Bota 2025-11-04 18:39:00 Nga VNA

Pezullohet hetimi kundër Dodikut dhe të tjerëve për “sulm ndaj rendit kushtetues” të Bosnjës

Ndaje në Whatsapp
Pezullohet hetimi kundër Dodikut dhe të tjerëve për

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës pezulloi hetimin kundër ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ish-kryeministrit të Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviç, dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiç, të cilët dyshoheshin për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës, iu konfirmua Radios Evropa e Lirë më 4 nëntor.

Arsyeja për pezullimin e hetimit, siç iu tha REL-it, është se “nuk ka prova të mjaftueshme që të dyshuarit kanë kryer vepër penale”.

Vendimi për pezullimin e hetimit do të thotë se nuk do të ngrihet asnjë aktakuzë.

Ai vjen disa ditë pasi Dodik dhe partnerët e tij politikë e biznesorë u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Lënda u krijua në fillim të vitit, pasi Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi disa ligje që ndalonin funksionimin e institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e këtij entiteti, e të cilat Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i shpalli jokushtetuese.

Zyra e Prokurorit tha atëkohë se ka arsye për të dyshuar se tre zyrtarët më të lartë të entitetit serb të Bosnjës kanë organizuar një përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues të shtetit.

Hetimi ishte në qendër të vëmendjes së publikut për muaj të tërë.

Ngjarja kulmoi në mars të këtij viti, kur Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës, për shkak të mosreagimit të tyre ndaj thirrjeve për t’u marrë në pyetje, urdhëroi ndalimin e tyre dhe lëshoi një urdhër arresti.

Ai ishte i vlefshëm që nga 17 marsi dhe të gjitha agjencitë policore në Bosnje dhe Hercegovinë kishin urdhër për ndalimin e tyre.

Dodik shkoi vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës më 4 korrik, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.

Ai u mor në pyetje si i dyshuar në hetime.

Në atë seancë, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës mori vendim për heqjen e paraburgimit, me kushtin që ai të paraqitej periodikisht tek organet kompetente të policisë.

Kodi Penal i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalesë të mbajtjes së posteve publike për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Dodikut, ndërkohë, iu mor zyrtarisht mandati si president i Republikës Sërpska, pasi u dënua me një vit burg dhe me një ndalesë gjashtëvjeçare të mbajtjes së posteve politike publike.

Radovan Vishkoviç dha dorëheqje si kryeministër i Republikës Sërpska, ndërsa Nenad Stevandiq vazhdon të shërbejë si kryetar i Kuvendit të entitetit./REL 

Video

Agron Shehaj “rrëmben” kopjen e vetme të marrëveshjes me SHBA-në dhe largohet me vrap nga salla. Situata e pazakontë ndodhi në Kuvend pasi administrata nuk kishte kopje për të gjithë deputetët dhe kërkoi që dokumenti konfidencial të lexohej nga 140 deputetë në një sallë të vogël.

Tensione në Kuvend për marrëveshjen me SHBA. Seanca plenare u ndërpre pasi opozita bllokoi foltoren në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për ta shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Mes përplasjeve në sallë, Peleshi mbylli seancën dhe njoftoi se ajo do të rifillojë në orën 15:00, pasi projektmarrëveshja të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare.

Tensionohet protesta para Kuvendit, protestuesit hedhin vezë drejt efektivëve. Policia përgjigjet me spraj lotsjellës

Pesë persona janë shoqëruar deri më tani nga policia pas përplasjeve që kanë shoqëruar protestën pranë Kuvendit. Mes tyre është edhe Arben Kola, një nga organizatorët e protestës. Kola shihet teksa terhiqet nga këmbët e duart nga disa efektivë policie, ndërsa mban ende në dorë megafonin që përdorte gjatë protestës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news