Kandidati ka zhvilluar një formë të nacionalizmit progresist dhe i ka treguar partisë së tij se si ta kthejë epërsinë financiare të republikanëve në disavantazh për ta.
Herë pas here, një garë për Senatin përcakton edhe drejtimin e një partie të tërë. Në vitin 1991, një zyrtar i shtetit i quajtur Harris Wofford – i këshilluar nga strategu i njohur James Carville – e befasoi kundërshtarin e tij republikan, shumë herë më të njohur, pasi fitoi zgjedhjet e posaçme në Pensilvani. Ai e arriti këtë duke premtuar zgjerimin e qasjes në kujdesin shëndetësor, duke krijuar kështu një model për fushatën presidenciale të Bill Klintonit një vit më vonë.
Nëse Abdul El-Sayed arrin ta pasojë fitoren e tij në zgjedhjet paraprake demokratike për Senatin, të mbajtura mbrëmë, me një fitore në zgjedhjet e përgjithshme në Miçigan këtë vjeshtë, atëherë ai mund të ketë krijuar modelin e tij. Pavarësisht se fitoi me një diferencë më të ngushtë nga sa pritej, fushata e tij ofron një shembull se si demokratët në mbarë vendin mund t’i përgjigjen sfidës politike të paraqitur nga Donald Trump.
Duke e paraqitur garën paraprake për Senatin në Miçigan si një tjetër përplasje mes progresistëve sfidues dhe centristëve të establishmentit, mbulimi mediatik i fushatës së El-Sayed kishte prirjen të anashkalonte atë që është vërtet novatore tek ai. Ashtu si Zohran Mamdani dhe socialistët demokratë që kanë fituar vende në Dhomën e Përfaqësuesve në Nju Jork, Pensilvani dhe Kolorado, edhe El-Sayed kërkon t’i japë fund mbështetjes së pakushtëzuar ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Izraelin. Por, ndërsa Mamdani e trajton ndonjëherë çështjen e Izraelit kryesisht përmes gjuhës së të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare – siç bëri në videon e tij të fundit, ku argumentonte se Benjamin Netanjahu duhet të arrestohet si kriminel lufte – mesazhi i El-Sayed mbështetet më tepër te interesi kombëtar. Ai rrallëherë flet për shtetin izraelit pa e lidhur atë me dështimin e Uashingtonit për të zgjidhur problemet brenda vendit.
Në një intervistë të fundit, editori i The New Yorker, David Remnick, e pyeti El-Sayedin nëse ai mbështet zgjidhjen me një shtet apo me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën. El-Sayed nuk e hëngri karremin. Ai u përgjigj se fokusi i tij ishte më pak te “ajo që po ndodh atje sesa te ajo që po ndodh këtu”. Shqetësimi i tij kryesor, shpjegoi ai, ishte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shpenzonin para për armët për Izraelin, ndërkohë që ato fonde mund të përdoreshin për shkollat në Miçigan. Duke pranuar se “besoj në të drejta të barabarta për paqe, dinjitet dhe vetëvendosje, si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët hebrenj”, ai shtoi: “Nuk është detyra ime, si politikëbërës amerikan, të vendos se cila duhet të jetë zgjidhja përfundimtare për paqen. Por është detyra ime të sigurohem që burimet tona të përdoren siç duhet për njerëzit ndaj të cilëve kam përgjegjësi: për ata fëmijë që shkojnë në ato shkolla të rrënuara.”
Duke e lidhur vazhdimisht ndihmën ushtarake amerikane për Izraelin me nevojat e paplotësuara brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, El-Sayed po ndërton një version progresist të sloganit “E para vjen Amerika”. Në vitin 2016, Donald Trump shfrytëzoi pakënaqësinë që ndienin shumë amerikanë pas një dekade e gjysmë luftërash të pasuksesshme në Lindjen e Mesme. Tani, pas gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe luftës së Trumpit kundër Iranit, El-Sayed po e kthen këtë argument në favor të tij. Dallimi është se Trump bashkoi nacionalizmin me imperializmin: ai tha se lufta në Irak ishte një gabim, sepse SHBA-ja u përpoq “të krijonte demokraci perëndimore në vende që nuk kishin as përvojë dhe as interes të bëheshin demokraci perëndimore”; sipas tij, SHBA-ja duhej të kishte marrë naftën e Irakut. El-Sayed, përkundrazi, po bashkon nacionalizmin me progresizmin. Ai nuk sulmon ndihmën humanitare që dikur ofrohej nga USAID. Ai dënon ndihmën ushtarake për Izraelin (si edhe për Egjiptin, vendi ku lindi babai i tij), sepse ajo, sipas tij, njëkohësisht shkel të drejtat e njeriut jashtë vendit dhe u heq amerikanëve burime të nevojshme brenda vendit.
Ky nuk është një mesazh që gjen jehonë vetëm te e majta amerikane. Verën e kaluar, aktivisti konservator i ndjerë Charlie Kirk shkroi në rrjetin X se të rinjtë konservatorë “janë skeptikë për marrëdhëniet e Amerikës me Izraelin” dhe “duan të jenë të sigurt se udhëheqësit amerikanë po vendosin vendin e tyre në radhë të parë”. Një sondazh i kryer në maj nga Institute for Middle East Understanding (Instituti për Njohjen e Lindjes së Mesme) zbuloi se, me një raport pothuajse dy me një, republikanët nën moshën 45 vjeç preferojnë kandidatë që mbështesin uljen e shitjeve të armëve për Izraelin të financuara nga taksapaguesit.
Por fushata e El-Sayed u ofron demokratëve edhe një mësim tjetër. Ai nuk po u tregon vetëm se si ta rimarrin nacionalizmin nga Partia Republikane. Ai po u tregon edhe se si ta kthejnë epërsinë financiare të republikanëve kundër vetë atyre.
Gjatë pesë javëve të fundit të fushatës së tij për zgjedhjet paraprake, Super PAC-et e jashtme që mbështesnin kundërshtaren e tij, përfaqësuesen Haley Stevens, shpenzuan më shumë se dymbëdhjetë herë më shumë për reklama televizive sesa ato që mbështesnin El-Sayedin. Shumica e kandidatëve nuk do të mund ta kapërcenin një pabarazi të tillë. Por El-Sayed e shndërroi atë në një pikë të fortë. Në vijimësi, ai e përdori kundër Stevens mbështetjen financiare që mori ajo nga grupi lobues pro-Izrael AIPAC, i cili kontribuoi me pjesën më të madhe të fondeve të jashtme në favor të saj. Ai e lidhi gjithashtu Stevens me interesa të tjera të caktuara që nuk gëzonin popullaritet. Mbështetësit e tij transmetuan një reklamë televizive që vinte në dukje kontributet financiare që ajo kishte marrë nga kompania energjetike e Miçiganit, DTE Energy, e cila shihet me pakënaqësi nga shumë qytetarë për tarifat e larta dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.
Përqendrimi i pandërprerë i El-Sayedit te burimi i donacioneve të Stevens e shndërroi avantazhin e saj financiar në një barrë elektorale. Kur Sarah Longwell, nga The Bulwark, pyeti një grup votuesish në Miçigan pse nuk e pëlqenin Stevens, “votuesit përmendën në mënyrë të përsëritur AIPAC-un dhe përshtypjen se ajo ishte nën ndikimin e korporatave”.
El-Sayed e përdori këtë lloj manovre politike kundër një kolegeje demokrate. Por këtë vjeshtë, dhe me shumë gjasë edhe në vitin 2028, demokratët në mbarë vendin do të përballen me republikanë që do t’i tejkalojnë ndjeshëm në financimin e fushatave. Donald Trump e ka shndërruar qeverinë federale në një “lopë për t’u mjelë” nga korporatat dhe miliarderët, të cilët përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga administrata e tij dhe më pas ia kthejnë nderin duke financuar fushatat elektorale.
Vetëm Elon Musk njoftoi së fundmi se do të shpenzojë të paktën 100 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet e kësaj vjeshte. Në përgjithësi, sipas raportimit të MS Now në fund të muajit të kaluar, Komiteti Kombëtar Republikan (RNC), komitetet republikane të fushatave për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, si edhe Super PAC-et e lidhura me Partinë Republikane, kanë mbledhur pothuajse 600 milionë dollarë më shumë se homologët e tyre demokratë.
Fushata e El-Sayedit ofron një model se si mund të kundërpërgjigjen demokratët: ta shndërrojnë çështjen e parave në temë kryesore të debatit politik. El-Sayed krijoi një lidhje midis mbështetjes që Haley Stevens mori nga AIPAC dhe qëndrimit të saj në favor të ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin. Por demokratë të tjerë mund t’i paraqesin kundërshtarët e tyre republikanë si njerëz të nënshtruar jo vetëm ndaj AIPAC-ut, por edhe ndaj Elon Muskut, industrisë së fuqishme të naftës, kompanive të mëdha farmaceutike apo industrisë së inteligjencës artificiale (AI), duke vënë në pah lidhjen mes fondeve që marrin për fushatat dhe mbështetjes së tyre për politika që dëmtojnë qytetarët e zakonshëm.
Kjo strategji kërkon që demokratët të heqin dorë nga financimet e korporatave dhe grupeve të interesit dhe të zhvillojnë fushata që mbështeten kryesisht te donacionet e vogla nga qytetarët. Nuk ka asnjë garanci se kjo do të funksionojë. Jo çdo demokrat është në gjendje të përcjellë një mesazh populist me të njëjtën forcë si El-Sayed. Megjithatë, niveli i jashtëzakonshëm i korrupsionit që karakterizon presidencën e Donald Trump dhe hendeku i thellë i pasurisë, i krijuar si rrjedhojë e politikave të tij, u japin demokratëve një mundësi. Kjo do të thotë se modeli i El-Sayedit mund të rezultojë i suksesshëm tej e përtej kufijve të Miçiganit.
Ka shumë arsye pse demokratët kanë pasur vështirësi të mposhtin Partinë Republikane të epokës Trump. Por ndër më kryesoret janë këto: republikanët kanë arritur ta përvetësojnë si nacionalizmin, ashtu edhe populizmin. Nëse Abdul El-Sayed fiton këtë vjeshtë, ai do t’i ketë dhënë partisë së tij një udhërrëfyes se si t’i rimarrë të dyja. Demokratët në të gjithë vendin duhet të mbajnë shënime.






















