Ngjarja e ndodhur në Fier, konflikti me thika mes dy adoleshentëve ka çuar në pranga njërin prej tyre, teksa tjetri është plagosur. Sipas prokurorisë së Fierit, i mituri me iniciale B.D, i cili është lënë në burg nga Gjykata, goditi me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij gjatë sherrit mes tyre, pasi vetë ai i kishte publikuar të dëmtuarit disa foto në Snapchat, pa pëlqimin e këtij të fundit. “Nga materiali hetimor i administruar, rezulton se motivi i dyshuar i konfliktit është publikimi i disa fotove në rrjetin social Snapchat, pa pëlqimin e të miturit të dëmtuar”, thotë prokuroria. Po ashtu, mësohet se adoleshenti i plagosur ka marrë në trup katër plagë, tre në shpatullën e majtë dhe një në pjesën e poshtme të këmbës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në korridorin e katit të tretë të shkollës dhe më pas në njërën nga klasat, ndërsa konflikti mes tyre është ndërprerë si pasojë e ndërhyrjes të mësueses kujdestare. “Menjëherë pasi është marrë dijeni për ngjarjen, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurores së gatshme. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i celularëve dhe provave të tjera materiale, pyetja e Zv/ Drejtoreshës, e disa mësuesve dhe oficerit të sigurisë së shkollës, intervistimi i të miturve duke garantuar zbatimin e dispozitave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, etj.:, thuhet në njoftim.
Njoftimi i Prokurorisë Fier Konflikti mes të miturve në Shkollën ‘Mustafa Hoxha’, Prokuroria Fier kërkon ‘Arrest në burg’ për të miturin e dyshuar për ‘Vrasje me dashje’ e mbetur në tentativë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, paraqiti kërkesën për masë sigurimi për të miturin B.D që goditi me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij. Kjo prokurorin regjistroi procedimin penal nr.1933/2024 në ngarkim të të miturit në konflikt me ligjin B. D., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal. Procedimi lidhet me ngjarjen e ndodhur në orën 07.50 në gjimnazin “Mustafa Hoxha” në fshatin Cakran të Bashkisë Fier, në korridorin e katit të tretë dhe më pas në njërën nga klasat. Nxënësit B.D. dhe H.Xh., janë konfliktuar fizikisht dhe nxënësi B.D. ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës duke i shkaktuar të miturit tjetër katër dëmtime në shpatullën e majtë dhe një në pjesën e poshtme të këmbës. Konflikti është ndërprerë si pasojë e ndërhyrjes të mësueses kujdestare. Menjëherë pasi është marrë dijeni për ngjarjen, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e prokurores së gatshme. Janë kryer veprimet e para hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i celularëve dhe provave të tjera materiale, pyetja e Zv/ Drejtoreshës, e disa mësuesve dhe oficerit të sigurisë së shkollës, intervistimi i të miturve duke garantuar zbatimin e dispozitave të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, etj. Nga materiali hetimor i administruar, rezulton se motivi i dyshuar i konfliktit është publikimi i disa fotove në rrjetin social Snapchat, pa pëlqimin e të miturit të dëmtuar. Nga ana e prokurorisë është paraqitur kërkesa në Gjykatë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, si dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore. Kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër të miturve, me qëllim mbrojtjen e interesit më të lartë të të miturve dhe parandalimin e këtyre ngjarjeve në të ardhmën.






















