
Gërmimet e nisura të hënën në fshatin Jabukë të Zubin Potokut kanë nxjerrë në dritë mbetje mortore të katër personave, në një lokacion ku dyshohet se mund të ketë një varrezë masive.
Ky është vendi i dytë në Zubin Potok ku po zhvillohen zhvarrime për gjetjen e personave të zhdukur. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se dyshohet se viktimat janë ekzekutuar dhe më pas janë hedhur në një gropë.
Sveçla është zotuar se hetimet do të vijojnë dhe se personat përgjegjës për këto krime do të përballen me drejtësinë.
Gjetja e mbetjeve mortore është konfirmuar edhe nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili bëri të ditur se ato janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së.
“Ekzaminimet mjekoligjore do të mundësojnë identifikimin e mbetjeve mortore përmes analizave të ADN-së”, njoftoi Komisioni.
Deri më tani autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimave, ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston dyshimi që mbetjet mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur në prill të vitit 1999.
Procesi i gërmimeve do të vijojë në të dy lokacionet në Zubin Potok, ndërsa për hetimet lidhur me këtë rast të dyshuar si krim lufte, deri tani janë arrestuar tre persona.






















