Politika 2026-02-21 14:45:00 Nga VNA

Në shesh kundër “narko-shtetit”, heshtje për vëllain e arrestuar. Protesta e djeshme dhe hijet e moralit të Elda Hotit

Ndaje në Whatsapp
Në shesh kundër “narko-shtetit”, heshtje për

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, është vënë në qendër të debatit publik pas raportimeve se vëllai i saj është arrestuar nga autoritetet italiane, i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge. Lajmi ka bërë jehonë si në Itali ashtu edhe në Shqipëri, duke e zhvendosur menjëherë diskutimin nga çështja penale në një debat politik e moral.

Tre ditë pas publikimit të lajmit, Hoti u shfaq në protestën e djeshme të opozitës, ku kërkoi rrëzimin e qeverisë. Në një postim në rrjetet sociale ajo shkroi: “Asgjë nuk e ndal këtë popull kur vendoset përballë padrejtësisë.” Një mesazh i fortë politik, por që për shumëkënd tingëlloi i shkëputur nga rrethanat personale që po e shoqëronin atë moment.

Deri tani, deputetja nuk ka bërë një reagim publik për arrestimin e vëllait të saj. Heshtja ka ushqyer më tej diskutimin, sidomos në një klimë politike ku termi “narko-shtet” përdoret shpesh si armë retorike kundër kundërshtarëve.

Është e qartë se askush nuk mban përgjegjësi penale për veprimet e një familjari. Shqipëria nuk është – dhe nuk duhet të jetë – në kohën e biografive. Por politika nuk funksionon vetëm me standarde ligjore; ajo matet edhe me standarde morale dhe me koherencën publike.

Kur një deputete që akuzon qeverinë për lidhje me trafikun e drogës përballet me një rast të tillë në familjen e saj, pritshmëria minimale është transparenca. Një sqarim, një distancim, një qëndrim. Jo për të marrë fajin e dikujt tjetër, por për të mos lënë hapësirë për dyshime apo interpretime.

Fakti që ajo nuk u shfaq në rreshtin e parë të drejtuesve të PD në protestë u lexua nga disa si një tërheqje taktike. Por pyetja thelbësore mbetet: a mjafton të mos jesh në rreshtin e parë, kur debati publik është zhvendosur pikërisht tek figura jote?

Politika shqiptare ka qenë shpesh e pamëshirshme me “biografitë” e kundërshtarit. Prandaj sot standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: jo përgjegjësi për fajet e të tjerëve, por përgjegjësi për mënyrën si përballesh me to në sferën publike.

Në fund, çështja nuk është nëse një deputete mban përgjegjësi për veprimet e vëllait të saj. Çështja është nëse ajo mban përgjegjësi për heshtjen. Dhe në politikë, shpesh, heshtja flet më shumë se çdo slogan proteste.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news