Politika 2025-11-15 17:27:00 Nga VNA

Zgjerimi i BE-së/Wadephul tur në Ballkan, Shqipëria probleme me korrupsionin, pronësinë e mjedisin

Ndaje në Whatsapp
Zgjerimi i BE-së/Wadephul tur në Ballkan, Shqipëria probleme me

Kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Johann Wadephul të dielën (16.11.2025) zbret në Sarajevë për fillimin e vizitës së tij katërditore në rajon, ai hyn në një ekuilibër të brishtë. Rajonin e njeh mirë – për vite me radhë ai ka drejtuar Grupin e Ballkanit Perëndimor të CDU/CSU në Bundestag. Kësaj radhe Wadephul nuk udhëton si politikan specialist, por si drejtues i një ministrie, kursi i së cilës ndaj vendeve të këtij rajoni perceptohet gjithnjë e më i paqartë.

Nga Podgorica, ku të hënën (17.11.2025) nisin bisedimet politike, vjen një kërkesë me kortezi, por e drejtpërdrejtë për orientim. Në një aktivitet të DGAP në Berlin më 13 nëntor, ministrja e Integrimit të Malit të Zi, Biljana Papovic, tha për DW se shpreson për "më shumë angazhim nga Berlini dhe më shumë qartësi se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet i qeverisë gjermane”.

Për Podgoricën, drejtimi energjik i Gjermanisë mbetet thelbësor – jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por për gjithë dinamikën e procesit të zgjerimit në BE.

Një sinjal i rëndësishëm politik

Në Tiranë, roli i Gjermanisë shihet ende pozitivisht. Por analistja politike Alba Cela nga AIIS paralajmëron, se mbështetja e Berlinit "nuk është aspak e vetëkuptueshme”. Barometri i fundit i BE-së tregon se vetëm 49 për qind e gjermanëve mbështesin zgjerimin. Prandaj, vizita e Wadephul për Tiranën është një sinjal politik me peshë.

Mbështetja për BE-në në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon: mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro anëtarësimit. Megjithatë, eksperti i DGAP-it, Milan Nic, kujton se Shqipëria "ndodhet ende në fillimin e një rruge të vështirë”. Vendi nuk ka mbyllur ende asnjë kapitull negociues dhe, sipas tij, sfidat më të mëdha do të shfaqen në fushat themelore: çështjet e pronësisë, rregullimi dhe mjedisi. "Aty fillon dhembja e vërtetë”, thotë Nic. Po ashtu, lufta kundër korrupsionit mbetet një temë e përhershme.

Serbia: ndalesa më delikate

Pika më e ndjeshme e turit është Beogradi. Mbështetja për BE-në në Serbi është rreth 38 për qind, ndërsa ndikimi i Rusisë mbetet i fortë. CDU ka lidhje të ngushta politike me partinë e presidentit Aleksandar Vuçiç – por Serbia është vendi më i dobët në raportin e progresit të Komisionit.

Deputeti i Bundestagut Boris Mijatovic (Bündnis 90/Die Grünen), i cili gjendet njëkohësisht në Ballkan së bashku me kolegun e tij Anton Hofreiter, kujton zgjedhjet e vitit 2023 në Serbi. OSBE dokumentoi manipulime dhe parregullsi – Mijatovic pret që Wadephul ta ngrejë këtë çështje në Beograd.

Ai paralajmëron edhe për një boshllëk të ri gjeopolitik: tërheqja e USAID-it nga programet e medias dhe demokracisë "krijon një problem të madh”, sepse liron më shumë hapësirë për ndikim rus.

Po me Kosovën dhe Bosnjën?

Kosova, shteti më i ri i Evropës, para tre vjetësh paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE. Sot vendi ndodhet në krizë politike: tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk ka ende qeveri funksionale, dhe zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Politologia Njomza Arifi shpreson që vizita e Wadephul "të japë një sinjal ndaj krizës dhe t'i nxisë përgjegjësit të gjejnë një zgjidhje”.

Në Sarajevë, ministri gjerman do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinësdhe Përfaqësuesin e Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt. Bosnja paraqiti kërkesën për anëtarësim në dhjetor 2022.

Mos harroni Maqedoninë e Veriut

Mijatovic thekson, se Maqedonia e Veriut nuk duhet lënë në hije. Vendi ndryshoi emrin në vitin 2019 për të zgjidhur konfliktin me Greqinë dhe bëri reforma thelbësore. Megjithatë tani kërkohet sërish ndryshim kushtetues për të futur pakicën bullgare. Pasiguria është e madhe. "Ne e kemi ndryshuar emrin… por çfarë vjen pas kësaj?”, pyet ai. Kjo pyetje përmbledh humbjen e besimit ndaj procesit të zgjerimit.

Shkupi është kandidat që nga viti 2005. Në 2022 nisi negociatat, por që prej atëherë ka pak lëvizje. Në kryeqytet Wadephul do të takohet me homologun e tij Timco Mucunski.

Shpejtim apo frenim?

Pritjet ndaj Wadephul janë të qarta: Berlini duhet të pozicionohet. Paraardhësja e tij, Annalena Baerbock, e kishte shpallur integrimin e Ballkanit Perëndimor si një nga tri prioritetet kryesore. Sot, thotë Mijatovic, dëgjohen "herë tre, herë pesë prioritete – dhe ndonjëherë Ballkani Perëndimor nuk është aty”.

Edhe heqja e postit të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor shihet si sinjal negativ. Ky post së fundit mbahej nga Manuel Sarrazin. Qeveria aktuale e hoqi pozicionin për të ulur numrin e të dërguarve të posaçëm.

Sipas ekspertit Nic, përgjigjja më e qartë për kursin e qeverisë gjermane do të shfaqet vetëm më vonë: "Në vitin 2026 do të shihet nëse Gjermania do ta përshpejtojë zgjerimin – apo nëse ai do të mbetet sërish viktimë e prioriteteve që konkurrojnë mes tyre.”/DW

Video

Protestat e fermerëve në Greqi po përshkallëzohen dita-ditës, me bllokada të shumta në rrugët kryesore, autostrada dhe pikat doganore në mbarë vendin. Ndërsa mobilizimet vazhdojnë të rriten, vëmendja është përqendruar te mbledhja e Komitetit Panhelenik javën e ardhshme, ku pritet të përcaktohet strategjia dhe kërkesat për zgjidhje konkrete. Bllokime të shumta janë regjistruar në Thesali, Greqinë Qendrore dhe Akaia, ndërsa sipas fermerëve, veprime edhe më radikale, si bllokimi i porteve dhe doganave, janë në shqyrtim. Aksi ndërkombëtar Kakavijë–Janinë mbetet i bllokuar, duke lejuar vetëm lëvizje emergjente dhe urgjenca mjekësore. Fermerët deklarojnë se kërkojnë masa urgjente dhe theksojnë se nuk pranojnë dialog formal pa rezultate të prekshme. Nga ana tjetër, qeveria paralajmëron masa të forta ndaj veprimeve agresive dhe përplasjeve me policinë, të cilat janë shfaqur gjatë përpjekjeve për të bllokuar edhe aksesin drejt aeroporteve. https://www.vna.al/rajoni/fermeret-greke-intensifikojne-protestat-bllokime-masive-ne-rruge-dogana-d-i17605

Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së publikoi pamje nga operacioni i ndalimit të një anijeje të lidhur me një kartel trafiku droge, që transportonte rreth 20,000 paund kokainë në Paqësorin Lindor. Në videot e publikuara shihet një snajperist i Rojës Bregdetare që godet motorin e skafit për ta çaktivizuar, duke lejuar më pas që një anije tjetër me forcat speciale të kryejë arrestimin e ekuipazhit. Operacioni tregon koordinimin e forcave amerikane për të parandaluar trafikun ndërkombëtar të drogës.

Këto janë pamjet kur një i moshuar në Durrës ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij me shkop druri. 70-vjeçarja shihet duke ikur me vrap nga shkallët e banesës në lagjen nr. 17, ndërsa i moshuari e ndjek me shkopin në dorë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes çiftit, dhe si pasojë e sulmit gruaja pësoi dëmtime të rënda fizike, duke u dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë. https://www.vna.al/kronika/tentoi-te-vriste-bashkeshorten-arrestohet-76-vjecari-ne-durres-i17596

Greqia prej disa ditësh po përballet me një situatë të rënduar atmosferike, e shoqëruar me stuhi dhe reshje të dendura shiu, që kanë shkaktuar përmbytje të gjera në disa zona të vendit. Për shkak të nivelit të lartë të ujërave, qindra banorë janë detyruar të evakuohen, ndërsa shumë banesa dhe biznese ndodhen nën ujë. Situata është më problematike në Farsalë, ku lumi ka dalë nga shtrati duke rrezikuar zonat e banuara, çka ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë menjëherë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news