Bota 26 November 2025, 10:06 Nga VNA

Parlamenti italian miraton unanimisht ligjin që e bën femicidin krim të veçantë

Ndaje në Whatsapp
Parlamenti italian miraton unanimisht ligjin që e bën femicidin krim

Deputetët e parlamentit italian kanë votuar unanimisht për ta futur femicidin – vrasjen e një gruaje, e motivuar nga gjinia – si një vepër të veçantë penale që dënohet me burgim të përjetshëm. Votimi ndodhi në Ditën Botërore të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, duke i dhënë ligjit një simbolikë të fortë.

Debati për një ligj të tillë kishte ekzistuar prej vitesh, por vrasja e Giulia Cecchettin në nëntor 2023 nga ish-i dashuri i saj, një ngjarje që tronditi Italinë, e shtyu vendin drejt veprimit. Gjulia, 22 vjeç, u qëllua për vdekje me thikë dhe trupi i saj u gjet i mbështjellë me çanta pranë një liqeni. Reagimi i motrës së saj Elena, e cila tha se autori nuk ishte “përbindësh”, por “bir i shëndetshëm i një shoqërie patriarkale”, nxiti protesta masive në të gjithë vendin.

Dy vite më vonë, pas një sesioni të gjatë e të tensionuar, deputetët miratuan ligjin që e kategorizon femicidin si krim më vete, duke e renditur Italinë ndër vendet e pakta të BE-së – si Qipro, Malta dhe Kroacia – që e kanë këtë përkufizim në kodin penal.

Ligji i propozuar nga kryeministrja Giorgia Meloni u mbështet si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita. Shumë deputetë mbanin shenja dhe veshje të kuqe në nderim të viktimave të dhunës.

Sipas ligjit të ri, çdo vrasje e një gruaje që kryhet “si akt urrejtjeje, diskriminimi, dominimi, kontrolli apo nënshtrimi ndaj saj si grua”, si dhe vrasjet që ndodhin pas prishjes së një marrëdhënieje apo për të kufizuar liritë e saj personale, do të klasifikohen si femicid dhe do të dënohen automatikisht me burgim të përjetshëm.

Të dhënat e fundit tregojnë se vitin e kaluar në Itali u vranë 116 gra, nga të cilat 106 vrasje kishin motiv gjinor.

Gjino Cecchettin, babai i Giulias, thotë se nuk e di nëse ligji do ta kishte shpëtuar vajzën e tij, pasi autori i saj mori gjithsesi burgim të përjetshëm. Por ai beson se emërtimi i problemit ka rëndësi: “Tani mund të flasim për këtë. Është një hap i vogël, por është hap.”

Ndërsa ai vetë fokusohet te edukimi, Fondacioni i krijuar në emër të vajzës së tij kërkon futjen e edukimit emocional dhe atij seksual në shkolla që në moshat e hershme, për të parandaluar stereotipat dhe modelet e dëmshme të maskulinitetit. Megjithatë, kjo nismë është kundërshtuar nga deputetë të ekstremit të djathtë, të cilët pranojnë vetëm kurse opsionale për nxënësit më të rritur.

Ligji ka pasur edhe kundërshtime. Profesorja e së drejtës, Valeria Torre, e quan atë “një qebap të helmuar” dhe argumenton se Italia nuk ka boshllëk ligjor në mbrojtjen e grave. Ajo e sheh përkufizimin e femicidit si të paqartë dhe të vështirë për t’u provuar në gjykatë, sidomos kur shumica e vrasjeve kryhen nga partnerë ose ish-partnerë.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e grave thonë se ligji duhet të shoqërohet me politika më të gjera për barazi gjinore. Për të nxjerrë në pah këto probleme, një ekspozitë e re në Romë – “Muzeu i Patriarkatit” – paraqet forma të ndryshme të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave, duke shpresuar të nxisë reflektim shoqëror.

Seanca maratonë e parlamentit u mbyll me duartrokitje, pasi të 237 deputetët votuan pro. “Kjo tregon se vendi ka një vullnet të përbashkët politik për të luftuar dhunën ndaj grave,” tha gjykatësja Paola di Nicola, autore e ligjit. “Është vetëm fillimi, por më në fund Italia po përballet me rrënjët e dhunës ndaj grave.”

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme