Iraku i ka kërkuar Iranit që t’i japë trajtim të veçantë eksporteve irakiane të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, në një kohë kur tensionet në këtë rrugë strategjike detare kanë krijuar pasiguri për tregtinë dhe furnizimet energjetike.
Kërkesa u bë gjatë takimit në Bagdad mes kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, dhe homologut të tij irakian, Mohammed al-Halbousi. Ky i fundit theksoi se Iraku është ndër vendet më të prekura nga zhvillimet e fundit rajonale dhe kërkoi që eksportet e naftës së vendit të marrin trajtim të veçantë.
Nga ana e tij, Qalibaf shprehu gatishmërinë e Teheranit për të forcuar bashkëpunimin me Bagdadin, veçanërisht në sektorët ekonomikë dhe tregtarë.
Gjatë vizitës, kryetari i Parlamentit iranian u takua edhe me presidentin irakian Abdul Latif Rashid, me të cilin diskutoi zhvillimet rajonale dhe mënyrat për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Qalibaf e cilësoi Irakun një vend të rëndësishëm në rajon dhe tha se vizita synon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, pa ndërhyrje të huaja. Ai theksoi gjithashtu nevojën për marrëdhënie më të thella dhe të qëndrueshme mes Iranit dhe Irakut.
Vizita e Qalibaf në Bagdad zhvillohet në një moment të tensionuar në rajon, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për transportin global të naftës.






















