija u fundos nga forcat amerikane. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, anija dyshohet se mbështeste organizatën kriminale ekuadoriane “Los Choneros” në operacionet e trafikut të paligjshëm të drogës.

Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi raportohet se kanë mbetur të plagosur 5 persona, pjesëtarë të së njëjtës familje. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup.

Tensionet mes emigrantëve dhe banorëve lokalë janë përshkallëzuar në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, pranë kufirit me Marokun. Banorë të zonës kanë ndërhyrë në një kamp të improvizuar emigrantësh në plazh, duke shembur tendat dhe duke djegur sende që ndodheshin aty. Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar pas fluksit të madh të emigrantëve që kanë kaluar nga Maroku drejt territorit spanjoll. Sipas të dhënave të raportuara, rreth 72 mijë persona kanë kaluar kufirin, megjithëse pjesa më e madhe janë kthyer më pas.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme