Shqipëria turistike duket se nuk po gjen qëndrueshmëri në tregjet që e preferojnë. Teksa viteve të fundit ishin polakët dhe italianët ata që po bëheshin ambasadorët më të mëdhenj të destinacionit duket se këtë vit këto janë grupet më të lëkundura.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për shtetet nga kanë ardhur vizitorët e huaj tregojnë se për 9 mujorin ka një rënie të numrit të polakëve në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo tkurrje ishte me 9.2 për qind çka përkon me rreth 27 mijë polakë më pak në Shqipëri krahasuar me vitin e shkuar. Kjo rënie i atribuohet kryesisht polakëve që kanë ardhur individualisht viteve të fundit, jo në formë të organizuar dhe ku kontributin kryesor e ka dhënë rritja e çmimeve.
Italia nga ana tjetër, një nga tregjet me rritjen më të shpejtë viteve të fundit duke kryesuar në disa raste vizitorët e huaj sidomos gjatë verës duket se nuk po preferon më Shqipërinë. Rritja si 9 mujor ishte thuajse inekzistente as 1 për qind. Gjatë verës numri ishte në ulje dhe njëjtë ka ndodhur edhe në shtator kur kemi 2.7 për qind më pak vizitorë se shtatori 2024.
Kosova ka shënuar rritje këtë vit me të paktën 2.3 për qind më shumë vizitorë në 9 mujor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Spanja është një tjetër treg që po tregonte shenja rritjeje viteve të fundit me një grup të konsiderueshëm turistësh të organizuar por ky trend është përmbysur këtë vit dhe vizitorët spanjollë ishin në tkurrje 4.77 për qind në janar-shtator 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por ashtu siç janë grupet që kanë ardhur në rënie duket se nuk po mungojnë as ato që po e shohin gjithmonë e më shumë Shqipërinë si një destinacion për eksplorim.
Gjermanët kanë treguar këtë vit një rritje të qëndrueshme që për 9 mujorin ishte 22.1 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë periudhë hynë në vendin tonë të paktën 372 mijë vizitorë.
Ndërkohë në rritje ka qenë edhe Franca, të cilët vijnë vitin e ardhshëm për herë të parë edhe me kontrata garancie në zonën e Golemit. Sipas INSTAT francezët u rritën me më shumë se 39 për qind duke kapur shifrën rreth 259 mijë vizitorë deri në fund të shtatorit. Vetëm në këtë muaj ishin të paktën 32 mijë hyrje të regjistruara.






















