Bota 19 August 2026, 20:44 Nga VNA

Fedorovi, ish-ministri i shkarkuar ukrainas i mbrojtjes kërkon zgjedhje presidenciale

Ndaje në Whatsapp
Fedorovi, ish-ministri i shkarkuar ukrainas i mbrojtjes kërkon zgjedhje

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov (Mikail Fedorov), i larguar së fundmi nga detyra, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, duke deklaruar se kombi përballet me një krizë qeverisjeje. Komentet e tij përbëjnë sfidën më të madhe të brendshme ndaj presidentit Volodymyr Zelenskiy (Volodimir Zhelenski) që nga viti 2022.

Prej fillimit të luftës në Ukrainë është në fuqi gjendja e luftës, që do të thotë se zgjedhjet janë pezulluar. “Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia”, tha Fedorovi, 35 vjeç, në një video të publikuar të martën në YouTube, duke shtuar se Ukraina po lufton “pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë europian”. Fedorovi në mesazhin e tij në video nuk e përmend me emër Zhelenskin, por lë të kuptohet se presidenti aktual drejton një shtet që nuk funksionon mirë dhe që po has vështirësi në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht emergjencës kombëtare.

Fedorovi u shkarkua papritmas nga posti i ministrit të mbrojtjes muajin e kaluar, vetëm gjashtë muaj pasi ishte emëruar në këtë detyrë. Shkarkimi i Fedorovit shkaktoi protesta në mbarë vendin. Në Kiev ato zhvillohen çdo mbrëmje në një shesh poshtë zyrës së presidentit.

Zhelenski ende nuk ka reaguar ndaj videos së Fedorovit, ndërsa një burim në zyrën presidenciale i tha BBC-së se do të ishte “tepër absurde të planifikoheshin zgjedhje mes raketave dhe dronëve. Kjo tregon një shkëputje të plotë nga realiteti.” Edhe një numër analistësh ukrainas apo personash publikë, madje dhe mes atyre që e përkrahnin kthimin e Fedorovit si ministër mbrojtjeje, e kanë vënë në dyshim mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të duhura, sidomos për miliona ukrainas që janë larguar nga vendi ose zhvendosur, për qindra-mijëra ushtarë në vijën e frontit dhe me rreth një të pestën e territorit të vendit nën pushtimin rus.

Në videon e tij, Fedorovi u ankua se korrupsioni po i privonte ushtrisë armët dhe pajisjet dhe po ia bënte më të vështirë fitoren e Kievit në luftë. Ai foli për faktin se Ukraina po përballej me një “krizë sistemike të qeverisjes” dhe se ishte “e frikësuar nga ndryshimi”. Në videon e tij në nëntëminutëshe Fedorovi shprehet se “Njerëzit nuk mund të jetojnë pafundësisht në një shtet ku nuk kuptojnë pse merren vendime të caktuara. Pse disa reforma ecin përpara, ndërsa të tjerat bllokohen”.

Fedorovi vlerësohet si politikan karizmatik dhe gjatë kohës që shërbeu si ministër i mbrojtjes i atribuuan merita për gjallërimin e ministrisë, drejtimin e fushatës kundër korrupsionit, sfidimin e strukturave të vjetruara ushtarake dhe transformimin e fushëbetejës përmes teknologjive të reja. Shkarkimi i tij në mesin e korrikut mendohet se erdhi si pasojë e tensioneve mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi (Aleksandër Sirski).

Brenda pak ditësh, edhe Sirski u zëvendësua, ndërsa protestat në rritje që kërkonin rikthimin e Fedorovit ushtronin presion mbi presidentin ukrainas. Ministrit të shkarkuar iu ofruan poste të tjera në qeveri, përfshirë atë të zëvendëskryeministrit për inovacionin ushtarak, por ai e bëri të qartë se do të rikthehej vetëm si ministër i mbrojtjes.

Pak përpara se të publikohej videoja e Fedorovit, Zhelenski tha se i kishte kërkuar parlamentit të konfirmonte në postin e ministrit të mbrojtjes, Yevhenii Khmara (Jevgeni Kmara). Deputetët e mbështetën me shumicë dërrmuese, pasi Kmara deklaroi se do të bënte gjithçka për të mbrojtur Ukrainën dhe për ta detyruar Rusinë të pranonte një “paqe të drejtë”.

Në videon e tij, Fedorovi foli për një ndjenjë padrejtësie, duke paralajmëruar se “është veçanërisht e rrezikshme kur shoqëria krijon ndjesinë se kriteri kryesor për një emërim nuk është profesionalizmi, rezultatet apo aftësia për të transformuar vendin, por besnikëria personale ndaj sistemit”. Ai nuk dha asnjë sinjal për planet e tij politike, duke u përqendruar te nevoja për një “mekanizëm ligjor, të sigurt dhe realist që do t’i mundësojë Ukrainës të rikthejë një proces të plotë demokratik edhe në kushtet e një lufte të zgjatur”.

Ish-ministër i transformimit digjital nga viti 2019, Fedorovi krijoi një “Ushtri IT të Ukrainës” vullnetare për të ndërmarrë sulme kibernetike kundër rusëve në ditët e para pasi Putini nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Më vonë, ai drejtoi një fushatë të suksesshme për mbledhjen e fondeve të quajtur “Ushtria e Dronëve” dhe solli elemente të “gamifikimit” në luftë, duke krijuar një sistem që u jepte njësive ushtarake ukrainase pikë për goditjen e objektivave ruse. Si ministër i Mbrojtjes, fokusi i tij te dronët, lufta e teknologjisë së lartë dhe prokurimet vazhdoi. Ai i kërkoi themeluesit të SpaceX, Elon Musk, të ndalonte Rusinë që të përdorte satelitët Starlink për sulme me dronë. Kjo lëvizje është vlerësuar se ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në operacionet dhe përparimin e forcave ruse në vijën e frontit.

Në një postim në Facebook, pak pas shkarkimit të tij, Fedorovi renditi arritjet e tij dhe tha se do të “vazhdonte… ta mposhtte armikun përmes asimetrisë, shpejtësisë së inovacionit dhe forcës organizative”.

Zhelenski, mandati i pesëvjeçar i të cilit si president përfundoi në maj 2024, është vënë nën presion si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Moska, për të zhvilluar zgjedhje të reja. Një sondazh i kryer në fillim të muajit tregoi se ish-ministri do të renditej i treti në raundin e parë të një zgjedhjeje presidenciale, me 13.1% të votave, pas Zhelenskit me 22.3% dhe ish-shefit të forcave të armatosura, i cili tani është ambasador i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, Valerii Zaluzhnyi (Valeri Zaluzhnji), me 21.4%. I njëjti sondazh, i kryer nga Qendra Socis për Kërkime Sociale, arriti gjithashtu në përfundimin se Zhelenski do të mposhtej në raundin e dytë si nga Fedorovi, ashtu edhe nga Zaluzhnji.

Video

Spektakël dhe adrenalinë në qiell! Rreth 150 pilotë nga e gjithë bota konkurruan në Kampionatin Botëror të Paragliding, duke përshkuar një itinerar prej rreth 100 kilometrash me pika të përcaktuara përmes GPS-it. Shpejtësia, koha dhe qëndrimi në krye të garës përcaktuan pikët, ndërsa dhjetëra paragliderë dhuruan pamje spektakolare në qiell.

Një ngjarje e rëndë është raportuar pranë kufirit mes Republikës së Afrikës Qendrore dhe Kamerunit, ku një rrëshqitje dheu ka goditur një minierë artizanale ari. Sipas autoriteteve lokale, dhjetëra persona dyshohet se janë varrosur nën masën e dheut, ndërsa ekziston frika se disa prej tyre mund të jenë ende të bllokuar nëntokë. Ngjarja ka ndodhur teksa njerëzit ndodheshin duke punuar në minierë. Rrëshqitja e dheut ka zënë në befasi punëtorët, duke shkaktuar një situatë të rëndë. Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të viktimave, ndërsa vijojnë përpjekjet për të përcaktuar numrin e personave të bllokuar dhe për zbardhjen e plotë të përmasave të tragjedisë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme