
Kryeministri i ri britanik Andy Burnham ka hapur një seli të re qeveritare në Manchester, të cilën e ka pagëzuar “Nr. 10 Veri”, si një referencë ndaj zyrës së kryeministrit në “10 Downing Street” në Londër. Nisma synon të sjellë një pjesë të vendimmarrjes ekonomike më pranë qyteteve dhe rajoneve jashtë kryeqytetit.
Burnham, i cili mori detyrën duke pasuar Keir Starmer, po kërkon të shënojë një ndryshim të shpejtë në mënyrën e funksionimit të qeverisë, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si përqendrim prej dekadash të vendimeve ekonomike në Londër.
Ish-kryetari i bashkisë së Mançesterit të Madh do ta përdorë këtë zyrë edhe për drejtimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, një strukturë e rikrijuar në nivel kabineti, ku do të marrin pjesë ministra të lartë dhe drejtues rajonalë për të bashkërenduar strategjinë ekonomike të qeverisë.
Ky këshill ishte krijuar fillimisht në vitin 2008, gjatë krizës financiare globale, nën drejtimin e qeverisë së kryeministrit Gordon Brown, me qëllim koordinimin e masave ekonomike të qeverisë.
Duke prezantuar selinë e re, Burnham e cilësoi atë si një “qendër operacionesh për përmirësimin e Britanisë”, e cila do të ndihmojë në transferimin e kompetencave nga Westminster drejt komuniteteve lokale.
Megjithatë, vendimi është kritikuar nga opozita. Liderja e konservatorëve, Kemi Badenoch, vuri në pikëpyetje ndikimin kombëtar të kësaj nisme, duke deklaruar se Burnham “sillet sikur është ende kryebashkiak i Manchesterit” dhe se duhet të fokusohet te sfidat më të gjera të vendit.
Selia e re “Nr. 10 Veri” do të funksionojë fillimisht nga Heron House në qendër të Manchesterit, një ndërtesë që shërben edhe si bazë rajonale për agjencinë britanike të inteligjencës dhe sigurisë kibernetike, GCHQ.
Sipas planit të qeverisë, Burnham pritet të punojë një ditë në javë nga Manchesteri, ndërsa edhe ministra të tjerë do të përdorin rregullisht këtë zyrë. Deri në fund të vitit të ardhshëm, rreth 300 nëpunës civilë pritet t’i bashkohen kësaj qasjeje të re.
Hapja e “Nr. 10 Veri” përbën një nga hapat kryesorë të vizionit të Burnham për decentralizimin e pushtetit dhe transferimin e më shumë kompetencave nga qendra politike në Londër drejt qyteteve dhe rajoneve të tjera të Britanisë.






















