Anija e ngarkuar me ndihmën humanitare për banorët e Gazës nga qeveria e Kosovës është nisur sot nga porti i Mersinit në Turqi.
Dërgesa humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, të cilat do t’u shërbejnë qytetarëve në nevojë në Gaza.
Qeveria e Kosovës kishte marrë këtë vendim që në janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, e cila u arrit nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një deklaratë, autoritetet e Kosovës theksuan se kjo ndihmë është shprehje e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimit për mbështetjen e popullatës civile që po përballet me vështirësi të mëdha në Gaza. Ky është gjithashtu moment historik, pasi është hera e parë që Qeveria e Kosovës ofron një ndihmë të tillë humanitare për këtë rajon.
Autoritetet shprehën mirënjohje të veçantë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen në realizimin e këtij operacioni humanitar.






















