Sociale 17 Korrik 2025, 08:07 Nga VNA

Direktiva e BE-së kundër korrupsionit qëndron në një fije peri

Ndaje në Whatsapp
Direktiva e BE-së kundër korrupsionit qëndron në një

Një shkrim i publikuar në Politico nga ligjëruesi i së drejtës në King’s College London, Andi Hoxhaj, trajton ngërçin rreth direktivës së re anti-korrupsion të Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë mbi debatin për riklasifikimin e veprës së “shpërdorimit të detyrës”. Në analizën e tij, Hoxhaj përfshin edhe Shqipërinë si shembull kontrastues, duke theksuar se ndryshe nga disa vende anëtare të BE-së që kërkojnë dekriminalizimin e kësaj vepre, në Shqipëri ai po e përdoret aktivisht për të ndjekur zyrtarë të nivelit të lartë.

Andi Hoxhaj është ligjërues i së drejtës dhe drejtor i programit master në të Drejtën Evropiane (LLM) në King’s College në Londër. Ai është autor i librit “Raporti Anti-Korrupsion i BE-së: Një Qasje e Qeverisjes Refleksive”.

Në vitin 2023, Bashkimi Evropian propozoi një direktivë kundër korrupsionit, në përgjigje të disa skandaleve të njëpasnjëshme si Qatargate, Huawei dhe Uber Files. Propozimi synonte gjithashtu të adresonte regresin në respektimin e shtetit të së drejtës dhe faktin që disa vende anëtare kishin rënë në renditjen e Transparency International për Perceptimin e Korrupsionit.

Duke vënë në pah se korrupsioni vazhdon të jetë një problem i thellë në BE, qëllimi i direktivës është të unifikojë përkufizimet për veprat penale të korrupsionit dhe të vendosë dënime të përbashkëta në të gjithë bllokun. Deri tani, sipas procedurave të BE-së, projektligji u paraqit nga Komisioni Evropian në vitin 2023 dhe Parlamenti Evropian bashkë me Këshillin e BE-së kanë rënë dakord për pjesën më të madhe të përmbajtjes së tij.

Por, që nga fundi i qershorit, negociatat kanë hyrë në ngërç për shkak të tre propozimeve të kontestuara në tekstin e direktivës. Pika më e nxehtë e debatit është për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” nga zyrtarët publikë. Kundërshtarët kërkojnë që kjo të mos klasifikohet më si vepër penale, por vetëm si shkelje administrative.

Thënë thjesht, direktiva anti-korrupsion ndodhet në një pikë kritike. Pyetja është: a do të tregojë më në fund BE-ja vullnet politik të vërtetë, apo gjithçka do të mbetet si më parë?

Italia dhe Gjermania po udhëheqin aktualisht kundërshtimin, të mbështetura nga Hungaria, Luksemburgu dhe Holanda. Sipas tyre, dispozita është e paqartë, shumë e gjerë dhe e hapur ndaj keqpërdorimeve, pasi mund të përdoret për të ndjekur penalisht zyrtarë publikë në funksion të një “shfaqjeje publike” të luftës kundër korrupsionit. Ata argumentojnë gjithashtu se kjo mund të dekurajojë zyrtarët të punojnë në administratën publike apo të miratojnë projekte me financim publik nga frika se mos ndjeken penalisht.

Italia vetë e hoqi nga Kodi Penal veprën e “shpërdorimit të detyrës” në vitin 2024, pas thuajse një shekulli që kishte qenë pjesë e ligjit penal. Kështu që përfshirja e kësaj vepre në direktivën e BE-së do të kërkonte rikthimin e saj në ligjin kombëtar italian. Vendimi për dekriminalizimin u motivua nga fakti se ligji pengonte marrjen e vendimeve në nivel lokal dhe qendror, me zyrtarët që ngurronin të shpërndanin fonde publike nga frika e ndjekjes penale. Për më tepër, ishte shndërruar në një instrument politik për ndjekje të motivuara, ndërkohë që statistikat tregonin se vetëm 9 nga 5,000 çështje penale përfundonin me dënime.

Disa vende të tjera anëtare të BE-së mbështesin këtë qasje, por e vërteta është se shndërrimi i kësaj vepre në shkelje administrative do të lehtësonte praktikat si klientelizmi, nepotizmi dhe korrupsioni i bardhë, duke krijuar mjegullnajë ligjore për rastet e konfliktit të interesit.

Parlamenti Evropian e konsideron ruajtjen e shpërdorimit të detyrës si vepër penale një vijë të kuqe, thelbësore për përpjekjet e BE-së për të luftuar në mënyrë të njëtrajtshme korrupsionin. Ky është një problem serioz në BE dhe, deri më tani, ajo ka dështuar vazhdimisht të miratojë ligje të forta për ta luftuar atë — e aq më pak për t’i zbatuar në mënyrë efektive.

Pikërisht për këtë arsye, më 2 qershor, 57 organizata të shoqërisë civile publikuan një letër të hapur, duke u bërë thirrje liderëve të BE-së të tregojnë vullnet të vërtetë politik, dhe të vendosin një standard më të lartë për integritetin dhe llogaridhënien në të gjithë bllokun. Ato kanë të drejtë: BE-ja mund të bëjë hapa të mëdhenj përpara me këtë ligj. Ndërsa një direktivë e zbutur do të jepte sinjalin e gabuar — si për qytetarët e vet, ashtu edhe për botën, veçanërisht për vendet kandidate, të cilave BE-ja u kërkon luftë kundër korrupsionit si parakusht për anëtarësim.

Apo vallë po ndodh që për vetë BE-në të vlejë një ligj, e për vendet aspirante një tjetër?

Herën e fundit që BE-ja vlerësoi ndikimin ekonomik të korrupsionit ishte në vitin 2014, dhe rezultoi se ai i kushton më shumë se 120 miliardë euro në vit, ndërsa disa studime e çojnë këtë shifër deri në 179 miliardë euro. Megjithatë, organizatat joqeveritare dhe indikatorët ndërkombëtarë sugjerojnë se korrupsioni është ende në rritje brenda BE-së. Për shembull, gjatë pandemisë së Covid-19, thuajse të gjitha vendet e BE-së (25 nga 27) raportuan një rritje të ndjeshme të tenderëve me vetëm një ofertues — një shenjë klasike e tenderëve të manipuluar.

Në kontrast, SPAK-u në Shqipëri ka ndjekur penalisht pothuajse të gjithë zyrtarët publikë — përfshirë ish-presidentë, ish-kryeministra, ministra dhe kryetarë bashkish — për shpërdorim detyre. Dhe e ka bërë këtë në bazë të një dispozite penale të modeluar pas ligjit penal italian, të cilin më parë vetë BE-ja e promovonte.

Ndërkohë, pezullimi nga SHBA-ja i Aktit Kundër Praktikave të Korrupsionit Jashtë Shtetit (FCPA) dhe shpërbërja e njësive kundër kleptokracisë shënojnë një tërheqje të madhe nga përpjekjet globale për të luftuar korrupsionin — dhe kjo e bën edhe më urgjente që BE-ja të njohë rolin e saj në skenën ndërkombëtare.

Vendet anëtare të BE-së duhet të tregojnë lidership të vërtetë dhe të përballen me mesazhin që po japin aktualisht: që BE-ja nuk është serioze për të luftuar korrupsionin brenda vetes, ndërkohë që mban moralin lart në negociatat e anëtarësimit, qoftë me Ukrainën apo me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Vendet anëtare duhet të përmbushin detyrën dhe të miratojnë një direktivë të fuqishme kundër korrupsionit që do të ketë ndikim real në BE dhe përtej saj — pa vonesa të mëtejshme.

https://www.politico.eu/article/eu-anti-corruption-directive-scandals-penalties/

Video

Të shtëna me armë në një shkollë katolike në SHBA, dyshohet se ka disa viktima Të paktën 10 persona janë qëlluar dhe dyshohet se disa prej tyre kanë humbur jetën, pas disa të shtënash me armë zjarri në një shkollë katolike në Minneapolis, Minesota të SHBA-së. Raportet e mediave lokale thonë se dy persona janë vrarë dhe katër janë plagosur rëndë, ndërsa dyshohet se një bombë, mund të jetë vendosur brenda ndërtesës. Incidenti i përgjakshëm ndodhi rreth orës 8:30 të mëngjesit të së mërkurës kur policia u thirr për raportime për të shtëna në kishë. Dëshmitarët përshkruan një burrë të veshur me të zeza dhe që mbante një pushkë gjahu. Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha në një postim se incidenti ndodhi në shkollë, ndërsa mbërriti menjëherë në vendngjarje.

? HISTORI NGA HAPËSIRA! SpaceX sapo shkroi historinë me fluturimin e 10-të provë të Starship ?. Pas disa dështimesh të mëparshme, anija gjigante e Elon Musk u ngrit nga Starbase, Teksas dhe, pas 66 minutash në hapësirë, realizoi një ulje të kontrolluar në Oqeanin Indian ??. Shiko videon e uljes mbresëlënëse dhe mëso pse ky sukses po cilësohet si pikë kthese për eksplorimin hapësinor! ?✨ https://vna.al/teknologji/starship-i-spacex-shenon-sukses-historik-ne-fluturimin-e-10-te-prove--i13734

IKMT zbarkon këtë mëngjes në zonën e Drimadhes në Dhërmi. Në fokus shembja e një objekti me konstruksion metalik. Objekti sipas IKMT ka dalë jashtë lejes së ndërtimit. Shembja e objektit do të kryhet me mjetet e IKMT dhe jo me shpërthim. Aksioni i IKMT vijon prej disa ditësh, ndërsa në fokus shembja e objekteve që nuk janë klasifikuar nga legalizimi ose nuk kanë leje ndërtimi.

Pamjet nga momenti i ndalimit dhe arrestimit në Tunelin e Murrizit? Policia ka arrestuar një 22 vjeçar, në Tunelin e Murrizit, pasi është kapur duke transportuar armë për llogari të grupeve kriminale. Në automjetin e Ardit Doçit, banues në Burrel, Policia gjeti dhe sekuestroi: • 2 armë zjarri kallashnikov • 4 krehra municioni • automjetin dhe celularin e të arrestuarit

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme