Sociale 2026-08-07 08:46:03 Nga VNA

Gara e ekranit në 2025-n, tregu arrin 70 mln euro; “TV Klan” dhe “Top Channel” marrin 63%

Ndaje në Whatsapp
Gara e ekranit në 2025-n, tregu arrin 70 mln euro; “TV Klan”

Të ardhurat e 10 televizioneve kryesore në vend arritën në rreth 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, apo në rreth 70 milionë euro.

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat shënuan rritje të lehtë me 3%, pas rënies me 0.5% në 2024-n, por larg ritmeve dyshifrore të zgjerimit prej 14% në vitin 2023.

Të dhënat u përpunuan nga “Monitor”, bazuar në bilancet e kompanive, të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e operatorëve vijnë në pjesën më të madhe nga reklamat, apo dhe nga sinjalet e transmetimit.

Dy televizionet më të mëdha “TV Klan” dhe “Top Channel” vijojnë të dominojnë dukshëm skenën e ekranit, duke marrë të dyja së bashku 63% të tregut në 2025-n.

Nga 9 televizionet që i kanë raportuar bilancet e 2025-s, vetëm dy prej tyre kanë shënuar rënie të të ardhurave, ndërsa të tjerat kanë arritur të rriten lehtë me ritme një shifrore.

Ndonëse mund të kenë ndikim përmes audiencës, televizionet, sidomos ato të lajmeve, nuk rezultojnë një biznes fitimprurës, me përjashtim të dy të mëdhenjve. Në vitin 2025, rezultati financiar i 9 televizioneve ishte vetëm 550 milionë lekë (më pak se 6 milionë euro), teksa katër prej tyre ishin me humbje.

Duke hequr televizionet me humbje, fitimet ishin 836 milionë lekë, me 87% të të cilave i përkasin “Klan” dhe “Top Channel”. Në krahasim me 2024-n, shumica e televizioneve i përmirësuan fitimet, që gjithsesi mbeten shumë të ulëta në raport me kapitalin që vihet në punë dhe të ardhurat.

Prej vitesh tregu ka hyrë në ngërç, pasi kriza ekonomike dhe mos hyrja e kompanive të reja në vend po ndikon buxhetet e reklamave dhe rrjedhimisht dhe të ardhurat e televizioneve.

Një tjetër ndikim ka ardhur nga zhvillimi i platformave digjitale, ku reklamuesit po kalojnë më shumë buxhet për të arritur audienca më të targetuara. Biznesi i televizioneve duket se po konkurrohet ndjeshëm nga zhvendosja e reklamave në rrjetet sociale dhe në marketingun direkt që bëhet përmes influencuesve.

Më herët, tatimet njoftuan se nisën hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale. Bëhet fjalë për platformat Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal. Tatimet bënë të ditur se nga verifikimet paraprake dyshohet se janë rreth 33 milionë euro të padeklaruara.

Kjo shumë është 47% e të ardhurave që 10 televizionet gjeneruan në 2024-n, me burimin kryesor që janë reklamat e bizneseve.

Problem është dhe mungesa e matjes së audiencës. “Megjithëse aktualisht mungojnë të dhënat zyrtare të publikuara mbi investimin total të publicitetit në mediat e ndryshme, përsëri është lehtësisht e dallueshme se tregu i mediave televizive përthith pjesën më të madhe të këtij investimi.

Ky fakt, e bën tregun e mediave televizive tërheqës nga pikëpamja e investitorëve, por në të njëjtën kohë ekzistojnë barriera si të karakterit rregullator ashtu edhe të karakterit financiar”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

“Mungesa e një tregu të formuar, nxit parashikime teorike, ndërsa mungesa e matësve të audiencës rrit koston e segmentimit”, theksohet në raportin vjetor të Vizion Plus.

Tregu i televizioneve kërkon dhe investime të vazhdueshme, që nuk mundësohen nga të ardhurat dhe rentabiliteti i tij.

“Teknologjia e transmetimeve televizive përjeton një zhvillim shumë të shpejtë, i cili kërkon në mënyrë të vazhdueshme investime teknologjike, jo gjithmonë të përballueshme duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar (popullsi e vogël, dhe të ardhura për frymë të ulëta në krahasim me vendet e Komunitetit Europian”, thuhet në raportin vjetor të “Top Channel”.

 

GARA E TELEVIZIONEVE

“TV Klan” kryeson renditjen si televizioni më i madh në vend prej disa vitesh. Në 2025-n, të ardhurat ishin 2.3 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2% me bazë vjetore.

Sipas raportit vjetor,  burimi kryesor i të ardhurave mbetet transmetimi i spoteve publicitare në televizion (1,3 miliardë lekë), i ndjekur nga të ardhurat nga sinjali (309.0 milionë lekë), të ardhura të tjera televizive, blerja e kohës televizive, reklama në web dhe në platformën OTT, si dhe abonimet OTT.

Televizioni raporti fitime prej 484 milionë lekësh, me rritje 56%, që sipas raportit erdhi kryesisht si rezultat i uljes së kostove për blerjen e të drejtave televizive dhe të shpenzimeve administrative.

“Top Channel” është i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.95 miliardë lekë në 2025, me zgjerim prej 3.3% me bazë vjetore. Fitimet para taksave ishin 242 milionë lekë, me rritje prej 54%.

“Media Vizion” (Vizion Plus)  raportoi të ardhura prej 655 milionë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, pas rritjes dy shifrore të dy viteve të mëparshme. Fitimet mbetën minimale në 25 milionë lekë, nga 22 milionë lekë në 2024-n.

“TV A2” , i katërti më i madh në vend, nuk ka deklaruar ende bilanc për 2025-n. Në 2024-n, të ardhurat ishin 446 milionë lekë, ndërsa fitimet 4.2 milionë lekë.

“ABC News” raportoi rritje të ardhurash me 29%, në 376 milionë lekë, pas rënies në 2024-n. Televizioni deklaroi për herë të parë një fitim prej 85 milionë lekësh.

“Report TV” (MTSC) deklaroi të ardhura prej 309 milionë lekë, me rritje 6%. Televizioni raportoi humbje prej 18 milionë lekësh.

“News 24” ka raportuar rritje të të ardhurave me 6%, në 274 milionë lekë. Televizioni i lajmeve ka deklaruar humbje prej 114 milionë lekësh.

“EuroNews” ka deklaruar rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi, me 4.6%, në 185 milionë lekë. Kompania vijon të dalë me humbje që nga fillimi i aktivitetit, që në 2025-n ra në 109 milionë lekë, nga 139 milionë lekë në 2024-m.

Televizioni “Scan”, me fokus në lajmet ekonomike,shënoi rritje të fortë të të ardhurave, me 46%, në 174 milionë lekë, ndërsa kaloi nga humbjet në fitim minimal.

“MCN TV” (Johaniteri) kishte një vit me rënie të të ardhurave, pas rritjes së fortë në 2024-n. në 2025-n, qarkullimi vjetor ishte 72 milionë lekë, me tkurrje prej rreth 33%, ndërsa vijon të deklarojë humbje, që arritën në 49 milionë lekë.

“Syri TV” nuk deklaron bilanc që nga viti 2023, kur të ardhurat ishin 13 milionë lekë. Tre televizione të tjera janë praktikisht ta falimentuara, ndonëse vazhdojnë të transmetojnë sinjal: FAX NEWS (Fax Media Neës); TV ORA (“Ora” sh.a); ORA NEWS

Marrë nga Monitor

Video

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv me ullishte në fshatin Grizë, pranë Borizanës, duke shkaktuar edhe djegien e një banese. Flakët janë përhapur me shpejtësi që prej mesditës, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Pamje të regjistruara nga një kamerë në makinë tregojnë momentin kur një efektiv policie ndjek një të dyshuar në një parking shumëkatësh të një qendre tregtare. Sipas policisë, drejtuesi i një automjeti tip Mercedes braktisi makinën dhe u largua në këmbë, pasi efektivët e kishin konstatuar duke drejtuar me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të rrezikshme. Pas largimit të tij, një pasagjere femër dyshohet se mori drejtimin e automjetit dhe vijoi lëvizjen, derisa policia e ndaloi makinën duke përdorur një pajisje për shfryrjen e gomave.

Një video virale nga jugut i Japonisë tregon stafin mjekësor i Spitalit të Kumamotos duke mbrojtur me trup pacientin dhe pajisjet gjatë tërmetit të fuqishëm. Pavarësisht lëkundjeve të forta, ekipi ruajti qetësinë dhe arriti ta përfundojë me sukses ndërhyrjen kirurgjikale. Spitali konfirmoi se pacienti është jashtë rrezikut për jetën. Reagimi profesional i mjekëve ka marrë vlerësime të shumta në rrjetet sociale për përkushtimin e treguar në kushte emergjence.

Një fluturim rutinë i kompanisë Jet2 drejt Mbretërisë së Bashkuar u kthye në kaos pasi dy pasagjerë u përleshën me grushte në korridorin e avionit. Stafi i kabinës, me ndihmën e disa udhëtarëve, ndërhyri menjëherë dhe arriti t'i ndante personat. Për shkak të rrezikut për sigurinë, piloti kreu një ulje të paplanifikuar në aeroportin më të afërt, ku policia arrestoi menjëherë dy agresorët. Kompania ajrore ka paralajmëruar se do të marrë masa të ashpra ndaj tyre, përfshirë ndalimin e përhershëm për të udhëtuar me këtë linjë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news