
- Mbi tri dekada pas rënies së diktaturës në Shqipëri, vetëm 6 për qind e të përndjekurve politikë kanë arritur të dëmshpërblehen plotësisht, në një skemë kompensimi që mund të zgjasë edhe tri dekada të tjera.
Natën e 18 majit 1990, vëllezërit Gjek dhe Vat Beci, 35 dhe 25 vjeç, po tentonin të arratiseshin në Ish-Jugosllavi, përmes Adriatikut, kur u qëlluan nga rojat bregdetare. “Si pasojë, u plagosa unë dhe më vonë, vranë vëllanë tim në breg”, tha Gjek Beci për Kujto. Beci u dënua me dy vjet heqje lirie. Deri në prill, kur Kujto bisedoi me të, Beci ende nuk kishte përfituar dëmshpërblim për dënimin e tij. “E kam bërë kërkesën [për dëmshpërblim] pak me vonesë”, tha Beci, dosja e të cilit vetëm sa është pranuar. Vetëm 6 për qind e mbi dyzet e dy mijë personave që, sipas Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, kanë status të përndjekuri në Shqipëri, janë dëmshpërblyer plotësisht dhe, sipas të dhënave zyrtare, procesi mund të përfundojë pas tri dekadash. Me këtë ritëm, kur dy e treta e të përndjekurve politikë në Shqipëri ende nuk dëmshpërblehen, pritja për dëmshpërblim, që nga rënia e komunizmit në 1991-shin, mund të jetë më e gjatë se vetë diktatura. Et’hem Fezollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe ish-i internuar, tha për Kujto që autoritetet “nuk po japin as [dëmshpërblimet për] këto [dosje] që njerëzit i kanë dorëzuar në kohë”. Më shumë se 17 vjet nga hyrja në fuqi e Ligjit “Për Dëmshpërblimin e Ish-të Dënuarve Politikë të Regjimit Komunist”, gati 77 për qind e dosjeve të miratuara janë ende duke pritur këstin e radhës. Kujto, gjatë muajve mars-maj 2025, zhvilloi një pyetësor online ku morën pjesë 169 persona ku 106 janë vetë ish-të dënuar politikë ose trashëgimtarë të ish-të dënuarve që nuk jetojnë, prej të cilëve shtatëdhjetë janë përfshirë në dëmshpërblim. Vetëm 11 vetë janë dëmshpërblyer plotësisht. Nga familjarët, vetëm 4 janë dëmshpërblyer plotësisht, ndërsa 1 nuk u përgjigj. (As) në gjysmë të rrugës Sipas raportit për vitin 2023 të Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Financave, MF, “nëse buxhetimi dhe çelja e fondit vazhdon me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet pas afërsisht 29 vitesh”. Deri më 31 dhjetor 2024, sipas MF, nga fondi prej më shumë se 52.6 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, është paguar më pak se gjysma: rreth 24.9 miliardë lekë. Detyrimi do të mund të shlyhet më herët nëse shfrytëzohet fondi i këtij viti prej 1.4 miliardë lekësh, 17 % më i lartë se i 2024-ës dhe mbahen premtimet e ministrit të Drejtësisë në detyrë, Ulsi Manja, dhjetorin e kaluar, në Kuvend, se “buxheti vjen me rritje”. Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve në pyetësor, nuk janë optimistë. Rreth 71 për qind e tyre janë përgjigjur që procesi nuk do të përfundojnë asnjëherë ose që nuk e dinë kur mund të përfundojë, përkatësisht 65 dhe 55 vetë. MF tha për Kujto, me shkrim, se nga viti 2007, kur hyri në fuqi Ligji Për Dëmshpërblimin, deri në maj 2025, janë dëmshpërblyer plotësisht 1,987 dosje të ish-të burgosurve dhe 323 të viktimave të ekzekutuara. Këto, bashkë me dosjet e dëmshpërblyera plotësisht para 2007-ës, përbëjnë vetëm 19% të dosjeve të miratuara gjithsej. Sipas studiuesit në fushën e së drejtës, Bledar Abdurrahmani, skema aktuale e dëmshpërblimeve, “ka cenuar standardet bazë kushtetuese”. Abdurrahmani i tha Kujto se “reformat reparatore të drejtësisë tranzitore në Shqipëri, sikundër është ajo e dëmshpërblimit të të dënuarve politikë, në vend që të ishin shembulli i ndjesës dhe drejtësisë, krijuan padrejtësi të reja” duke shkelur të drejtën për: siguri juridike, pronë, një proces të rregullt ligjor, mosdiskriminim, si dhe për një ankim efektiv. Procesi has në burokraci që shkaktojnë vonesa. MF pranoi se 545 dosje të miratuara e kanë humbur këtë të drejtë për shkak të mosdorëzimit në kohë të dokumenteve. Dëmshpërblimi mund të mos ekzekutohet kur trashëgimtarët e radhës së dytë ndahen nga jeta. As kur një nga trashëgimtarët nuk e dorëzon dosjen, duke penalizuar kështu gjithë të tjerët. Filip Guraziu, nënkryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, në Shkodër shkruan në pyetësor se “kjo është e qëllimshme, për mendimin tim”. Ngjashëm e bija e një ish-të dënuari politik shkruan në pyetësor që autoritetet e “shtyjnë procesin me shpresën se s’kanë për të paguar asnjëherë”. Ndryshime të vazhdueshme ligjore pa rezultate konkrete Sipas Angjelin Dabërdakut, ish-i burgosur në Spaç, që ish-të përndjekurit të merrnin këstin e dytë, “u desh me djeg trupin Lirak Bejko”. Bejko u vetësakrifikua, në tetor 2012, gjatë grevës së urisë së ish-të dënuarve politikë që kërkonin dëmshpërblimin e viteve të burgut. Kësti i dytë u dha rreth një vit më vonë, në 2013. Procesi i kompensimit të të burgosurve politikë në Shqipëri nisi që në vitin 1991, kur ish-të dënuarit politikë u shpallën të pafajshëm dhe mori formën aktuale në 2007-ën për të pësuar disa ndryshime në vazhdimësi. Ndryshimet kryesisht përshpejtuan dëmshpërblimin e ish-të burgosurve gjallë, por ngadalësuan procesin për familjarët e atyre që kanë vdekur. Në 2014-ën, u vendos që 70 % e buxhetit për të përndjekurit të shkonte për ish-të dënuarit (në burg, spital dhe izolim në hetuesi) gjallë në momentin e pagesës dhe për fëmijët e mitur të atyre që nuk jetojnë. Kjo kategori deri në 2017-ën mori 6 këste dhe deri sot, 22. Nuk dihet sesa ish-të burgosur jetonin kur nisi procesi, por numri i të dëmshpërblyerve plotësisht deri tani, nuk është as 14 për qind e 14,563 që dolën gjallë nga burgjet e diktaturës. Me anë të një përgjigjeje me shkrim, MF informoi se vetëm 23 ish-të burgosur gjallë, nga ata që kanë dorëzuar kërkesën brenda afatit të 1 korrikut 2009, po presin shpërndarjen e këstit të 22-të, ndërsa gjithë të tjerët janë dëmshpërblyer plotësisht. Shtatë prej nëntë ish-të burgosurve që morën pjesë në pyetësor, thanë se e kanë përfituar të plotë dëmshpërblimin. Në 2017-ën, afati i dorëzimit të kërkesave për ish-të burgosurit gjallë u shty deri më 31 dhjetor të atij viti. Ministria e Drejtësisë, MD, thotë se në atë periudhë u dorëzuan 3,036 kërkesa, por ato nuk janë marrë në shqyrtim, në pritje të ndryshimeve ligjore. Gjithashtu, janë ende “në proces shqyrtimi/verifikimi” 728 aplikime të dorëzuara para 1 korrikut 2009. Zgjatja me vite e procesit, ka bërë që shumë ish-të dënuar politikë të ndahen nga jeta pa u dëmshpërblyer dhe sot janë familjarët që presin, pa ditur se kur do të dëmshpërblehen. MF informon se në proces janë ende 10,355 dosje-rreth 76.6% e dosjeve të miratuara-dhe se “po vijohet me pagesat e këstit të katërt” për familjarët. Por 32 trashëgimtarë në pyetësor, kanë thënë se kanë përfituar më pak se 4 këste deri tani. Nga 95 trashëgimtarë në pyetësor: 61 përfitojnë dëmshpërblim dhe vetëm 4 prej tyre janë dëmshpërblyer plotësisht. “U bëmë 63 vjeç unë, mami 90 vjeç, vëllezërit të dy u plakën dhe presim akoma”, shkruan e bija e një të pushkatuari. E pyetur nga Kujto, për shkaqet e vonesave, Ministria e Financave fajësoi ish-të përndjekurit që sipas saj nuk e dorëzojnë dokumentacionin në kohë dhe shkaktojnë vonesa “3 deri në 4 vjet” nga kësti në këst. Përndryshe, sipas MF, “pagesat do të realizoheshin shumë më shpejt”. Të internuarit, të padëmshpërblyer Pjesa dërrmuese e të internuarve në kampe me tela me gjemba, që në Shqipëri funksionuan deri në tetor 1953, nuk mund ta vërtetojnë dënimin, siç e kërkon ligji, me një burim arkivor të krijuar para datës 10 janar 1991, duke bërë që të mos marrin dot dëmshpërblim. “Ato vendime kanë humbur e nuk janë ruajtur”, tha për Kujto drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi. “Ky fakt del edhe në raportet e kohës së regjimit komunist”. MD informoi, me shkrim, se, si rezultat, “nuk ka përfitues” nga të internuarit në kampet me tela me gjemba. Ligji parashikon, për këta të internuar, dëmshpërblim 1,000 lekë për ditë internimi. “Zero dëmshpërblim ka marrë kjo shtresë”, tha Fezollari, i cili nuk ishte as 4 vjeç kur e internuan familjarisht nga Pogradeci në kampin me tela me gjemba të Valiasit, në Tiranë. Ilir Çullhaj, i lindur në internim, në periudhën pas kampeve me tela me gjemba Ilir Çullhaj, pasardhës i një brezi të internuar, tregon se bashkëshortja e xhaxhait, Bedrie, e internuar në kampin e Tepelenës, sot është mbi 90 vjeç. “Po kur do ta marrë kjo dëmshpërblimin, që sot, nuk stimulohet as me pension, as me strehim, as me kurrfarë gjëje”?! MD informoi se deri në 1 korrik 2009, janë dorëzuar 4,886 aplikime në kategorinë internim/dëbim, të periudhës pas telave me gjemba, por për to, pritet miratim për një skemë pensioni me Vendim të Këshillit të Ministrave, VKM. Deri tani, kjo skemë nuk është miratuar. Pjerin Alija, një ish-i internuar, së bashku me prindërit e tij, shkruan në pyetësor se, pavarësisht statusit të të persekutuarit politik “me vendim gjykate, asnjëherë nuk jemi dëmshpërblyer”. Mungesë fondesh apo vullneti politik? Ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse fondet për dëmshpërblimin përcaktohen në bazë të mundësive, por rreth 97 % e pjesëmarrësve në pyetësor mendojnë se procesi duhet të kishte përfunduar tashmë. Sipas kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë me qendër Shkodër, Zenel Drangu, ish-i burgosur për 17 vjet, fondi për të përndjekurit nuk mjafton që të gjithë të marrin nga një këst, çdo vit. Zenel Drangu, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve të Shqipërisë, me qendër Shkodër; ish-i burgosur politik për 17 vjet, 15 nga të cilat në burgun e Spaçit Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, i tha Kujto se, sipas statistikave të sufiçitit buxhetor të çdo viti “diku te 500 milionë Euro”, ekziston mundësia për një fond më të madh. Soko mendon që “nuk ka vullnet politik” sepse “është shumë e realizueshme që shuma prej 270 milionë Eurosh që ka mbetur, të ndahet në 3 vjet”. Megjithatë, Arben Malaj, ish-ministri i Financave i tha Kujto që “skema financiare e buxhetit për ish-të përndjekurit ka qenë shumë më bujare se e vendeve të tjera dhe shumë më e lartë se mban kurrizi i taksapaguesve shqiptarë”. Por Drangu, duke numëruar veprat e realizuara me punën e papaguar të të burgosurve politikë si tharja e kënetave, aeroporti “Nënë Tereza”, kombinatet apo stadiumet, thekson se ish-të dënuarit nuk po marrin paratë e taksapaguesve. “Ne marrim djersën e mundin tonë”, tha Drangu. E bija e një ish-të burgosuri, Ejona Keqi, shkruan në pyetësor se ish-të përndjekurit “kanë humbur vite të jetës në burgje, kampe pune, apo internime. Përveç kësaj, familjet e tyre janë përballur me diskriminim, përjashtim shoqëror dhe vështirësi ekonomike”. Ligji parashikon një dëmshpërblim 2,000 lekë për çdo ditë dënimi në burg, hetuesi ose spital. Reth 62 për qind e pjesëmarrësve, mendojnë se shuma e llogaritur si dëmshpërblim nuk është e drejtë po të merren parasysh vuajtjet, vështirësitë e punës së ish-të burgosurve, apo inflacioni. “2 mijë lekë dita është pak e qesharake”, shkruan ish-i burgosuri i Spaçit, Zaim Keqi, që ka punuar në minierë. “Nuk ka asnjë lloj vlere që mund të të kthejë atë pjesë të jetës që ta kanë vjedhur”, shkruan Nestor Topencarov, që u dënua kur ishte student. Sipas Fezollarit, kjo skemë dëmshpërblimi nuk i zgjidh problemet e kësaj shtrese dhe sugjeron “një pension special”. Për të përndjekurit, dëmshpërblimi nuk ka vetëm rëndësi financiare, por “ka rëndësi nga ana morale, për hir të drejtësisë, që deri tani nuk e kemi gjetur”, sic shkruan Mihaill Pumo, ish-i internuar. Gjithsej, 260 dosje konsiderohen të likujduara nga ligjet e mëparshme dhe disa pjesëmarrës e kanë quajtur të padrejtë zbritjen nga dëmshpërblimi të përfitimeve të marra para hyrjes në fuqi të ligjit në 2007, si letra me vlerë apo pasuri të paluajtshme. “Letrat me vlerë humbën fare dhe vlera e banesave [të marra si dëmshpërblim] është llogaritur me vlerë tregu të sotëm, në një kohë që gjithë popullata i mori pothuaj falas”, shkruan Agron Hado, i biri i një ish-të burgosuri, duke iu referuar shumave të ulëta që u paguan nga shqiptarët për privatizimin e banesave pas rënies së komunizmit. Të penalizuar nga ligji dhe burokracia Rreth 67 për qind e ish-të dënuarve dhe familjarëve në pyetësor e konsiderojnë procesin e dëmshpërblimit “të vështirë dhe të lodhshëm”. Autoriteti për Informim për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, ka bërë publike se nga 1,220 kërkesa të trajtuara që prej vitit 2017, “një në tre, ka rezultuar pa të dhëna arkivore”. Më shumë probleme me dokumentacionin dhe institucionet, raportojnë familjarët. Për shembull, Aldo Renato Terrusi, babai i të cilit ndërroi jetë në burgun e Burrelit, i ka sjellë Kujto përgjigjen e vitit 2011 të MD-së ku shkruhej se Terrusi duhej të aplikonte, ndërkohë që ai ishte jashtë afatit. Disa grupe të përndjekurish janë përjashtuar nga Ligji Për Dëmshpërblimin si familjarët e të vrarëve për motive politike nga komunistët para 30 nëntorit 1944-rreth 2,222 sipas studimit të Çelo Hoxhës në librin me disa autorë “Të gjithë të rënët e Luftës II Botërore”; dhe të burgosurit politikë “për vepra terroriste”. “Dokumentet i gjeta të gjitha. Ndryshoi ligji dhe nuk përfituam”, shkruan Ndriçim Mehmeti, gjyshi i të cilit u pushkatua në vitin 1943. “Ka dy histori”, tha Gjek Beci, i arrestuari gjatë kalimit të paligjshëm të kufirit. “Historia ime një herë: shteti ka vënë afat për një borxh që ia ka qytetarit”. Ndërsa historia tjetër “komike-tragjike”, sipas tij, është se, për të vëllanë që mbeti i vrarë natën e arratisjes, si për çdo të ekzekutuar gjatë diktaturës, ligji parashikon dëmshpërblim sa për 8 vjet burg. “Ishte shtet vrasës dje, tani është shtet gati tallës,” tha Beci./kujto.al