Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohet se po e sheh zëvendëspresidentin JD Vance si kandidatin më të mundshëm për ta pasuar në garën presidenciale të vitit 2028.
Sipas një raportimi të The Washington Post, Trump e ka shprehur këtë preferencë gjatë një takimi privat me donatorë në Zyrën Ovale, ku, sipas dy personave të njohur me diskutimin, është shprehur: “Në fund të fundit, ne duhet të zgjedhim JD-në.”
Deri më tani, Trump nuk ka dhënë publikisht një mbështetje zyrtare për ndonjë kandidat që mund të përfaqësojë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Ai ka përmendur si emra të mundshëm si JD Vance, ashtu edhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ndërsa në disa raste ka bërë edhe komente me humor për mundësinë e një mandati të tretë presidencial.
Sipas raportimit, presidenti amerikan është bërë më i hapur ndaj mundësisë së një kandidature të Vance, i ndikuar nga paraqitjet e fundit publike të zëvendëspresidentit dhe përmirësimi i imazhit të tij politik.
Megjithatë, burime pranë Trump theksojnë se është ende herët për të konkluduar se ai ka marrë një vendim përfundimtar. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se kushdo që pretendon se çështja është mbyllur përfundimisht ose po e ekzagjeron situatën, ose nuk e njeh mënyrën se si merr vendime presidenti.
Sipas të njëjtit burim, Trump ka diskutuar privatisht edhe mundësinë e një gare mes JD Vance dhe Marco Rubio. Gjatë një udhëtimi me avionin presidencial Marine One muajin e kaluar, ai thuhet se ka kërkuar mendimin e bashkëpunëtorëve të tij mbi një përballje të mundshme mes dy republikanëve.
Ndërkohë, gjashtë këshilltarë të tjerë nga rrethi politik i Trump kanë paralajmëruar se është ende shumë herët për të përcaktuar se kush do të marrë mbështetjen përfundimtare të presidentit për zgjedhjet e vitit 2028.
Një këshilltar i afërt me Trump tha se presidenti “e ka vendosur privatisht që Vance do të jetë trashëgimtari i Partisë Republikane”, por shtoi se mbetet e paqartë nëse kjo do të shoqërohet me një mbështetje zyrtare gjatë fushatës.
Sipas të njëjtit burim, Trump do të dëshironte të shihte edhe Marco Rubion në garë me Vance, ndërsa nuk dihet ende nëse Rubio do të pranonte një rol si kandidat për nënpresident në një biletë presidenciale të drejtuar nga JD Vance në zgjedhjet e vitit 2028.






















