Njerëzit që vazhdimisht shfaqin personalitete grabitqare shkaktojnë jashtëzakonisht shumë dhimbje. Kohët e fundit, kuptimi ynë i përbashkët për ta është zgjeruar – dhe kjo mund të na ndihmojë të mbrohemi.
Zoe Williams
Lista klasike e kritereve që përcaktojnë psikopatinë u zhvillua në vitin 1980 nga profesori Robert Hare, i cili ende konsiderohet autoriteti kryesor në këtë fushë. 20 tiparet, që përfshijnë nga gënjeshtrat patologjike deri te mungesa e empatisë, u bazuan tërësisht në studimin e popullatave të të burgosurve. Kjo mënyrë studimi ishte e mundur, sepse Hare kishte në dispozicion një numër të madh personash me sjellje të theksuara psikopatike, por edhe sepse mund të krahasonte intervistat dhe deklarimet e vetë individëve me të dhënat e mbledhura për ta, duke bërë të mundur identifikimin e mospërputhjeve.
Megjithatë, Hare e dinte se kjo metodë kishte edhe kufizime. Në vitin 1976, ai tha se thjesht nuk e dinte deri në çfarë mase rezultatet e tij mund të përgjithësoheshin për psikopatët që nuk ishin të burgosur, përfshirë gratë. “Studimi mbi tipin psikopat por që është i suksesshëm në aspektin social është shumë i nevojshëm”, përfundoi ai. Edhe dekada më vonë, në fillim të viteve 2000, kur Hare donte të studionte psikopatët në politikë, ai përsëri duhej të shkonte në burgje për t’i gjetur ata, dhe këta ishin njerëzit e afërt me Pinoçetin në burgjet e Kilit.
Studimi i psikopatëve me aftësi të mëdha funksionimi në shoqëri, të cilët nuk kapen ose ndoshta as nuk kryejnë krime, ka rezultuar jashtëzakonisht i vështirë, ndër të tjera edhe sepse pyetësorët ku njerëzit raportojnë vetë për sjelljen e tyre nuk funksionojnë. Psikopatët gënjejnë; ndoshta kjo është karakteristika e tyre kryesore.
Edhe Dr. Karen Mitçell u përfshi në studimin e psikopatëve me aftësi të mëdha funksionimi në shoqëri, megjithëse ajo nuk i përkiste fushës së psikologjisë forenzike, por vinte nga fusha e studimeve të biznesit. Deri në fund të viteve 2010, ajo kishte punuar për 30 vjet si konsulente për ndryshime në shkallë të gjerë në kulturën e korporatave. Puna e saj zakonisht lidhej me organizata në krizë: “Mund të ishte përshtatja me tregun ose vdekje apo vetëvrasje në kompani”, më thotë ajo nga shtëpia e saj në Australi. Duke vëzhguar numrin e madh të problemeve në vendin e punës që buronin nga individë të caktuar me tipare grabitqare, ajo filloi të studionte të njëjtat sjellje të “personalitetit të errët” edhe në fusha të tjera, si “abuzimi seksual i fëmijëve në institucione fetare, kontrolli shtrëngues në trafikimin e qenieve njerëzore, dhuna në familje dhe terrorizmi. Kur shikon gjithë njohuritë që kemi në botë për njerëzit me natyrë grabitqare, ka kaq shumë fusha dhe asnjëra prej tyre nuk lidhet me tjetrën,” thotë ajo.
Kjo ka rëndësi sepse personalitetet grabitqare shkaktojnë dëme astronomike. Për arsye që kanë nevojë të diskutohen, ne jemi të dobët në identifikimin e tyre në marrëdhëniet personale, por jemi gjithashtu të dobët edhe në dallimin e modeleve kur i shohim këto raste në tërësi, kryesisht sepse disiplina të ndryshme përdorin kaq shumë emra të ndryshëm për këta njerëz.
Mitçell rendit disa prej tyre: “Narcisist malinj, trekëndëshi i errët, psikopat, kontrollues shtrëngues, psikopat primar, narcisist grandioz, psikopat i korporatave, makiavelist, katërkëndëshi i errët, narcisist i fshehtë, lider toksik.” Ajo argumenton se të gjitha këto janë tipare që bëjnë pjesë në të njëjtin fenomen: Personaliteti i Errët, ose Personaliteti i Përhershëm Grabitqar.
Për punimin e doktoraturës, publikuar në vitin 2024, Mitçelli intervistoi njerëz që kishin pasur kontakte profesionale me persona me personalitete të përhershme grabitqare. Disa prej tyre ishin profesionistë të fushës klinike, por të tjerë vinin nga fusha të tilla si burimet njerëzore, puna sociale, gjykatat familjare, FBI-ja dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, drejtues fetarë dhe akademikë nga fusha të ndryshme. Metoda e saj ishte joortodokse, pasi ishte cilësore dhe jo sasiore. Disa nga përfundimet e saj bien drejtpërdrejt ndesh me përkufizimet klinike të psikopatisë, të cilat i kushtojnë shumë rëndësi impulsivitetit.
Mitçell thotë se kjo ndodh sepse përkufizime të tjera, si ai i Hare, janë nxjerrë nga studimi i popullatave të burgjeve, që përfaqësojnë skajin me aftësitë më të ulëta të funksionimit në shoqëri. “Njerëzit përpiqen t’i aplikojnë gjetjet e Hare në fushat e vendeve të punës dhe të dhunës në familje, por nuk mund të marrësh diçka kaq të përgjithshme, të formuar duke studiuar shkelësit kriminalë, dhe ta aplikosh mbi sjellje të sofistikuara të tipit CEO.”
Intervistat e Mitçell janë të jashtëzakonshme. Njerëz nga fusha shumë të ndryshme thonë gjëra frikshëm të ngjashme. Një nga pyetjet ishte nëse personi i intervistuar kishte pasur ndonjëherë frikë nga një personalitet i përhershëm grabitqar. Duhet mbajtur parasysh se këta nuk ishin viktima, por profesionistë me shumë përvojë. Përgjigjet ishin: “Vazhdimisht shqetësohem se ai do të shkatërrojë karrierën time” (nga një punonjës i burimeve njerëzore); “Kam frikë se ata do të … duan të hakmerren” (nga një punonjës social); “Jam pothuajse i sigurt se nuk ka asgjë që ky njeri nuk do ta bënte për të më shkatërruar” (nga një ekspert i sektorit të bamirësisë).
Këto pohime, dhe pothuajse çdo pohim tjetër i marrë nga intervistat, janë aq ekstreme saqë vështirë se mund t’i thuash në një bisedë normale shoqërore, sepse do të dukej sikur po e tepron ose je i çmendur. Disa nga dëshmitë e intervistuara trajtojnë pikërisht këtë problem:
“Njerëzit nuk e kuptojnë. Njerëzit që nuk punojnë në fushat tona … shpesh nuk dëgjojnë ose shohin llojin e së keqes që u shkaktohet të tjerëve dhe thjesht nuk mund ta besojnë. Ndërsa, fatkeqësisht, në punën time kjo është diçka e zakonshme.” (nga një ekspert prakticien i fushës së forenzikës).
Nga ky studim, i cili zgjati pesë vjet, Mitçell krijoi një model me 20 karakteristika, të ndara në katër grupe, dhe 25 taktika që mund të identifikojnë një personalitet të përhershëm grabitqar me aftësi të larta funksionimi në shoqëri.
Grupi i parë i tipareve përfshin: nevojën për kontroll; një ndjenjë madhështore për veten; reagim të brendshëm patologjik ndaj sfidave; hakmarrje; refuzim për të bërë kompromis.
Grupi i dytë i tipareve përfshin: sjellje grabitqare ose shfrytëzuese; sadizëm dhe mizori; pa respekt për ligjet, marrëveshjet dhe kodet shoqërore e morale; mungesë kufijsh në marrëdhëniet seksuale; pritshmëri të paarsyeshme ndaj të tjerëve.
Grupi i tretë i tipareve lidhet me të vërtetën. Personalitetet e errëta krijojnë një fasadë normaliteti; përshtaten si kameleonë; janë të pandershëm; janë dinakë dhe manipulues; nuk pranojnë përgjegjësi për pasojat negative që shkaktojnë.
Grupi i katërt i tipareve lidhet me jetën e tyre të brendshme: emocionet e tyre janë të luajtura, jo të përjetuara realisht; nuk përjetojnë lidhjen emocionale dhe gëzimin që vjen prej saj; janë të pandjeshëm dhe pa empati; nuk ndiejnë pendesë; janë të fokusuar te interesi personal; janë të pacipë.
Esi Viding, profesoreshë e psikopatologjisë së zhvillimit në University College London, është një figurë kryesore në fushën tradicionale të kërkimit mbi psikopatinë, bashkëdrejtuese e Njësisë së Qëndrueshmërisë dhe Rrezikut të Zhvillimit, si dhe në shumë aspekte konsiderohet si trashëgimtarja e natyrshme e Hare. Ajo thotë: “Shpesh i mendoj këta individë si njerëz që kanë vetëm një anëtar në grupin e tyre; vetveten. Në psikologjinë sociale flasim për njerëzit për të cilët kujdesemi dhe shumica prej nesh, meqenëse jemi kafshë që jetojmë në grupe, bashkëpunojmë dhe bëjmë veprime altruiste, sillemi në mënyra të tilla që gjatë evolucionit kanë forcuar mbijetesën tonë. Por gjatë gjithë historisë njerëzore kanë ekzistuar njerëz që shfrytëzojnë altruizmin e të tjerëve dhe që, kur situata bëhet e vështirë, kujdesen vetëm për veten.”
Viding përqendrohet te tiparet që e bëjnë shoqërinë jashtëzakonisht të dobët në mbrojtjen ndaj sjelljes grabitqare. Të gjithë e dimë se njerëzit gënjejnë, por instinktivisht mendojmë se mund ta kuptojmë kur dikush po na gënjen. “Këta individë pothuajse e bllokojnë aftësinë tonë për të dalluar sinjalet e rrezikut, derisa është tepër vonë”, thotë Viding. “Shumica prej nesh, kur kapemi duke gënjyer, ndihemi shumë në siklet. Nuk është mirë të kapesh në gënjeshtër; shqetësohemi për reputacionin tonë dhe ndihemi të turpëruar. Por këta individë nuk turpërohen kur kapen duke gënjyer. Kjo nuk është testuar në mënyrë strikte, por mund të supozohet se ata i bindin njerëzit më lehtë pikërisht sepse shfaqin vetëbesim ekstrem dhe nuk duken nervozë.”
Ajo përmend një studim të vitit 2019 që zhvilloi idenë se sjellje që normalisht nuk shkojnë bashkë, për shembull, vetëbesim absolut dhe gënjeshtër totale, mund të shfaqen së bashku te personalitetet e errëta. Kjo, thotë Viding, është arsyeja pse këta njerëz “mund të shkaktojnë shumë dëme përpara se dikush t’i kapë”.
Kjo shkakton shumë më tepër dëme të mëdha jashtë burgjeve sesa brenda tyre. Edhe pse Mitçell thotë se qëndron larg politikës, taktikat e saj, kur i sheh të mbledhura së bashku, janë jashtëzakonisht të dukshme edhe në skenën botërore. Ideja e një “patokracie”, një demokraci e njerëzve normalë që merret nën kontroll nga psikopatët, u formulua nga psikologu i panjohur polak Andzhej Lobaçevski, i cili kishte jetuar si në periudhën e nazistëve, ashtu edhe në periudhën e komunistëve të epokës sovjetike.
Ideja e tij gjeti jehonë, sepse, sipas redaktorit dhe blogerit Harrison Koeli, “botuesit e psikologjisë mendonin se ishte tepër politike, ndërsa botuesit politikë mendonin se ishte tepër psikologjike”. Sot është pothuajse tabu në psikiatri dhe psikologji që t’u atribuohen çrregullime personaliteti figurave publike. Një nga problemet është se dikush mund të shikojë kundërshtarët e vet politikë dhe të thotë: “Mirë, të gjithë ata janë psikopatë.”
Ekziston gjithashtu Rregulli Goldwater, një parim etik në psikiatri që përcakton se profesionistët nuk duhet të diagnostikojnë figura publike me të cilat nuk kanë pasur kontakt klinik ose që nuk i kanë takuar personalisht. Ky parim u vendos pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 1964, kur 1,189 psikiatër deklaruan se Berri Golduotër nuk ishte i përshtatshëm për të qenë president.
Megjithatë, Viding mendon se obsesioni për të vendosur një diagnozë mund të jetë i parëndësishëm në këtë rast. “Gjithmonë më duket interesante kjo mani për t’i diagnostikuar këta njerëz. Nuk ke nevojë t’i diagnostikosh. Ekziston një grup tiparesh të personalitetit dhe mund të identifikosh individë që i kanë këto tipare. Nëse dikush është në pushtet politik, mund t’i shohësh ato të shfaqen në sjelljen e tij dhe shumica e njerëzve janë plotësisht të aftë të vlerësojnë se çfarë nënkuptojnë ato.”
Gënjeshtrën e pacipë në jetën publike Lobaçevski e konsideronte një taktikë dhe e quante “taktika e përmbysjes” (taktika e kthimit të situatës në të kundërtën e saj). Koeli e shpjegon kështu: kur tregon një gënjeshtër në mënyrë bindëse dhe ajo është aq absurde, reagimi automatik i shumicës së njerëzve është se nuk arrijnë ta kuptojnë se si mund të thuhet një gënjeshtër kaq e madhe. Prandaj përpiqen të gjejnë një “mesatare të artë” midis deklaratës dhe realitetit. Por, sipas Lobaçevskit, pikërisht ky është qëllimi i gënjeshtrës së madhe: të krijojë konfuzion.
Ndikimi mbi popullsinë që drejtohet nga një personalitet i errët është i madh. Disa përpiqen të gjejnë “mesataren e artë”; të tjerë vazhdojnë ta quajnë gënjeshtrën gënjeshtër dhe konfliktohen me grupin e parë; disa përpiqen ta ndryshojnë perceptimin e tyre për realitetin në mënyrë që gënjeshtra të duket e vërtetë; ndërsa të tjerë mësohen me “normalitetin e ri”, me idenë se “tani të gjithë gënjejmë”.
Në marrëdhëniet ndërpersonale, kjo paturpësi është edhe më çorientuese. Shpesh si grabitqari, ashtu edhe viktima e dinë se është gënjeshtër. Por, ose grabitqari akuzon viktimën pikërisht për gjënë që sapo ka bërë vetë, ose gënjeshtra shprehet duke përdorur vetë fjalët e viktimës. Atribuimi i përmbysur është aq i njohur në fushën e dhunës në familje saqë ka edhe një akronim: DARVO (termat në gjuhën angleze Deny, Attack, Reverse Victim dhe Offender), pra moho, sulmo, përmbys rolet e viktimës dhe autorit të veprës. Megjithatë, kjo vazhdon t’i turbullojë viktimat, të cilat ndiejnë se besueshmëria e tyre vihet gjithmonë në dyshim. Edhe në vendin e punës pasojat janë shkatërruese, sepse zakonisht ka njerëz të tjerë që shohin situatën dhe që mund të ndikojnë me vendosmëri në rezultat.
Mitçell tregon për një nga personat e intervistuar që punonte në burimet njerëzore: “Njerëzit ishin bindur vërtet se personaliteti i errët ishte viktima dhe se viktima ishte personaliteti i errët. Kjo ia shkatërroi jetën viktimës, edhe pse ajo kishte një histori profesionale të shkëlqyer.” Realiteti është se sa më të forta të jenë këto tipare, aq më i madh është dëmi i shkaktuar.
Mitçell përshkruan një nga pjesëmarrësit në kërkimin e saj: “Drejtuesja e një dioqeze të madhe katolike, përgjegjëse për trajtimin e abuzimit seksual të fëmijëve. Punë e tmerrshme, apo jo? Kredenciale të jashtëzakonshme, të padiskutueshme; kishte qenë CEO e disa organizatave për fëmijët. Shkonte në Selinë e Shenjtë dhe thoshte: ‘Shikoni, ky person po abuzon me fëmijët’, dhe ata i përgjigjeshin: ‘Vërtet? Por ai është një njeri kaq i mirë.’”
Në hapësirën jokriminale dhe jo të dhunshme të përndjekjes së vazhdueshme, siç mund të ndodhë në një vend pune, ekzistojnë shumë nivele mosbesimi. Njerëzit nuk mund ta imagjinojnë që Personaliteti i Errët është vërtet i errët. Ata nuk mund të besojnë se dikush do të donte qëllimisht t’i bënte dëm një tjetri. Ata nuk mund ta rrokin fare faktin se dëmi është bërë.
Mitçell thotë se vetëvrasjet e ndodhura në vendin e punës ishin një nga çështjet që e shtynë drejt këtij studimi. Kjo është një temë e ndërlikuar, sepse në fushën e shëndetit mendor përgjithësisht shmanget atribuimi i drejtpërdrejtë i një vetëvrasjeje te sjellja e një personi tjetër.
Megjithatë, një vendim historik në Francë në vitin 2019 bëri pikërisht këtë dhe arriti në përfundimin se “mundimi torturues” në vendin e punës, i lidhur me një numër drejtuesish në France Télécom, kishte krijuar, midis viteve 2006 dhe 2009, kulturën në të cilën 19 punonjës kryen vetëvrasje, 12 tentuan vetëvrasjen dhe tetë vuajtën nga depresioni i rëndë.
Xhejn Monkton-Smith, profesoreshë e mbrojtjes publike në Universitetin e Glouçestershajër, ka thënë se, nëse do të përfshiheshin edhe vetëvrasjet e provokuara, statistikat e vrasjeve brenda familjes mund të ishin “pesë, gjashtë ose shtatë herë” më të larta.
Në studimin e Hare mbi njerëzit e afërt me Pinoçetin, i cili zgjati 20 vjet dhe u publikua në vitin 2022, “kur u studiuan individët që kishin qenë komandantë, ky nivel i lartë drejtuesish kishte nivele shumë të larta të tipareve psikopate, veçanërisht mungesën e empatisë ndaj të tjerëve”, thotë Viding.
Mitçell e jep përfundimin e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë: “Këta janë njerëz krejtësisht pa kufij, të rrezikshëm, me tru shumë të ndryshëm, është si ndryshimi midis një maceje shtëpie dhe një maceje të egër. Miliona e miliona njerëz janë lënduar sepse nuk i kemi njohur shenjat paralajmëruese. Prandaj duhet t’i bëjmë të njohura dhe pastaj t’u mësojmë njerëzve të jenë më të aftë për t’i dalluar.”
Viding, me terma të ndryshëm dhe përmes një rruge tjetër kërkimore, arrin në të njëjtin përfundim: “Duke qenë se kam bërë këtë kërkim për më shumë se 20 vjet, gjithnjë e më shumë kam filluar të mendoj se duhet të kuptojmë më mirë se si mund t’i mbrojmë njerëzit nga të qenit viktima. Sepse, bazuar në literaturën shkencore dhe në atë pak që dimë nga psikologjia evolucionare dhe ndërkulturore, ka shumë pak gjasa që këto tipare të zhduken.”






















