Kronika 2026-04-08 10:24:00 Nga VNA

The Telegraph: Një shqiptar dënohet me burg çdo dy ditë në Britani

Ndaje në Whatsapp
The Telegraph: Një shqiptar dënohet me burg çdo dy ditë

The Telegraph shkruan se një shqiptar dënohet me burg çdo dy ditë në Britani

Sipas The Telegraph, 63 shtetas shqiptarë u dënuan me burg në tre muajt e parë të vitit 2026, duke u bërë grupi më i madh i të huajve në burgjet britanike. Gazeta raporton se shqiptarët përbëjnë 9% të të gjithë të dënuarve të huaj, me shumë prej tyre që dyshohet se kanë hyrë ilegalisht me gomone. Sipas autoriteteve britanike, shumica e rasteve lidhen me drogë, vjedhje e grabitje, ndërsa disa përfshijnë edhe krime të rënda si vrasja. The Telegraph shkruan se çdo i dënuar i kushton shtetit britanik mbi 60 mijë paund në vit, ndërsa qeveria po përshpejton deportimet drejt Shqipërisë. Me ligjet e reja, shumë prej tyre mund të deportohen menjëherë pas dënimit. Ministrja e Brendshme britanike Shabana Mahmood deklaroi se Britania do të “bëjë çfarë të duhet” për të forcuar kontrollin dhe rritur largimet.

Lajmi i plotë i The Telegraph

Një shqiptar po dënohet me burg çdo dy ditë në Britani, shkruan The Telegraph. Gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, 63 shqiptarë u dënuan me burg, me një total prej 207 vitesh dënim. Shqiptarët përbëjnë 9 për qind të të gjithë të huajve në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, pjesa më e madhe e të cilëve besohet se kanë kaluar ilegalisht Kanalin për të hyrë në Britani.

Sipas gazetës, shumë nga dënimet lidhen me trafikim droge dhe vjedhje, por ka edhe raste të rënda si ai i një shqiptari të dënuar për vrasjen e foshnjës së tij tre muajshe. Çdo i burgosur i kushton taksapaguesve britanikë 60,018 paund në vit – që mund të përkthehet në pothuajse 800 milionë paund nëse të gjithë i kryejnë dënimet e plota.

Rritja e numrit të shqiptarëve të dënuar lidhet me valën e madhe të mbërritjeve me gomone në vitin 2022, kur një rekord prej 12,551 shqiptarësh hynë në Britani. Agjencia Kombëtare e Krimit deklaroi se shumë prej tyre hynë ilegalisht për të punuar në ekonominë gri ose për grupe kriminale, duke dërguar “qindra milionë paund” në Shqipëri çdo vit.

Në mesin e të dënuarve të muajit mars përmenden dy vëllezërit Hasanaj, të dënuar me pesë vite burg secili për furnizim të kokainës në Kent, si dhe 19-vjeçari Henri Nikolli, i dënuar me gjashtë vjet e tre muaj për armë të modifikuara dhe një fermë kanabisi në shtëpi. Po ashtu, një bandë prej pesë shqiptarësh u shpall fajtore për mbi 40 vjedhje në Midlands dhe veri të Anglisë, me më shumë se 1 milion paund sende të vjedhura.

Një rast i rëndë ishte ai i Klevi Pirjanit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e djalit të tij tre muajsh, Miguel.

Sipas ligjit britanik, të huajt e dënuar me 12 muaj burg ose më shumë marrin automatikisht urdhër dëbimi. Me ligjet e reja të qeverisë laburiste, disa mund të deportohen që në momentin e dënimit, ndërsa aktualisht mund të largohen pasi kanë kryer 30% të dënimit. Qeveria britanike ka fluturime të shpeshta drejt Shqipërisë dhe javën e kaluar deportoi 50 persona me dënime të kombinuara prej gati 70 vitesh.

Ministrja e Brendshme Shabana Mahmood tha se Britania ka larguar pothuajse 60,000 emigrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj dhe se synon të shkojë edhe më tej për të rivendosur rendin dhe kontrollin.

Video

I shumëkërkuari nga SPAK, Denis Tafili, dyshohet se dhunoi me qytën e pistoletës një 36-vjeçar në Shkallnur dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Policia e Durrësit reagoi zyrtarisht rreth 6 orë më vonë, vetëm pasi ngjarja u publikua në media. AMP sekuestroi armën e shërbimit të efektivit Leonard Xhamollari, ndërsa i dëmtuari deklaroi se e kishte parë disa herë policin në shoqërinë e Denis Tafilit. Pavarësisht postblloqeve të ngritura pas konfliktit, Denis Tafili dhe personi tjetër i dyshuar vijojnë të jenë në arrati

Spanja po përballet me një valë zjarresh të mëdha, disa prej të cilave kanë dalë jashtë kontrollit pranë Madridit, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës dhe të urdhërojnë evakuimin e mbi 60 mijë personave. Flakët kanë përfshirë edhe zonën ku ndodhet Kompleksi i Komunikimeve në Hapësirën e Thellë i NASA-s në Robledo de Chavela, një nga tre observatorët kryesorë që përdoren për komunikimin me misionet hapësinore, përfshirë Voyager 1, James Webb dhe programin Artemis. Personeli është evakuuar në kohë, ndërsa ende nuk dihet nëse pajisjet kanë pësuar dëmtime.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një objekt industrial në Essex të Mbretërisë së Bashkuar, pasi një sasi plehu kimik shpërtheu brenda një prej godinave. Flakët u shoqëruan me shtëllunga të dendura tymi që mbuluan qiellin mbi zonë. Rreth 100 zjarrfikës u angazhuan në operacionin për shuarjen e zjarrit, duke arritur ta vënë situatën nën kontroll dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve drejt banesave përreth.

Të paktën 30 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, mbetën të plagosur nga një aksident me autobus në Stamboll. Mjeti doli nga rruga për shkak të lagështisë, u përplas me një makinë dhe më pas goditi një shtyllë sinjalistike. Ekipet e emergjencës iu erdhën menjëherë në ndihmë të dëmtuarve duke i transportuar në spital. Ndërkohë, autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa deri tani nuk raportohet për viktima.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news