
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në prezantimin e programit kombëtar “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një iniciativë që synon mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në kuadër të 35-vjetorit të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal gjerësisht te zhvlerësimi i euros dhe forcimi i monedhës vendase, duke e cilësuar këtë ecuri si një tregues kokëfortë të rritjes dhe stabilitetit të ekonomisë shqiptare.
Rama hodhi poshtë ndikimin e parave të pista në tregun valutor, duke deklaruar se rritja e vlerës së lekut vjen si pasojë e miliardave që hyjnë në vend nga burime legjitime dhe se tezat mbi ndikimin e narkotrafikut janë thjesht narrativë politike pa lidhje me realitetin.
“Po se e vërteta nuk është që ka rënë euro, por e vërteta është që është forcuar leku. Leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër që nuk është më ekonomia që ishte deri përpara 5-6 vitesh. Forcimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë. Në një vend ku hyjnë çdo vit miliarda e miliarda. Të flasësh për narko e gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh shumë vetë që kanë nevojë për lajme të këqija, por është pa lidhje”, u shpreh ndër të tjera Rama.
Megjithatë, deklarata e kryeministrit duket se anashkalon me dashje një nga problemet më të mëdha në Shqipëri që SPAK e dokumentoi me fakte muajin e kaluar. Në qershor të këtij viti, Prokuroria e Posaçme goditi një rrjet të fuqishëm që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke sekuestruar pasuri në vlerën e rreth 150 milionë eurove.
Sipas dosjes hetimore, këto para të pista investoheshin masivisht në sektorin e ndërtimit, hoteleri dhe konsulencë. Ky operacion u pasua nga një tjetër goditje ndaj një rrjeti ndërkombëtar të trafikut dhe pastrimit të parave, ku pjesë e skemës ishin edhe kontrata të dyshimta shitblerjeje tokash në zonën bregdetare të Zvërnecit në Vlorë.
Pikërisht shtrirja e këtyre investimeve kriminale në dy nga sektorët më jetikë të ekonomisë, si ndërtimi në Tiranë dhe turizmi në jug të vendit, ngre pikëpyetje të mëdha mbi ndikimin real që këto qindra miliona euro të sekuestruara, dhe miliona të tjera që qarkullojnë jashtë vëmendjes së autoriteteve, kanë pasur në zhvlerësimin artificial të euros përballë lekut.
Nga ana tjetër, argumenti i kryeministrit se forcimi i lekut tregon rritje ekonomike bie ndesh me realitetin që prekin qytetarët çdo ditë. Në kushtet e një monedhe kombëtare të fortë, logjika ekonomike do të diktonte një rritje të fuqisë blerëse dhe ulje të çmimeve për produktet e importit. Megjithatë, në Shqipëri po ndodh e kundërta, çmimet e produkteve bazë të shportës vazhdojnë të rriten, ndërsa pagat mesatare dhe pensionet mbeten të pamjaftueshme për të përballuar kostot minimale të jetesës. Kjo ka krijuar dhe paradoksin ku ekonomia shkëlqen në shifra, por varfëron familjet e thjeshta.






















