Bota 2026-10-06 19:14:03 Nga VNA

Franca në valën e protestave studentore, përplasje në Paris e Strasburg/ Trump: “Nuk bëhet fjalë për shkollat, por për Islamin”

Ndaje në Whatsapp
Franca në valën e protestave studentore, përplasje në Paris

Qindra mijëra studentë, mësues dhe prindër kanë dalë sërish në rrugët e Francës, në atë që konsiderohet dita më e madhe e mobilizimit që prej nisjes së protestave të gjimnazistëve, tre javë më parë.

Manifestime janë zhvilluar në rreth 30 qytete. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 256 mijë persona morën pjesë në të gjithë vendin, prej të cilëve 56 mijë në Paris. Organizatat studentore japin shifra shumë më të larta, duke pretenduar deri në 450 mijë protestues në nivel kombëtar dhe 100 mijë në kryeqytet.

Në Paris, marshimi kryesor kaloi kryesisht pa incidente, por në fund të tij pati përplasje mes policisë dhe grupeve të vogla të protestuesve, ndërsa disa persona u ndaluan. Incidente u raportuan gjithashtu në Strasburg, Rennes dhe Lyon, ku mbetën të plagosur 11 persona, nëntë prej tyre policë. Në Marseille dhe Nantes protestat u zhvilluan më qetë.

Protestuesit kërkojnë më shumë mësues, klasa me më pak nxënës, përmirësimin e godinave dhe më shumë financime për arsimin publik. Ditët e fundit protestës i është shtuar edhe kundërshtimi ndaj mënyrës se si policia ka ndërhyrë gjatë demonstratave.

Kriza ka mbërritur deri në Pallatin Élysée, ku presidenti Emmanuel Macron thirri urgjentisht kryeministrin Sébastien Lecornu dhe disa ministra për të diskutuar situatën. Qeveria druhet se protesta e nisur në gjimnaze mund të bashkohet me pakënaqësinë më të gjerë sociale, ndërsa Franca ndodhet gjashtë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale dhe ekzekutivi po përgatit një buxhet nën presionin e uljes së deficitit dhe borxhit.

Në protestën e Parisit mori pjesë edhe lideri i La France Insoumise, Jean-Luc Mélenchon, i cili e cilësoi lëvizjen si më të fuqishmen të të rinjve në Francë në 50 vitet e fundit dhe u bëri thirrje protestuesve të tregohen të kujdesshëm.

Trump: “Nuk bëhet fjalë për shkollat”

Protestat franceze kanë marrë ndërkohë edhe një dimension ndërkombëtar pas ndërhyrjes së presidentit amerikan Donald Trump.

Në një postim në Truth Social, Trump e lidhi situatën në Francë me politikën europiane të emigracionit, duke deklaruar se ajo që po ndodh është rezultat i “emigracionit masiv jashtë kontrollit”.

“Nuk bëhet fjalë për shkollat, bëhet fjalë për Islamin që kërkon të marrë kontrollin e një vendi që dikur ishte i madh”, deklaroi Trump, sipas raportimit të medias italiane.

Mbi 6 mijë të ndaluar që nga fillimi i protestave

Kryeministri Lecornu deklaroi në Asamblenë Kombëtare se që nga nisja e protestave janë plagosur 215 studentë dhe 85 punonjës të arsimit, mes tyre 34 drejtorë dhe zëvendësdrejtorë shkollash.

Sipas shifrave të paraqitura prej tij, janë plagosur gjithashtu mbi 700 policë dhe xhandarë, ndërsa janë kryer më shumë se 6.100 ndalime, shumica dërrmuese të të cilave kanë përfshirë të mitur.

Qeveria ka tentuar të ulë tensionet duke lejuar fleksibilitet të plotë të orareve në gjimnaze deri në fund të javës, në mënyrë që nxënësit të organizojnë takime dhe debate brenda shkollave. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, ka premtuar gjithashtu përgjigje brenda tetë ditësh për shkollat që vuajnë më shumë mungesën e mësuesve dhe zëvendësuesve.

Tensionet janë rritur edhe për shkak të rasteve të dhunës gjatë ndërhyrjeve policore. Një 14-vjeçar në Saint-Ouen-l’Aumône pësoi fraktura të nofullës dhe dëmtime të rënda në dhëmbë pasi u godit në fytyrë nga një granatë lotsjellëse e qëlluar nga afër. Polici i përfshirë është marrë zyrtarisht nën hetim, pezulluar nga detyra dhe vendosur nën kontroll gjyqësor.

Në Lens, një 15-vjeçar humbi një dorë pas shpërthimit të një granate të përdorur nga forcat e rendit. Inspektorati i policisë franceze po heton rrethanat e ngjarjes.

Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez ka hedhur poshtë akuzat për përdorim joproporcional të forcës, duke argumentuar se kur protestat kalojnë në dhunë urbane, policia nuk ndodhet më përballë një operacioni të zakonshëm të ruajtjes së rendit. Sindikatat, organizatat e të drejtave të njeriut dhe studentët, nga ana tjetër, akuzojnë policinë për përdorim të tepruar të forcës, veçanërisht ndaj protestuesve të mitur.

Video

‘Ndaloni!’, kryebashkiaku ndërhyn mes policisë dhe studentëve Kryebashkiaku i Saint-Denis, Bally Bagayoko, ka ndërhyrë në një moment tensioni mes policisë dhe studentëve që po protestojnë prej disa ditësh në Francë. Në një video që qarkullon në rrjetet sociale, dëgjohet Bagayoko duke iu drejtuar policëve me fjalën “Ndaloni!”, ndërsa më pas del përpara protestuesve, në përpjekje për t’i mbrojtur dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news