Gjermania dhe Spanja kanë dënuar sanksionet e fundit të SHBA-së ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre për institucionin dhe pavarësinë e tij.
Zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, deklaroi se Berlini qëndron në krah të GJNP-së dhe kryetares së saj, Tomoko Akane. Sipas tij, gjykata ka një rol të rëndësishëm në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve më të rënda kundër njerëzimit.
“Për Gjermaninë është me rëndësi qendrore mbrojtja dhe ruajtja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale si një institucion i pavarur”, tha Giese, duke pranuar se gjykata, si çdo institucion tjetër, mund të përballet me kritika, por kjo nuk duhet të vërë në pikëpyetje ekzistencën apo mandatin e saj.
Sanksionet amerikane kanë në shënjestër kryetaren e GJNP-së, Tomoko Akane, dhe Abdoulaye Seyen, avokat i lartë në Zyrën e Prokurorit. Gjykata me seli në Hagë i ka cilësuar masat si “sulme flagrante” ndaj pavarësisë së saj.
Edhe Spanja ka reaguar kundër vendimit të Washingtonit, duke i cilësuar sanksionet si një sulm ndaj pavarësisë, integritetit dhe paanshmërisë së gjykatës. Madridi ka deklaruar se do të vazhdojë të mbështesë GJNP-në dhe të përmbushë detyrimet e tij në kuadër të Statutit të Romës.
Përplasja mes Washingtonit dhe GJNP-së është përshkallëzuar që prej lëshimit të urdhërarresteve në vitin 2024 ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.






















