Bota 2025-09-19 07:29:00 Nga VNA

Franca në rrezik të bëhet “i sëmuri i ri i Europës”

Ndaje në Whatsapp
Franca në rrezik të bëhet “i sëmuri i ri i

Franca po përballet me një krizë të thellë politike e ekonomike, aq sa mediat italiane e kanë komentuar me ironi situatën në vendin fqinj. Në më pak se dy vite, Parisi ka ndërruar pesë kryeministra – një rekord që tejkalon edhe periudhat më të trazuara politike të Romës pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas shpërndarjes së parlamentit nga presidenti Emmanuel Macron në verën e vitit 2024, vendi mbeti me një Asamble të ndarë në tre blloqe – qendër, të majtë dhe të djathtë ekstreme – që bllokojnë njëri-tjetrin, duke e bërë pothuajse të pamundur miratimin e buxhetit. Kjo krizë politike u pasua nga greva të përgjithshme dhe protesta masive, ku mijëra mësues, farmacistë dhe punonjës të transportit publik u larguan nga puna.

Ndërkohë, ekonomia është nën presion të madh. Borxhi publik ka arritur mbi 3 trilionë euro, ose 114% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Vetëm këtë vit, shpenzimet për shlyerjen e interesave kapin shifrën e 67 miliardë eurove, më shumë se buxheti i shumicës së ministrive. Parashikimet tregojnë se deri në fund të dekadës kjo kosto do të arrijë në 100 miliardë euro në vit. Agjencia “Fitch” e uli javën e kaluar vlerësimin e borxhit francez, duke rritur dyshimet mbi aftësinë e qeverisë për të përballuar pagesat.

Këto zhvillime po ngrenë frikën se Franca mund të detyrohet të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ose ndërhyrjen e Bankës Qendrore Europiane – një skenar që dikur dukej i pamundur.

Pas dështimeve të Michel Barnier e François Bayrou si kryeministra, Macron i ka besuar detyrën e re qeverisë Sébastien Lecornu, një 39-vjeçar besnik i tij. Analistët thonë se ky emërim e bën praktikisht presidentin edhe kryeministër, pasi të dy ndajnë të njëjtën vizion dhe stil drejtimi.

Megjithatë, koha nuk është në anën e Macron. Ai ka vetëm 18 muaj të mbetur në mandatin e tij të dytë dhe përballë ka një vend të polarizuar, me borxhe në rritje dhe një shoqëri të acaruar.

Sipas analistit Nicolas Baverez, “në një moment kritik kur në rrezik janë sovraniteti dhe liria e Francës e Europës, vendi është i paralizuar nga kaosi, pafuqia dhe borxhi”.

Franca ka ende forca të brendshme – pasuri, infrastrukturë dhe institucione solide – që mund ta ndihmojnë të kalojë krizën. Por, nëse këto nuk mjaftojnë, rreziku që ajo të kthehet në “të sëmurin e ri të Europës” duket gjithnjë e më real.

Video

Pamje të reja janë publikuar nga sulmi rus me dron në Kiev, ku shihet momenti kur një mjet ajror godet Urën Veriore, ndërsa automjete po qarkullonin mbi të. Sulmi i 4 tetorit shkaktoi dëmtime në sipërfaqen e urës dhe në infrastrukturën përreth. Autoritetet ukrainase njoftuan kufizime të përkohshme të qarkullimit pas goditjes. Rusia ka konfirmuar goditjen e urës, duke pretenduar se ajo përdorej për transport ushtarak, ndërsa pamjet e publikuara në rrjet tregojnë shpërthimin shumë pranë automjeteve në lëvizje.

Sërish momente tensioni para përballjes mes Irlandës dhe Izraelit. Gjatë himnit kombëtar izraelit, për të dytën herë, futbollistët irlandezë qëndruan me kokën ulur, në një gjest proteste ndaj Izraelit për shkak të genocidit në Gaza. Tensionet u reflektuan edhe në ceremoninë para ndeshjes, me kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz që nuk shtrënguan duart. Ky ishte rasti i dytë brenda një jave që mes dy skuadrave mungoi shtrëngimi tradicional i duarve. Të dyja kombëtaret mbanin gjithashtu shirita të zinj, por me simbolikë të ndryshme: Izraeli në kujtim të viktimave të 7 tetorit, ndërsa Irlanda në nderim të të gjitha jetëve të humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Tensione janë regjistruar në Berlin, ku policia gjermane ndërhyri gjatë një proteste ku merrnin pjesë edhe mbështetës të Palestinës. Pamjet e publikuara nga TRT Haber tregojnë forca të shumta policie mes turmës dhe momente përplasjesh me protestuesit. Tubimi ishte pjesë e një demonstrate më të gjerë kundër luftës, riarmatimit dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve protestuan edhe kundër veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kur ke pasur Lulin mësues matematike në gjimnaz

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news