Një operacion i gjerë antikorrupsion ka goditur nivelet e larta të pushtetit në Ukrainë, duke përfshirë Presidencën, deputetë, ish-deputetë, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtues të një banke shtetërore.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Prokuroria e Specializuar Antikorrupsion (SAPO) njoftuan të mërkurën, më 19 gusht, nisjen e një operacioni special për goditjen e asaj që autoritetet e përshkruajnë si një organizatë kriminale të drejtuar nga një deputet aktual dhe një ish-deputet.
Një nga emrat më të rëndësishëm të përfshirë në veprimet hetimore është Iryna Mudra, zëvendësshefe e Zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky dhe zyrtarja që mbulonte çështjet e drejtësisë dhe reformës gjyqësore. Hetuesit kryen kontrolle në ambientet e lidhura me të, ndërsa vetëm disa orë më vonë Zelensky firmosi dekretin për shkarkimin e saj nga detyra.
Operacioni ka prekur gjithashtu deputetin Vadym Stolar, i zgjedhur më parë nga partia tashmë e ndaluar pro-ruse “Opposition Platform – For Life”. Vetë Stolar konfirmoi se NABU kishte kryer veprime hetimore në banesën e tij dhe deklaroi se po bashkëpunonte me autoritetet.
Në hetim përmendet edhe ish-deputeti Maksym Mykytas, ndërsa veprimet e NABU dhe SAPO janë shtrirë te zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtues të Sense Bank, bankë që ndodhet nën pronësinë e shtetit ukrainas.
Sipas hetuesve, grupi dyshohet se ka pastruar rreth 150 milionë hryvnia, mbi 3 milionë euro, para që dyshohet se kishin origjinë kriminale. Skema do të ishte realizuar përmes llogarive të kompanive të kontrolluara nga personat e përfshirë dhe duke përdorur Sense Bank.
Autoritetet antikorrupsion thonë se organizatorët kishin arritur të siguronin kontroll efektiv mbi llogari dhe mekanizma brenda bankës që në fillim të qershorit, duke përfshirë në skemë edhe drejtues të lartë të saj. Një pjesë e parave dyshohet se ishte destinuar për pagimin e garancisë për një prej personave të përfshirë në çështjen e njohur si “Midas”, skandali i madh i korrupsionit që lidhet me sektorin energjetik ukrainas.
NABU ka publikuar edhe përgjime audio që, sipas hetuesve, dokumentojnë biseda për kontrollin e Sense Bank dhe përdorimin e saj për lëvizjen e parave. Në kuadër të kontrolleve është sekuestruar gjithashtu një dokument që përmbante një plan komunikimi për menaxhimin e reagimit publik ndaj hetimeve antikorrupsion.
Operacioni i së mërkurës përbën një tjetër goditje politike për administratën e Zelenskyt, pasi hetimi ka mbërritur drejtpërdrejt në Zyrën e Presidentit. Deri tani, autoritetet nuk kanë ngritur asnjë pretendim se vetë Zelensky është i përfshirë në skemën e dyshuar.
Shkarkimi i Iryna Mudrës, vetëm disa orë pas kontrolleve të NABU, e shton presionin mbi Presidencën ukrainase në një moment kur lufta kundër korrupsionit mbetet një nga kushtet kryesore për avancimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.






















