
Presidenti francez Emmanuel Macron ndërpreu një seancë të samitit “Africa Forward” në Nairobi, pasi diskutimet në sallë u bënë të zhurmshme dhe të pakontrolluara mes pjesëmarrësve.
Ngjarja ndodhi gjatë një paneli të dedikuar kulturës dhe bashkëpunimit mes Francës dhe vendeve afrikane. Në një moment, Macron u ngrit nga vendi, mori fjalën dhe kërkoi qetësi në sallë.
“Më falni, por është e pamundur të flasim për kulturën me gjithë këtë zhurmë”, u shpreh ai, duke kërkuar që pjesëmarrësit të respektonin folësit ose të dilnin nga salla nëse nuk ishin të interesuar për diskutimin.
“Nëse doni të diskutoni tema të tjera, mund të largoheni. Nëse qëndroni këtu, do të dëgjojmë folësit dhe do të respektojmë rregullat”, shtoi presidenti francez.
Më vonë, ai e zbuti tonin e situatës duke u shprehur me buzëqeshje se “heshtja zakonisht e ndalon zhurmën”.
Samiti “Africa Forward”, i organizuar nga Franca dhe Kenia, synon forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes Francës dhe vendeve afrikane. Gjatë forumit, Macron theksoi gjithashtu se Franca po synon të distancohet nga modeli i vjetër i ndikimit në Afrikë, duke deklaruar se “ajo epokë ka përfunduar”.






















