Tradita e famshme bavareze e Oktoberfest-it po përhapet me shpejtësi në Britani, ku dhjetëra qytete po organizojnë versionet e tyre të festivalit gjerman me birrë, ushqim tradicional, muzikë dhe veshje karakteristike.
Nga Belfasti në Cardiff, Cambridge, Londër e deri në Folkestone, tendat e mëdha, kostumet lederhosen, muzika “oompah”, bratwurst-et dhe gotat e mëdha të birrës po tërheqin mijëra vizitorë.
Një nga shembujt është Wünder Harbour në Folkestone, i cili nisi në vitin 2023 si një aktivitet vetëm për një fundjavë. Për shkak të interesit të madh, këtë vit festa është zgjeruar në katër fundjava.
Por organizatorët thonë se fenomeni nuk lidhet vetëm me alkoolin. Aktivitetet gjatë ditës tërheqin edhe familje me fëmijë, ndërsa përveç birrës ofrohen ushqime, muzikë live dhe forma të ndryshme argëtimi.
Edhe në qytete të tjera interesi po rritet. Oktoberfest-i në Shropshire tërhoqi rreth 6 mijë persona kur u organizua për herë të parë në vitin 2017, ndërsa vitin e kaluar numri ishte dyfishuar në rreth 12 mijë vizitorë.
Organizatorët besojnë se një pjesë e suksesit lidhet edhe me rrjetet sociale. Veshjet tradicionale, tavolinat e gjata, muzika dhe gotat karakteristike krijojnë skena që vizitorët duan t’i fotografojnë dhe t’i shpërndajnë në Instagram e TikTok.
Oktoberfest-i origjinal lindi në Mynih në vitin 1810, ndërsa sot është festivali më i madh i birrës në botë. Vitin e kaluar ai tërhoqi rreth 6.5 milionë vizitorë, të cilët konsumuan po rreth 6.5 milionë litra birrë.
Fenomeni britanik tregon se festa gjermane tashmë po shndërrohet në një eksperiencë ndërkombëtare, ku ushqimi, muzika, kostumet dhe atmosfera po bëhen po aq të rëndësishme sa vetë birra.






















