Të kenë një karrierë, të kujdesen për fëmijët, të mbajnë familjen, të gjejnë kohë për partnerin dhe njëkohësisht të kujdesen për veten. Për shumë nëna të brezit millennial, përpjekja për t’i bërë të gjitha po kthehet në një burim të vazhdueshëm lodhjeje.
Një analizë e The Guardian, e mbështetur te historitë e nënave australiane dhe të dhënat mbi punën dhe familjen, tregon se gratë sot janë më të arsimuara dhe më të pranishme në tregun e punës se brezat e mëparshëm, por nuk kanë reduktuar në të njëjtën masë kohën që shpenzojnë për kujdesin ndaj fëmijëve.
Të dhënat e Australian Bureau of Statistics tregojnë se 54.6% e grave me partner dhe fëmijë nën 15 vjeç thonë se janë nën presion të vazhdueshëm të kohës. Për nënat e vetme kjo shifër arrin në 56%.
Problemi është edhe ekonomik. Sipas të dhënave të cituara në analizë, kostoja e rritjes së dy ose më shumë fëmijëve në Australi ka arritur të paktën 36,500 dollarë australianë në vit. Në të njëjtën kohë, familjet mbështeten gjithnjë e më shumë te dy paga për të përballuar shpenzimet.
Studiuesit argumentojnë se ndryshimet në shtëpi nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm si ndryshimet në tregun e punës. Gratë bëjnë më shumë punë të paguar se më parë, por vazhdojnë të kryejnë dukshëm më shumë orë kujdesi sesa burrat.
Rezultati është një brez nënash që shpesh ndihen të ndara mes karrierës dhe familjes, ndërkohë që presioni për të qenë njëkohësisht profesioniste të suksesshme dhe prindër të përkushtuara mbetet i lartë.






















