Politika 2026-02-20 09:57:00 Nga VNA

Matilda Shehu në pritje të votës nga parlamenti. Hija e nepotizmit mbi Bankën e Shqipërisë

Ndaje në Whatsapp
Matilda Shehu në pritje të votës nga parlamenti. Hija e

Parlamenti zgjodhi mbrëmë katër anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë: Selami Xhepa (74 vota pro, 16 kundër), Holta Zaçaj (72 pro, 19 kundër, 1 abstenim), Ervin Mete (74 pro, 17 kundër) dhe Jonida Prifti (73 pro, 18 kundër). Xhepa dhe Zaçaj ishin propozuar nga Kuvendi, ndërsa Mete dhe Prifti nga qeveria.

Emri i pestë i propozuar nga Kuvendi, Matilda Shehu, u shty për votim në një seancë tjetër plenare, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla.

Por nëse katër votimet kaluan pa shumë debat publik, emri i Matilda Shehut ka hapur një çështje që shkon përtej një procedure parlamentare.

VNA raportoi mbrëmë për lidhjet familjare të zonjës Shehu me struktura kyçe të shtetit. Bashkëshorti i saj, Ismail Shehu, mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë që prej kohës kur ministria drejtohej nga Ulsi Manja. Ndërkohë, vëllai i saj, Saimir Tola, është Drejtor në Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Për ta thënë qartë: Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk janë institucione dekorative. Janë mekanizma që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat ekonomike dhe financiare të vendit. Kur emra të lidhur familjarisht shfaqen paralelisht në këto struktura, përplasja e interesave nuk është më një hipotezë teorike, por një shqetësim real institucional.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja: ku mbetet lufta kundër nepotizmit, ajo kartë që Edi Rama e përdor herë pas here në diskursin publik? A vlen ajo vetëm për kundërshtarët politikë, apo edhe për rrethin e emrave që riciklohen në pozicione kyçe?

Edhe zgjedhja e Holta Zaçajt në Këshillin Mbikëqyrës ngre pikëpyetje të tjera. Ish-drejtuese e Gjykatës Kushtetuese, me një mandat të shoqëruar nga polemika për zvarritje procedurash dhe debate mbi përfundimin e tij, ajo kalon tani në një strukturë që mbikëqyr politikat financiare të bankës qendrore. Kalimi nga gjyqësori kushtetues në mbikëqyrjen monetare është, në rastin më të mirë, një zhvendosje e pazakontë; në rastin më të keq, një tjetër sinjal i ndërthurjes së politikës me institucionet që duhet të jenë teknikisht të pavarura.

Në fund, çështja nuk është vetëm Matilda Shehu, as vetëm Holta Zaçaj. Është mënyra se si ndërtohen dhe mbushen strukturat që kontrollojnë ekonominë e vendit. Sepse kur bordet që vendosin për stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tregut përfshihen në rrjete familjare dhe riciklime politike, atëherë problemi nuk është më individual – është sistemik.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news