Një nga pesë pasagjeret franceze të riatdhesuara dje me avion nga anija turistike MV Hondius ka rezultuar pozitive me hantavirus dhe gjendja e saj është përkeqësuar gjatë natës, raportojnë mediat italiane.
Gruaja u shfaq me simptoma gjatë udhëtimit ajror pas evakuimit nga anija dhe është shtruar në një spital të specializuar për sëmundjet infektive. Autoritetet franceze kanë identifikuar deri tani 22 persona kontakte që po monitorohen.
Pozitiv ka rezultuar edhe një shtetas amerikan, megjithëse ai nuk shfaq simptoma.
Ndërkohë, Ministria italiane e Shëndetësisë pritet të publikojë sot një qarkore me udhëzime dhe masa për mënyrën e menaxhimit të rasteve dhe kontakteve të mundshme.
Shpërthimi i virusit në bordin e MV Hondius ka ngritur alarm në disa vende europiane dhe jo vetëm. Britania ka nisur izolimin e pasagjerëve të saj në spitalin Arrowe Park në Merseyside, ku ata do të qëndrojnë 72 orët e para nën vëzhgim, përpara se të vazhdojnë izolimin në banesa për gjithsej 45 ditë.
Sipas autoriteteve britanike, 22 persona po monitorohen aktualisht, përfshirë britanikë, një shtetas gjerman rezident në Mbretërinë e Bashkuar dhe një pasagjer japonez. Të gjithë rezultojnë momentalisht pa simptoma.
Edhe Australia ka njoftuar se do të vendosë në karantinë për të paktën tre javë gjashtë pasagjerë të anijes, të cilët do të transferohen në një qendër izolimi pranë Perth-it, e ndërtuar gjatë pandemisë së Covid-19.
Autoritetet australiane thanë se varianti i identifikuar në bord është hantavirusi andin, një formë e rrallë e virusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu dhe që ka një periudhë inkubacioni deri në gjashtë javë.
Në Francë, kryeministri Sébastien Lecornu ka thirrur një tjetër mbledhje emergjente për të ndjekur zhvillimin e situatës, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë pa krijuar panik.
“Qëllimi ynë mbetet i njëjtë: të mbrojmë qytetarët francezë”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë franceze, duke theksuar se situata nuk duhet krahasuar me pandeminë e Covid-19.
Hantavirusi riktheu vëmendjen globale edhe pas rastit të aktorit të ndjerë Gene Hackman dhe bashkëshortes së tij Betsy Arakawa. Sipas hetimeve mjeko-ligjore, Arakawa dyshohet se humbi jetën nga sindroma pulmonare e shkaktuar nga hantavirusi, ndërsa prania masive e brejtësve në pronën e çiftit në New Mexico u konsiderua faktor kyç në përhapjen e infeksionit.






















