Bota 2026-10-05 10:37:16 Nga VNA

Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme, Sánchez cakton votimin më 29 nëntor pas krizës së banesave

Ndaje në Whatsapp
Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme, Sánchez cakton votimin

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare për 29 nëntor, pas një periudhe tensioni politik dhe dështimit të qeverisë së tij për të miratuar në Parlament masat emergjente për krizën e strehimit. 

Sánchez e bëri njoftimin të hënën përmes një deklarate televizive, duke argumentuar se është e nevojshme të rinovohet mbështetja e qytetarëve për të kapërcyer bllokimin në Parlament. Qeveria e tij socialiste është në pakicë dhe gjatë mandatit të fundit ka pasur vështirësi për të siguruar votat e nevojshme për disa prej nismave kryesore. 

Vendimi erdhi vetëm pak ditë pasi Parlamenti rrëzoi dy dekrete të qeverisë për strehimin. Masat parashikonin ndër të tjera mbrojtje më të madhe nga dëbimet, përfshirë ndalimin e tyre për kategori të caktuara deri në vitin 2030, si dhe rregullimin e kontratave të përkohshme të qirasë dhe dhënies me qira të dhomave. Kundër tyre votuan Partia Popullore (PP), Vox dhe partia katalanase Junts. 

Kriza e banesave është kthyer ndërkohë në një nga problemet më të mëdha sociale në Spanjë. Rritja e çmimeve të qirave dhe vështirësitë për të siguruar një banesë kanë nxitur protesta në Madrid dhe dhjetëra qytete të tjera. Vetëm në demonstratën e së shtunës në Madrid, autoritetet raportuan rreth 70 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët pretenduan një numër shumë më të lartë. 

Protestat u intensifikuan edhe pas rastit të një gruaje 87-vjeçare në Madrid, e cila u dëbua nga banesa ku kishte jetuar për rreth 70 vjet, pasi nuk mund të përballonte rritjen e kërkuar të qirasë. Rasti u kthye në simbol të debatit kombëtar për përballueshmërinë e banesave. 

Në deklaratën e tij, Sánchez pranoi se qeveria kishte bërë gabime dhe se nuk kishte arritur të realizonte gjithçka që kishte premtuar. Ai tha se vendimi për drejtimin që duhet të marrë vendi tashmë duhet t’u kalojë qytetarëve përmes votës. 

Opozita konservatore e Partisë Popullore, e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, e mirëpriti shpalljen e zgjedhjeve. PP prej kohësh kishte kërkuar shpërndarjen e Parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. 

Zgjedhjet ishin parashikuar normalisht për vitin e ardhshëm, por votimi i 29 nëntorit 2026 do t’i çojë spanjollët në kutitë e votimit disa muaj më herët. Kriza e banesave, kostoja e jetesës dhe aftësia e qeverisë për të siguruar shumicë parlamentare pritet të jenë ndër temat kryesore të fushatës. 

Video

Sali Berisha paraqitet në SPAK në zbatim të masës "detyrim paraqitje".

Protestë para Kuvendit të Kosovës: “Votoni ligjin kundër Gjykatës Speciale”.

Bota në një minutë..

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news