Kronika 17 June 2025, 12:24 Nga VNA

Dëshmia e plotë e Erion Alibej: Si u organizua vrasja e Bujar Çelës, hakmarrja për vëllain dhe lidhjet me rrjetin kriminal

Ndaje në Whatsapp
Dëshmia e plotë e Erion Alibej: Si u organizua vrasja e Bujar

I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka rrëfyer me detaje një seri ngjarjesh kriminale, të ndodhura në kuadër të hakmarrjes për vëllain e tij, Endrit Alibej, xhaxhain dhe një shtetas turk, që sipas tij, janë viktima të një zinxhiri lufte mes bandave. Në dëshminë e tij, ai ka treguar se ka komunikuar drejtpërdrejt me Nuredinin për të organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllai i të shumëkërkuarit Talo Çela.

“Pas vrasjes së Klevis Kapllanit, u hodh ideja për Bujar Çelën. Ishte shënjestër e thjeshtë. Në lidhje me lokalin ku ai shkonte, kishim informacion prej kohësh. Vendosëm të vepronim në mëngjes, kur ai pinte kafenë. Fillimisht e pritëm te shtëpia, por një komshi i pa çunat me maska dhe për këtë arsye u tërhoqëm. Më pas u vendos të pritej te kafja. Kanë qëlluar fillimisht çunat e Fushë-Krujës, pastaj edhe Nuredini. Kur u krye atentati, më njoftoi Nuredini: ‘Mbaroi Bujari’. Më pas, makina ‘Renault’ u dogj 8 kilometra më larg dhe grupi iku në drejtim të Fushë-Krujës,” tha Alibej.

Ai pranoi se kishte pajisje të komunikimit policor dhe ndihmë nga një oficer.

“Unë kisha radiot e policisë. Më telefonoi një oficer me të cilin kisha kontakt, Agim Lleshi. Më tha që po shkonin në vendngjarje sepse ishte vrarë vëllai i Talos. Unë në atë moment e kuptova që gjithçka kishte mbaruar,” u shpreh ai.

Në dëshminë e tij, Alibej tregoi për pagesat dhe mbështetjen logjistike që kishte bërë për vrasjen.

“Kam çuar rreth 60-70 mijë euro në një karburant në Vorë. Nuk e di nëse i ka marrë Nuredini apo ata të Fushë-Krujës. Të nesërmen e pashë nga kamerat që po vinte një autokolonë policie. E dija që ishin për arrestim. Nuk bëra rezistencë,” tha ai.

Ai pranoi gjithashtu se ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Xhuliano Hoxhën, të cilin e kishte pajisur fillimisht me Encrochat, pastaj me Sky ECC, për të ndjekur dhe përgjuar lëvizjet e Bujar Çelës.

“Me Xhulianon kisha biseduar edhe para vrasjes së Emiliano Ramazanit. E pajisa me telefon të enkriptuar. I thashë të thyejë Encrochat-in që përdorte. Nuk i kam thënë kurrë direkt që do e vrasim Bujarin, por ai e kuptonte pse i doja informacionet. E paguaja sistematikisht, edhe kur ishte në burg. Informacionet që më dërgonte ia përcillja Nuredinit. Edhe ky e dinte që i merrja nga Xhuliano. Ai (Xhuliano) nuk e dinte që Nuredini me njerëzit e tij ishin akoma tek pallati im,” tha Alibej.

Ai shtoi se kishte një obsesion personal me Talo Çelën, dhe e kishte kthyer këtë çështje në prioritet jetësor.

“Unë flija dhe zgjohesha vetëm për Talo Çelën. Ata trimat që rrinin në Dubai, i hodhën në rrugë edhe njerëzit e vet si qen. U identifikuan një nga një,” deklaroi ai.

Në fund, ai tregoi se edhe të afërmit e tij ishin angazhuar në këtë plan hakmarrjeje, dhe se kërkesat për informacione te Xhuliano ishin në kohë reale, në funksion të lëvizjeve të ekzekutorëve në terren.

“Xhuliano ka qenë i përfshirë. I kërkoja informacion për vendndodhjen e Bujarit në kohë reale. Në atë kohë, nipçja dhe kushoja ishin në terren. Sapo merrja informacion nga Xhuliano, e përcillja direkt. Ata e shënjestronin. U tërhoqën disa herë, por herën e fundit nuk gabuan,” tha Alibej.

Kundërpërgjigjja e Xhuliano Hoxhës: “Jam i pafajshëm, ky do të më përplasë me shokët e fëmijërisë”

Nga ana tjetër, Xhuliano Hoxha, i cili ndodhet në paraburgim, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në atentatin ndaj Bujar Çelës. Ai e quajti Erion Alibejn një “palaço”, dhe tha se po mundohej ta përfshinte me qëllim hakmarrjeje.

“E di që kur jam njohur me këtë palaçon. Që nga fëmijëria, kur bënte xhiro me kuaj dhe hante fara te shkallët e pallatit të kulturës. Nuk kam lidhje me pisllëqet që thotë ai. Jam i pafajshëm. Prokurore, zbardhi bisedat e Encrochat-it të tij dhe do kuptoni kush është personi tjetër që i di të gjitha. DVR e kamerave të mia e keni, shikojini pamjet. Kam qenë në shtëpi,” u shpreh Hoxha.

Sipas tij, policia kishte dijeni për ngjarjen, por ishte palë me Alibejn dhe nuk ndërhyri. “Ky do të më përplasë me shokët e fëmijërisë. Por unë nuk kam lidhje me këtë histori,” tha ai.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme