
Një qytetar e ka dërguar këtë foto në redaksinë e VNA dhe shkruan se ndodhet në fshatin Drishtë, në bashkinë Shkodër.
Sipas qytetarit, rruga është rreth 500 metra e gjatë dhe është shtruar nga vetë banorët e zonës, me kursimet e tyre, në mungesë të një investimi nga institucionet publike.
Në mesazhin e tij, qytetari e krahason këtë rrugë me atë të promovuar më herët nga Ulsi Manja në bashkinë Klos, duke ironizuar se edhe pse kjo e Drishtit është realizuar nga banorët me paratë e tyre, pamja sipas tij është e ngjashme me një investim të prezantuar me fonde të qeverisë.
“Kjo është 500 metra rrugë që kanë shtruar me paratë e grumbulluara nga komuniteti i fshatit Drisht në Shkodër dhe krahasojeni me ato rrugë që shtrohen me fondet e shtetit”, shkruan qytetari.
Më herët, VNA raportoi për rrugën në lagjen Kurti të fshatit Gurrë e Vogël në Klos, të cilën Ulsi Manja e kishte prezantuar në rrjetet sociale si një investim që përmirësonte jetën e banorëve.
Postimi u shoqërua me reagime të shumta ironike nga qytetarët, të cilët e kritikuan faktin që një rrugë e tillë po prezantohej si një investim për t’u promovuar. Në komentet e tyre, qytetarët e krahasuan ndërhyrjen me punime që mund të realizohen edhe nga vetë banorët e zonave rurale, duke ironizuar mënyrën se si investime të tilla paraqiten si arritje të qeverisë.
Një prej komentuesve shkruante se rruga i ngjante më shumë një shtegu sesa një investimi publik, ndërsa të tjerë theksonin se rrugë të tilla në fshatra janë rregulluar nga banorët me forcat e tyre.






















