
Bashkimi Europian nuk hyn në komentimin e dosjes së Vlora Hysenit, por mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë: Komisioni Europian shpreh besim të plotë te SPAK për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar.
I pyetur për çështjen që ka përfshirë ish-drejtuesen e SHISH dhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj, zëdhënësi i Komisionit Europian për zgjerimin, Guillaume Mercier, tha se Brukseli nuk komenton çështje në proces. Mercier është zyrtarisht zëdhënësi i Komisionit për zgjerimin.
Megjithatë, menjëherë pas rezervës për rastin konkret, ai dha një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionin që po heton dosjen.
“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.
Më tej, zëdhënësi i Komisionit Europian shprehu hapur mbështetjen për SPAK:
“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar.”
Pra, Brukseli nuk merr pozicion mbi fajësinë apo pafajësinë e Vlora Hysenit dhe nuk komenton provat e dosjes. Por në planin institucional, qëndrimi i tij vendoset qartësisht në mbështetje të SPAK dhe të vijimit të hetimit.
Mercier konfirmoi gjithashtu se komunikimi me autoritetet shqiptare vazhdon.
“Në një këndvështrim më të gjerë, ne jemi gjithmonë në kontakt me homologët shqiptarë”, tha ai.
Ndërsa për vlerësimin më të plotë të Brukselit mbi Shqipërinë, zëdhënësi la një tjetër pikë referimi: raportin e ardhshëm të zgjerimit.
“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim.”
Kështu, ndërsa në Tiranë dosja e ish-drejtueses së SHISH është kthyer në një përplasje të fortë politike, nga Brukseli vjen një mesazh institucional: pa koment për çështjen konkrete dhe pa paragjykim të procesit, por me besim të deklaruar te SPAK për ta hetuar atë deri në fund.






















