Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 10:00 në seancën konstituive, ku do të nisë zyrtarisht legjislatura e re, mes mungesës së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në fillim të seancës do të themelohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të deputetëve. Pas verifikimit të mandateve, deputetët e rinj do të bëjnë betimin, ndërsa më pas pritet të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, për të cilët kërkohet shumicë e thjeshtë e votave.
Ende nuk është bërë e ditur nëse pas përfundimit të seancës konstituive do të mbahet edhe një seancë për votimin e Qeverisë së re.
Situata politike mbetet e paqartë, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur ende një marrëveshje për krijimin e institucioneve. Dy takimet e zhvilluara këtë javë mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfunduan pa dakordësi.
Pas takimit të fundit, Kurti deklaroi se “nuk kemi lajme, përderisa nuk kemi marrëveshje”, ndërsa të dyja palët kanë lënë të hapur mundësinë për vazhdimin e negociatave në ditët në vijim.






















